Malli për Ekin.. (Ekrem Kryeziu)

Kultura

Malli për Ekin.. (Ekrem Kryeziu)

Nga: Baram SEFAJ Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 18:46
Ekrem Kryeziu

Pour mois – même (për vetën time) i madh është edhe malli për Ekrem Kryeziun. Për mua që kam, madje, edhe privilegjin ta quaj Eki. Të drejtën për këtë emër të shkurtër, afrues dhe përkëdhelës, në të njëjtën kohë, ma japin shumë gjëra. Jemi moshatarë. Të një gjenerate, më afër, shokë të një klase, të Gjimnazit të Pejës (nën vreshta) jemi. Jemi... bashkë ëndërrimtarë. Ai që të bëhet shkrimtar dhe regjisor. Unë, ndërkaq, sall të bëhem shikues dhe lexues i vëmendshëm, qoftë edhe vlerësues objektiv i filmit të shikuar, i librit të lexuar, jo vetëm atyre të realizuar nga dorë e Ekit, kuptohet!

Pa nisur shpalosjen, as trazimin e grumbullit të talenteve të Ekremit, në shumë fusha dhe shtigje krijimtarie, po e (për)botoj, me këtë rast, një ëndërr tonën të përbashkët. Njësi “koshoneri” tonën, që merr moshën e viteve kur ishim nxënës në bankat e Gjimnazit të Pejës. Në orët e matematikës të fizikës-kimisë, para të tjerave, kur synonim dhe ... imagjinonim Festivalin ndërkombëtar të Filmit në Kanë të Francës. Nga një notë të mirë në lëndën e gjeografisë e meritonin gjithandej, nga se, edhe symbyllas, në hartën e Evropës, pa far hezitimi, shigjetonin (me maje gishti) emrin e këtij qyteti të Mesdheut francez. Ëndërronim, ajme, për këtë manifestim më të madh dhe më prestigjioz kinematografik në botë. Ëndërronim të gjendeshim atje. Bashkë e përnjëherë. Eki si regjisor. Unë sall si reporter a kritik filmi! Shfaqja e këtij “mëkati” tonë të përbashkët, si gjimnazist që ishim, përherë na përsëritej në muajin maj, atëherë, pra, kur stina më e bukur e vitit, pranveron!

Kur, pos qiellit blu mbi detin kaltërosh të Mesdheut në Kanë, gjithë hapësirën solemne të këtij qyteti nam madh e mbushin yjet më të shkëlqyer të (mbarë) botës filmike.

Vjeshtës së vonë, thuaj në “paradhomën” e dimrit të vjetshëm, te “Bagreni” (në Prishtinë). Eki ndal hapin! Sa kishte dalë nga errësira e “Odës” së montazhit të filmit tij më të ri artistik. Atij me titull “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”. Sigurisht se nga andej dilte më shumë se i kënaqur me realizimin kreativ të sagës se një dashurie tragjike (hë për hë, melodramatike) që filmi i tij trajton. “Shendi në fytyrë i flakëronte tej syzave me dioptri të trashë. Një tis ia praronte mustakun e dendur. Ma vuri dorën mbi sup duke më thënë. “Shkojmë sivjet (1998), bashkë në Kanë?”.

Po, Eki, i përgjigjem me gëzim. Keq, për gazep e siklet të perëndisë, (si për inat a hakmarrje ëndërrimit rinor?), isha atje, madje, dy-tri herë rresht, ia kthej turpshëm, me zë të paktë, si i zënë në pabesi!

“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”, ma ktheu Eki, është vepër filmime që na i nxjerr “letrat” (lexo biletat!) e udhës sonë të madhe (si pelegrinazh), për në Cannes!

Befas, por qartë e kthjellët, para sysh, m`u shfaq fytyra (e thartë) e elektorit të festivalit në Kanë. Ajo e zotit Gilles Jacob (Zhil Zhakob). Nuk ia pata besën çehres së tij të zymtë!

Si pandeha ashtu edhe doli. Kur ai sajoi (hartoi) programin prej vetëm njëzet e dy veprave filmike, në konkurrencë për Palmën e Artë të Cannes, Zhill Zhakob, nuk e kishte vënë në letër (regjistër) as titullin e filmit “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”, as emrin e autorit tij. Ekrem Kryeziu. Për të sajuar listë kaq të vocërr, prej vetëm njëzet e dy filmave artistikë, elektori rigoroz (Gille Jacob rigide) kishte shikuar (vizionar) madje njëmijë e shtatëdhjetë e një (shifër kjo fantastike) filma të realizuar midis dy festivalesh anembanë botës mbarë!

Thefsh qafën (!) o, zotëri Gilles, këlthita me vete! Po asaj shifre të lartë, pse nuk ia shtove vetëm edhe një numër? Mbase pikërisht në atë shifër është fshehur shpalosja e ëndrrës sonë të kamotshme. E Ekit dhe imja e bashkë!

Nuk (më) është e njohur se sa filma do të ketë pasur në dispozicion elektori i festivalit të pesëdhjetë e pestë të filmit, p0 aq të njohur, në Venecia. Por as në “listën” e tij prej nëntëmbëdhjetë filmave, konkurrentë për shpërblimin, nuk e gjeta, as emrin e regjisorit E. Kryeziu, as titullin e filmit të tij “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”! Si për inat, aty ndesha titullin e filmit “Macja e zezë, macja e bardhë” të njëfarë regjisori (hibrid) me mbiemrin Kusturika Thefshin qafën, përsëdyta, kësaj radhe, këto dy festivale, kur ndërmend më përftoj mendimi ngushëllues kur ndërmend më pika talenti gurgullues dhe përherë gjelbërues (vegjetativ) i Ekit tonë të dashur. Sigurisht, përeshtira, ndërkohë, Eki duhet të ketë realizuar ndonjë vepër jetër të re kinematografike? Në anën tjetër, thashë, fatbardhësisht, çdo vit ka në gjirin e tij një pranverë, e çdo pranverë, ka në gjirin e vetë ka një muaj me emrin maj, e çdo muaj maj, në gjirin e vet, ka një festival ndërkombëtar kinematografik në Cannes...

Cannes përherë është aty. Ai e pret Ekin regjisor. Më pret mua spektator (qoftë edhe reporter a kritik filmi, për inat!).

(Paris, tetor, 1995)

-------------------------

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat