“Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”

Kultura

“Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”

Nga: Ramazan Çeka Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 14:41
Simpoziumi kulturoro - shkencor

Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër u zhvillua simpoziumi kulturoro - shkencor i shumë munguar me temë: "Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar", organizar nga Shoqata Kulturore "Xhubleta e Alpeve Shqiptare", i cili u vlerësua si një organizim sa dinjitoz aq edhe institucional deri në përfeksion, që nga impakti i parë e deri në përshëndetjen e fundit, aq sa me plot gojë mund të thuet se arriti të sfidojë edhe vetë institucionet përkatëse, që nga ato vendore e deri tek ato më të larta shtetërore, të cilat edhe pse ishin të ftuara, ra në sy mungesa e tyre.

Në këtë simpozium morën pjesë, studiues, etnolog, përfaqsues institucionesh dhe dashamirës të kësaj pasurie me vlera unike në botë. Të pranishme ishin edhe mediat lokale e jo vetëm, të cilat e transmetuan aktivitetin për opinionin publik si një arritje dhe sukses i përmasave kombëtare.

Serioziteti i këtij aktiviteti u reflekta në programin e ngjeshur sa shkencor aq edhe artistik, të përgaditura me një kujdes të veçantë nga kryetarja e Shoqatës Kulturore "Xhubleta e Alpeve Shqiptare" znj. Rita Shkurtaj në bashkëpunim me Drejtoreshën e Biblotekës së Universitetit "Luigj Gurakuqi" Shkodër, znj. Valbona Bërdica, e cila mbajti edhe fjalën përshëndetëse të shoqëruar me një punë kërkimore rreth xhubletës me fakte e referenca sa kulturore aq shkencore, të përshtatura për tematikën kuptimplotë mbi këtë pasuri kombëtare.

Image

Në vazhdim për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull "Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar", i cili përcolli një mesazh mjaft domethënës dhe shumë konkret, si një përgjigje e saktë për të gjitha pikpyetjet pse xhubleta duhet të vlerësohet si pasaportë identiteti kulturor kombëtar.

Të pranishmit i përshëndeti Kryetarja e Shoqatës "Xhubleta e Alpeve Shqiptare" znj. Rita Shkurtaj, e cila në fjalën e saj tha: "Të nderuar pjesmarrës, të nderuar përfaqsues të institucioneve shtetërore dhe përkatsive vendore, të nderuar studiues, etnologë dhe ju dashamirës të xhubletës, mirë se keni ardhur! Në emër të shoqatës kulturore "Xhubleta e Alpeve Shqiptare" dua të falenderoj secilin prej jush këtu të pranishëm, për nderimin dhe vlerësimin e kësaj pasurie të përbashkët kulturore me vlera tejet të mëdha shpirtërore. Gjej rastin t'i shpreh mirënjohje të plotë Universitetit "Luigj Gurakuqi" për mbështetjen dhe veçanarisht Drejtoreshës së Biblotekës znj. Valbona Bërdica, për bashkëpunimin më shumë se institucional në realizimin e këtij simpoziumi kulturoro - shkencor.

"Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar". Pse kjo temë?

Siç u pasqyrua edhe nga dokumentari xhubleta në vetvete është identitet për ata që e mbartin. Është vlerë për të gjithë ne që e kemi. Është kulturë dhe obligim që secili prej nesh ta vlersojmë. Është dinjiteti i të parëve tanë, ndaj ta nderojmë, dhe ta mbrojmë pasi ajo është një detyrë që na përket të gjithëve".

Qëllimi i këtij simpoziumi ishte jo vetëm vlerësimi fiziko kulturor i xhubletës, por edhe nxitja për një bashkëpunim ndërkrahinor në ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje tek brezat e rinj, si dhe ndërgjegjsimi institucional si një thirrje emergjente, për të ringjallur tekniken e të punuarit të kësaj veshje, krijimin e grupeve folklorike, si dhe ndërmarrjen e një sërë aktivitetesh artistike me fokus xhubleten, si e vetmja mënyrë për ta mbrojtur këtë veshje nga asimilimi i pa mëshirshëm kulturor, nga ku do të krijohen edhe ura rezistente për nxitjen e turizmit kulturor.

Ky simpozium ka edhe një tjetër detyrë sa humane aq edhe institucionale, duke filluar nga vetë shoqata, e cila tashmë është e veshur me petkun juridik, e deri tek institucionet më të larta shtetërore të që ta mbrojmë këtë veshje nga cilido që guxon ta tjetërsojë, të abuzojë apo ta shpërfytyroi për përfitime personale origjinalitetin e saj në opinionin publik.

Ne sot jemi të vetëdishëm që disponojmë pasuri shpirtërore që bota na e ka zili; si gjuha, flamuri, historia, kultura, ku secila prej tyre është e skalitur mbi xhubleten, ndaj le t'i tregojmë edhe Botës çfarë përfaqson kjo veshje për ne.

Image

Çdo kumtese e shkruar me mëndje dhe e peshuar me zemrat e pjesëmarrësve të paraqitura në këtë simpozium, një pjesë e të cilave u demostrua, janë padyshim një shërbim ndaj etnokulturës shqiptare, ku do të përmblidhen në një libër të shkruar, i cili së shpejti do vijë në dorë të lexuesit, si një manual vlerash për xhubleten dhe dukuritë fiziko shpirtërore të saj.

Në vazhdim kryetarja znj. Rita Shkurtaj, në emër të shoqatës falenderoi të pranishmit, si dhe ata të cilët bashkë financuan për realizimin e këtij simpoziumi, që me dëshirën e tyre mbeten anonim, me urimin "paçin të gjithë bekimin që nënlokia me xhubletë jepte për bijt e vet".

Në vijim, në mungesë të përfaqsuesve të Bashkisë Shkodër për të pranishmit iu dha fjala studiuesit Prelë Milani, për të folur për xhubletën pultake që kjo bashki ka në juridiksion. Një kumtesë mjaft e arrirë për nga ana shkencore e qartësuar me detaje e të dhëna krahasuese, nëpërmjet të cilave sipas tij identifikohet kjo tipologji xhublete.

Ajo që e bëri akoma më dinjitoz këtë sipozium, ishte gërshetimi i pamjeve filmike në monitor, duke i bërë kumtesat edhe më konkrete nën kujdesin e montazhierit të talentuar Armando Rrustemi, si dhe një program i shkurtër artistik, ku për të pranishmit performoi me lahutë rapsodi malsor Pretash Nilaj këngën: "Lahuta e Malsisë",e cila mori mjaft duartrokitje.

Me shumë interes u mirprit dhe kumtesa e përfaqësuesit të Komunës së Tuzit dhe Malësisë së Madhe nën Malin e Zi, i ardhur enkas nga Amerika e largët Prof. Gjon Frani Ivezaj, i cili atë dashamirsinë dhe krenarinë e tij si bir i xhubletës e shprehte me një vlerësim dhe respekt maksimal.

Pastaj kumtesa e rradhës ishte ajo e përfaqësuesit të Bashkisë Pukë z.Alban Doçaj, i cili solli në vëmëndje vlerat dhe veçoritë e tipologjisë së xhubletës së Pukës të zbërthyer deri edhe me detaje.

Për të kuptuar peshën dhe karakterin shpirtëror e zakonor të xhubletës, me shumë ndjenjë u recitua nga Fatjona Gjerkaj, poezia e Hilë Mosit "Hotjanja". Pastaj programi vahdoi me një përshëndetje nga përfaqësuesi i Bashkisë Lezhë z.Renaldo Xhani.

Vallja e logut interpretuar nga grupi artistik "Jehona e Kelmemit" ishte edhe përshëndetja që mbushi me entuziazëm dhe kënaqsi të pranishmit, nën interpretimin me çifteli të rapsodit kelmendas z.Pretash Nilaj.

Aktiviteti u mbyll me një kokteil tepër bujar, plot art e shije, të përgatitur nga punishtja "Goja Goditëse" Shkodër, ku u dha mundësi të pranishmëve të shkëmbejnë biseda dhe të pozojnë foto me njëri-tjetrin, si kujtime të një dite të paharruar nga ky aktivitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat