Kritikët qelepirxhinjë

Kultura

Kritikët qelepirxhinjë

Nga: Hejza Art Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 09:56
Foto ilustrim

Kritika është veprimtari më jetike për një shoqëri që është në mënyrë permanente në kërkim të së bukurës, të së mirës, të harmonisë dhe mirëqenies. Kritikat e shëndetshme, objektive, janë udhërrëfyes drejt sukseseve, drejt shtegut më të shkurtër për te burimi i eliksirit të lumturisë

Kritikët profesionistë, ata që vullnetarisht mbajnë barrën e brengës për perspektiva sa më të shndritshme të popullit, në fakt duhet të konsiderohen si “engjëj mbrojtës” të shoqërisë! Shoqëria jonë shqiptare, a ka kritikë të tillë! Pa dyshim që po, ndonëse herë-herë çalojnë në fjalorin, tonin, ngjyrën e kritikës!

Megjithatë, kemi edhe një lloj kritikësh që shquhen për qelepirllëkun e tyre të shpifur. Nuk janë asgjë tjetër përveçse hipokritë, nën petkun e snobit e me logjikë të diletantit! E duan qelepirin dhe të tillët janë gjithnjë të përzgjedhurit e organizatorëve të ngjarjeve sa amatore aq edhe të dyshimta!

Kritikët qelepirxhinjë i ke nëpër takime e manifestim me detyrë specifike: ta madhërojnë takimin dhe manifestimin në kundërshpërblim të mbulimit të hajes, pirjes dhe akomodimit të tij, mundësisht me bashkëshorten, aq më mirë me fëmijët e me nuset e tyre! Janë ekspertë të zbukurimit të bajgës dhe të ngritjes në piedestal të autorit, të regjisorit, të dramaturgut, të organizatorit të manifestimit etj. duke u dhënë peshë të kombëtares.

Aty ku nuk i ke të ftuar, ata vijnë edhe vetë, si të paftuar, në llogari të tyre, me të vetmin qëllim që ta nxijnë organizatorin apo ngjarjen!

Kemi autorë që në promovimin e veprës së vet në vendin ku krijon nuk ka ftuar ndonjë nga këta kritikët qelepirxhinjë, në rastin tjetër, imponohen vetë me shkrime nga më denigruesit. Kemi “kritikë teatri”, i cili, ndonëse nuk është ftuar nga dramaturgu apo regjisori në një festival nga ato tonat që i organizojmë shkel e shko, të merr përpara dhe të “bluan pamëshirshëm”! Nëse nuk e ke ftuar në juri, në bord apo si mysafir, ta mban mend dhe, në rastin e parë që do t’i bie në dorë vepra, apo që do ta shohë shfaqjen (teatrale, operistike, balet etj.) do të hidhet në sulm, duke mos mbajtur llogari se shpërfytyrohet në bishë! Këta kritikë qelepirxhinjë patjetër që duhet të përfshihen gjithandej, ndryshe, të thithin gjakun në qafë!

Si të zhrmshëm që janë, kanë edhe aftësitë e imponimit si “vlerësues shpëtimtarë”! Nëse nuk ftohen në vendin e ngjarjes, për të ngrënë e për të pirë qelepir, për të marrë plus dhe ndonjë dietë të majme, bashkë me sigurimin e transportit gratis, atëherë xhindosen dhe veprën apo autorin e bëjnë për në kontejner! Suksesin për të cilin ka shkruar edhe kritika ndërkombëtare, kritikët qelipirxhinjë ta minimizojnë deri në “plehër”, kurse dështimin, antivlerën, shëmtinë ta paraqesin “shpëtim kombëtar”! Sado që, çuditërisht, respektohen nga “sharlatanët kulturorë”, megjithatë ata ngelin qelepirxhnjë, miliona kilometra larg kritikëve që historia i ruan si vlerë e mirëfilltë kombëtare. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat