Historia magjepsëse e deçanasit që me anë të zërit e kaloi çdo pengesë

Kultura

Historia magjepsëse e deçanasit që me anë të zërit e kaloi çdo pengesë

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 21:21
Leutrim Gërvalla

Leutrim Gërvalla është një qytetar nga Deçani, i cili u bë i famshëm nga paraqitja e tij në “X Factor Albania 4” gjashtë vite më parë, ku me zërin e tij ngriti publikun në këmbë, e fitoj zemrat e shumë të tjerëve që e shikonin nga televizor.

Por edhe pse kanë kaluar gjashtë vite nga ajo performancë, video ku shihet Leutrim Gërvalla duke kënduar po vazhdon të shikohet e të shpërndahet edhe gjatë ditëve të sotit.

Një nga to është edhe një video që është shndërruar në virale tani më, ku për disa muaj që është postuar në rrjetin social në Facebook, ka arritur të mbledh mbi 2 milionë shikime.

E kjo shpërndarje kaq e madhe ishte e pa imagjinueshme edhe nga ana e Gërvalles, i cili në një intervistë për  Demos shprehet se ka persona që e kanë parë për herë të parë nga ai postim.

“Kjo video është postuar në kohë të pandemisë, dhe me ju thënë të vërtetën nuk e kam prit e as nuk e kam besu se do të shikohet kaq shumë e do të shpërndahet aq masivisht, por një gjë që mund ta them me shumë siguri është se ma shumë e kanë shiku në postimin e bërë nga z.Rasim Selmanaj, se sa tek “X Factor Albania”, e që edhe këto ditë kur dal në rrugë më thonë njerëzit, të kemi parë në një video në Facebook”, është shprehur ai.

Kjo performancë në “X Factor Albania” i ka mundësuar Gërvallës që t’i ofrohen shumë mundësi e oferta në drejtim të tij, ku nga këto oferta, ai tani më ka realizuar tetë këngë.

Mirëpo, këto këngë nuk do të jenë të vetmet në krijimtarinë e tij muzikore, ngase ai po përgadit edhe projekte të tjera për të ardhmen, e që një nga to do të lansohet në fund vit.

“Unë kam marr oferta të shumta nga procedunta të ndryshëm nga ajo performancë, momentalisht i kam 8 këngë të mia personale, unë nuk do të ndalem me muzikë, do të sjelli muzikë të reja akoma më shumë, për fund vit do të publikojë edhe një këngë të re, e cila është kompozuar nga Ilir Berani”, ka shtuar ai.

29-vjeçari në fund u është drejtuar me një porosi për të gjithë familjet e personave me nevoja të veçanta, që t’u dhurojnë mbështetje e mundësi familjarëve të tyre me aftësi të kufizuara, pasi që edhe ata janë të barabartë në shoqëri.

“Unë u kisha dhënë një porosi të gjithave familjeve të personave me nevoja të veçanta, dhe jo personave që janë me nevoja të veçanta, t’u besojnë fëmijëve të tyre e mos t’i lënë anash, e t’i ofrojnë mundësi që t’i realizojnë ëndërrat e qëllimet që i kanë, rasti im për shembull është një rast konkret se si familja ime e sidomos nëna ime, më kanë ofruar gjithmonë mbështetje që unë të punojë drejt qëllimeve të mia”, ka përfunduar Leutrim Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat