Prelud për detin

Kultura

Prelud për detin

Nga: Albert Habazaj Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 21:05

Ta dish' ti, det i bukur i Vlorës

kë freskon vlorërisht këtë mbremje

shëndet do të bëheshe për poetët,

do të shteroje deri në çmendje!...

Nga Pogradeci e Saranda t'erdhën, o det,

nga Kalabria, Lushnja, Fieri e Tetova,

hemisferë floriri çdo poet,

mjalt nga fjal' e tyre për ty zgjodha.

Ti i pret mysafirët si Perëndi,

ne kthejmë krikllat e freskëta të birrës,

i mbushin përsëri në valët e tua,

në tufë pulëbardhash të gëzuara.

Pijmë birrë e valë, e këngë e zjarr,

e gurgullullojmë si rruaza xhevahiri,

vargjet për ty burojnë ujëvarë,

i vemë kurorë një gjethe ulliri.

Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,

Si zogj furtune në buzë të detit,

s'është gjë takimi i mbretit me mbretin

para takimit të poetit me poetin!

QAJ ME LOT ULLIRI

Baladë e Këngë vaji për Fatos Arapin

(19.07.1930-11.10.2018)

I

Iku me guximin e heshtjes,

Të lundrojë yllësisht mes yjesh,

Me ecjen e dritës që s'ndalet ...

Iku Fatos Arapi ynë në krahë balade..

Mbijnë ullinj të gjelbër në Zvërnec,

Në kodrat e buta mbi Vlorë,

Pikon lotë zie Lirika shqiptare

Pa të bezdisshmet funerale gjigande...

II

Ju lutem, “më jepni një gjysmë ëndrre”...

Si lule t’ja thur refren një kënge.

Më iku Poeti, ai më i miri,

E qan Zvërneci me lot ulliri.

Zëdhembshuruari si pak të tjerë,

Si fije bari e njomë në erë.

Zëri i tij drithërimë që s’pritet,

Klithmë e pikëlluar drite.

Fije e pakëputur bari në furtunë

Rebelohet: “Fatos jeni ju a unë”?!

Është emri i Tij imazh i detit,

Trajektore trishtimi - udha e Poetit.

Dhe i dridhet zëri si shpirt shenjtori,

Sa shumë që dha, sa pak që mori...

Te Vëllai i madh, i dashuri Fatos

Në thjeshtësinë e dukjes njoha një kolos.

Fatos Arapi, sa ullinjtë e Mesdheut

Ia mori a ia dha zjarrin Prometheut?!

TË FALA NGA VLORA

Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës

Për në vise të largëta guxoj të nis,

Druhem nga tetori, muaji i vjershës

Se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks ...

Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,

nga Vlora e Lasgushit, në Pogradecin e Asllanit,

një det me të fala po nis me gjithë mend,

se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit ...

Është shpirti i pastër si vesë prilli

që dritëron për ç’ka Zoti ka bekuar:

të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin

me rruaza diellore zbukurar.

Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,

të kam rrush, shegë dhe pjeshkë ...

PIKTURË POETIKE

Mirëseardhe bukuroshe, vjeshtë buzëarta,

me ëmbëlsinë dashamirëse sa butë më zgjove,

si një grua e plotë, e mirë, pa dekorata,

pasaportë dashurie në krahë të zogjve.

Një ngjizje mistike më dalldis me vjeshtën

herë si Penelopa më duket, herë si Zhuljeta;

është aroma e saj që ma deh vjershën

kur rrebelohet si një Petro Marko me gërsheta.

Me Monalizën e Da Vinçit, më duket

Se janë dy motra të kapura për dore.

Kur e shkel, më vjen shumë keq për vjeshtën;

do të zihem me të, po korri hambullore ...

SHIRAT E VJESHTËS

Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor

vjeshtës nuk i bëra dot karantinë,

me pako të shamie, kur fshin lotët,

i zbuloj personalitetin, psikologjinë ...

Natës, turbullohet hëna pas shiut,

pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme.

Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,

hoje mjalti nga Universi derdhen.

Në vjeshtë dhe plaku flokë borë duket

thinjur më bukur nga të tjerët;

shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje

zgjas duart të këpus yjet e ndezur.

Është e pjekur vjeshta, s’mban inate

era e ftoit këndshëm i del pragut,

kur poetëria e imiton nëpër vargje

vjen papritur dimri-princ i akullt.

ZOGU I VJESHTËS

Vjeshta, kjo kupë e bukur, e begatë

Ç’ më qenka veshur me triko gri trishtimi,

Fjala vjen, ky zog që sapo kam kap’

Pse kërkon shtigje të tjera fluturimi?!...

Më vështron i hutuar, ka merak,

E s’më shfaq asnjë shenjë admirimi,

Mos vallë iu bë ujë ai pak gjak?

Mos vallë tek unë i ka humbur besimi?

Më çukit në dorë dhe pak e pak

Pulit sytë me nota qortimi…

Por zogu nuk ditka të mbajë inat,

Zogut të bukur i takon fluturimi.

Dhe më duket se e humba shoqërinë...

Po kalova dy stinë me të bukurin zog!

Të tjera cicërima zogjsh me lule pres të vijnë,

Si në një simfoni trëndeline do të jemi tok.

BARTËSI I FOLKORIT

Beb Dobit

Thesaret nuk gjenden vetëm në minierat e mineraleve,

Gjeneratori s’lëviz veç nga turbina e hidrocentraleve,

S’fluturojnë vetëm shqiponjat mbi majat e maleve,

S’është që pret në breg vetëm vajza e valave.

Nga shpirti dallgëdritë populli ynë

Thur fisnikërisht filigranë me frymë.

Ashtu heshtur, hijshëm e padukur,

Ka plot thesare që vezullojnë bukur.

Mirënjohje deri në përulje për këto prurje,

I thjeshtë në madhështinë tënde pa mburrje.

Vjeshta e zogjve që ikin dhe këngëve që vijnë,

Si në stinën e vajzave ma lundrojnë synë…

FLAMINGOT E AGRON DINES


Dhe sinqerisht, i quajta të vërtetë

Aq të bukurit Flamingo në Nartë,

Thashë t'u qasem, me dorë t'i prek...

M'i pruri peneli i perëndishëm

me ngjyra për art.

Tek bëjnë balet uji zogjtë lozonjarë,

Në shtëpinë e tyre, në lagunë,

Më bënë për vete dhe si i marrë

Pikturës iu turra, Flamingot të kap unë...

Të bukur ma dha imazhi tronditjen

Dhe përse mos ta quaj veten me fat,

Që njoh e kam mik Agron Dinen,

Piktorin aristokrat të zogjve aristokratë.

Nartë, 15.10.2019

UJKU I MARSIT NË AFRIKË

Luleshtrydhen tënde

Do ta mbaj në gojë,

Do ta thith me ëndje

Sa të më shërojë.

Pastaj do të shkoj

Ngadalë, ngadalë

Atje ku s’bën dimër

As dhe në janar.

Do të shkoj pastaj

Në Afrikë të Jugut..

Nëpër flakë e zjarr

Të sulem si ujku.

Pastaj do të nisem

Tej për në “Azi”

Të vdes mes dy perlash,

Mbret në mbretëri!...

Do të kthehem prapë

Në Afrikë të Jugut,

vera afrikane

si tërbim i ujkut.

SONET FAMILJAR

-Recetë për përdorim të brendshëm nga gjithë burrat e urtë që të zbusin marrëdhëniet me gratë e tyre aq të mira, por nevrike-

Si heroin pozitiv më kërkon mua,

si atë të veprave letrare dikur,

po ç’të të them unë, moj e dashur grua

edhe unë njeri jam e s’jam gur...

Se dhe guri çahet nga pika e ujit,

nga dashuria po thërrmohet gabimi

dashuria për ty më jep forcën e Mujit,

e nisim me zjarr e tërmet nga fillimi.

Këmbën ta afrova mes shalëve të tua,

(mes shalëve të ngrohta gjithë sherret treten)

Të keqen, me shpirt ti më the mua

Dhe unë, patjetër, ta ktheva: Të keqen!

Dhe si dy ëngjëj të ëmbël na zuri gjumi

grindjet e liga i mori tutje lumi...

MARTIRËT

Për dy kokrra mani të pjekur në dy kodrina

Sa koka e koka të mëdha kanë rrjedhur,

për folenë e pëllumbit në jug, te lugina

sa koka të vogla, të çelikta janë mekur.

POEZI E TURPSHME PA LLAFE TURPI

Si një vilë veneciane

Një femër për mua shfaqet,

si manushaqe me erë

më fal gushën dhe dy faqet.

Kishte rritur në ballkon,

Si një llahtari, dy pjepra,

Goja lëng po më lëshon,

Po më fluturon mjekra...

Çdo fjalë tjetër është e kotë,

nisem, futem në fontanë,

atje hapet tjetër botë,

një botë pa fund e anë...

Një mijë gradë temperatura,

lavë e zjarrtë vullkanike.

Dhe çelik të kisha qenë

Do më kishte shkrirë, o mike.

Me furi, me afsh në flakë,

Në ëndërrime të dalldisura

Shoh pas duelit final

Robina - mbathjet e grisura...

NGJALA E LUMIT

Hodha grepin, zura ngjalën,

Ngjala më shpëtoi.

Ngjala nuk e mbajti fjalën,

nuk i flas me gojë.

Kur m’i ul dhe m’i ngrë

Ballkonet që bëjnë tallaze,

Mendjen time ku ta lë,

Ku ta lë mendjen çapraze?!

Pse moj ngjalë, ngjalë, ngjalë,

Më shket dhe më vjen vërdallë?

Ç’ke moj ngjalë, ngjalë e lumit,

Që m’i çmend ëndrrat e gjumit?!

Zë rrugës ecën me naze,

ëndrrat m’i tërboi.

Kur nis e këndon avaze

S’ka zot ta kuptojë...

Pse moj ngjalë, ngjalë e lumit,

pse tallesh me mua?

Nga syri po më shpërngul gjumin,

po më zverdh si ftua.

Avull nxjerr në palcë të dimrit

Si kazan në zjarr,

midis mpirjes dhe guximit

vij një valë të marr...

PLOTMËRI

S’më del jeta, s’më mjafton

Të të shpreh sa shumë të dua,

Zjarr që zemrën zbukuron

Të kam shoqe, pastaj grua.

Me ty i kam qarë hallet,

Me ty kam qeshur gëzimet,

Kam ty që vështroj nga malet,

Se kam ty në mal do ngjitem.

Je pjesë shkëputur prej meje,

Jam pjesë shkëputur nga ti.

Fatmirësisht të dy bashkë

Përbëjmë një plotmëri.

Dritërimi ynë nuk fiket

Se s’është drapër meteori.

Trungje me halle gremisim,

Qeshim si qershi qershori.

KOSHERJA E MJALTIT

Gruas sime

Në ballin tënd shoh lartësinë e dinjitetit,

Në sytë e tu-degët e synimit,

në gojën tënde-mjaltin e qejfit,

në trupin tënd-kurorën e mbretërimit.

Thinjat borake më trëndafilohen,

(dashuria u jep ngjyrën e trëndafilit),

kur jemi bashkë nuk mund të zbardhëllohen,

dhe në mes të dhjetorit duhemi si në mes të prillit...

Dhembjet e ditës i ngjyejmë në dashuri,

të magjepsur nga parajsa bëjmë tallaz,

ëmbëlsi e eksituar na ngjit në çmenduri,

të tjerë uraganë do të ngrihen më pas...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat