Fisnikërimi poetik i fjalës së shkruar poetike

Kultura

Fisnikërimi poetik i fjalës së shkruar poetike

Nga: Baki Ymeri Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 20:02
Foto ilustrim

Shefqet Dibrani - Mariana Grigore, “SHKËLQIMI I FJALËVE / STRĂLUCIREA CUVINTELOR”, (botim i dytë), poezi shqip-rumanisht, përktheu dhe parathënien, Baki Ymeri, Sh. B.: “AMANDA EDIT”, Bukuresht 2021. ISBN 978-606-8041-59-15. Faqe 128)

Fisnikërimi poetik i fjalës së shkruar, ashtu si në tekstet e shenjta, ndodhet edhe në librat poetikë, ndërsa motivi i mërgimit, në shumicën e poezive përfaqëson shpirtin e poetit shqiptar të mërguar. Veprat e kësaj gjenerate plotësojnë motivin e poezisë si metamorfozë poetike, duke plotësuar edhe më shumë karakterin e tyre krijues e njerëzor. Librat e kësaj natyre, sidomos ato me poezi, janë dëshmi e vetëdijes intelektuale, janë jehonë dhe rezonancë të cilën e kanë bërë poetët e mërguar, të cilët me fanatizëm kanë ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe. Edhe poezia e Shefqet Dibranit, në brendësi ka shqetësimet e saj si vetëdije krijuese, dhe nuk qëndron indiferent ndaj ngjarjeve që ndodhin rreth tij: një veti kjo sa fisnike aq edhe humane e njerëzore, fenomen i brumosur me vlera morale, qofshin vetëm si përjetime personale, ato kanë të bëjnë me fatet e shoqërisë dhe të kombit.

Shefqet Dibrani, përfaqëson vlerën poetike, me ndjeshëri shpirtërore të realizuara në mënyrë estetike. Ai di t’i japë trajtë poetike trishtimit artistik, sepse kështu ai dëshmon më mirë se është poet i mërguar, prandaj motivi si trishtim individual e kaplon edhe lexuesin e këtyre poezive me kaq dhembje shpirtërore dhe të çuditshme që i shpreh në vargjet e tij:

Derisa guri të vërë bar përreth

Derisa dielli të ndërrojë kahen e vet

Derisa nata të mos bjerë errësirë

Derisa blerimi të blerojë në errësirë

Derisa uji të kthehet përpjetë

Emigranti s'do ta rregullojë

integrimin e vet

(Poezia: Emigranti)

Kjo metaforë poetike, ky shkëlqim i fjalës artistike shkakton dhembje, dhe kjo i vjen poetit nga përjetime të ndryshme në vise e vende të panjohura, që i janë shndërruar në përjetime si një kronotop poetik. Poeti Shefqet Dibrani, mjeshtërisht ka ndërtuar metamorfozën e dhembjes që përjetohet në poezitë e tij, të cilat kanë ndjeshmëri të rrallë dhe shoqërohen me përjetime të thella të dukurive që janë objekt i trajtimit nëpër poezi të shumta.

Po ashtu, Shefqet Dibrani, shihet se i njeh problemet e stilistikës letrare me shprehje gjuhësore të pasur, ai posedon aftësi të rralla për të shndërruar natyrën dhe botën në poezi, mbi të gjitha ai zotëron afinitet për ta lidhur motivin lirik me mallin e mërgimtarit, që duket të jetë elementi kryesor përbërës në poezinë e tij. Ai ka guxim andaj i jep flatrim fantazisë, gjithmonë duke e kontrolluar strukturën e poemës:

Njeriu di të kërkojë të Drejta e Liri

Po di edhe të shfrytëzojë drejtësinë

E një ligji të lig

Që ua ka verbuar gojën vizitorëve

Andaj jeta është bërë kopsht zoologjik

Me Karta për të Drejta dhe Liri(?!)

Njeriu vepron për përfitime

Edhe kundër ligjit të Natyrës dhe të Zotit

(Poezia: Në kopshtin zoologjik)

E kanë thënë më herët edhe të tjerët se “poezia është testamenti i jetës”, njëkohësisht është urë e miqësisë mes popujve, dhe i atdhedashurisë. Poezia lidh kultura ashtu sikurse ura që i lidh brigjet e një lumi. Andaj mund të themi se nëpër vargjet e poetit kemi të bëjmë me një humanizëm poetik, me një botë bujare, me atdheun heroik, me heronjtë, me miq e dashamirë, për të cilët këndon dhe mallëngjehet poeti. Poezitë nuk janë vetëm shprehje e shpirtit, ato janë ekzistencë organike, sa objektive po aq përjetuese. Kjo bërthamë, bëhet doktrinë e realizimeve në poezinë bashkëkohore! Poeti sjell nëpër vargje fraza konkrete e figuracione plastike. Në disa nga vargjet e poetit Shefqet Dibrani, mbizotëron edhe poezia erotike mjaft mbresëlënëse, që jep të kuptohet se në poezinë e tij “skalitën” me gjuhën poetike dashuria, atdhedashuria, revolta dhe gjithë bota e njeriut me të mirat e të këqijat që din t’i sjell jeta! Si e tillë, poezia e Shefqet Dibranit, shndërrohet në album vlerash të mirëfillta njerëzore dhe universale. Poeti nuk vë në qendër të poezisë ëndrrën, por atë e shndërron në dimension të realitetit përjetues, si suksesi më i merituar, sinkronizim i talentit që ka poeti i mërguar.

Vlen ta ripërkujtojmë faktin se Shefqt Dibrani është njëri nga krijuesit më të profilizuar në mërgatën shqiptare. Sikurse fushat tjera, edhe poezia e tij është sa intelektuale, po aq edhe artistike. Ai peshon fjalën e shkruar, qëndrimin prej një intelektuali të formuar e shpreh edhe përmes poezisë, e kuptueshme nën zodiakun e një ylli magjik, duke shëmbëllyer me krijimtari autentike.

Natyrisht, poezia është një rrugë komunikimi, një rrugë e majave, një urë mbi lumin e tërbuar. Ndërsa vargu i tij ka thënë diçka, qoftë nëpërmjet ritmit, harmonisë apo përfytyrimit – siç theksonte Paul Valéry – që do t’i përshtatej poezisë së Shefqet Dibranit, pasi poezia e tij ka shkëlqyer, sidomos me një harmoni motivesh të veçanta, ku vargjet rrjedhin njëri pas tjetrt në një atmosferë të ngrohtë, me natyrshmëri precize dhe delikate. Do të thotë se këtu, buron motivi i fuqisë krijuese që e zgjon përjetimi i vargjeve të tij.

Veprat e tij, sidomos ato poetike, janë të strukturuara me koncept dhe rigorozitet. Po ashtu poezia e tij nuk hapërdaret, poezia e tij, ka shpëtuar, pasi nuk është obliguar t’i nënshtrohej cenzurës djallëzore politike të dekadave komuniste. Në përgjithësi, frymëzimi i tij kap një perimetër të gjerë gjeografik. Kreativiteti i këtij poeti është arrirë me përkushtim të cilin e lexojmë nga arti i tij poetik.

Si të gjithë poetët tjerë, edhe ky poet flet me dritën, po ashtu flet edhe me Perënditë. Poezia është zëri shpirtëror, janë lutjet që të magjepsin. Janë ndjenja të zjarrmisë që lindin nga vargjet e dashuruara. Poezia është ilaq i poetëve. Prandaj kush qëndron në prozhmin e saj, do të komunikojë me zotat. Poezia është lëngu i jetës, është motiv për të jetuar. Ajo vazhdimisht ushqen shpirtin e njeriut. Vargjet kanë fuqi për t'i dhënë jetës kuptimin universal. Poezitë sjellin në jetë një regjistër të pafund ideshë, motivesh dhe ndjenjash. Ato janë fjalët e poetit, janë flutura të metamorfozuara në mendim artistik, përmes të të cilave poeti ka krijuar profilin origjinal lirik.

Artet dhe letërsia janë pasqyrë e realitetit në të cilin lëviz ecja e një populli, zhvillimi i tij drejt perspektivës. Motivi lirik i Shefqet Dibranit të përvetson, sidomos vargjet e kësaj natyre:

Ngado shkoj e treti

Mbaj fytyrën kah At-Dheu

Ati vëngër më vështroi

Nga ngashërimi m'u duk

Me gjak profeti

Pastaj Dheu më tha:

”S'më kujtohet fytyrra e juaj

Kur trup e ndjenja i ke në vend të huaj”

(Poezia: Me fytyrë nga At-Dheu)

Nëse e kërkojmë një linjë në universin poetik, Shefqet Dibrani është poet i rëndësishëm i lirikës patriotike, i mallit të përgjëruar, dhe ndërtues i saktë i metamorfozës si dhembshuri estetike, andaj konsiderohet si njëri nga autorët më reprezentativ në Zvicër. (Bukuresht, 20 qershor 2021)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat