Himn për Roganën

Kultura

Himn për Roganën

Nga: Atdhe Geci Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 18:12
Atdhe Geci

Kam mall për Roganën, për Dardaninë

për krejt atdheun! Kam mall për rrezet

me gjak të diellit e të yjeve, për rrezet

me stinë të gjelbra vere dhe për qiellin

me kallinj ylberesh. Kam mall për tërë

brezat e vendlindjes sime, për këngët

dhe humorin e tyre, për mendjet e urta

kam mall për të gjithë ata që krijojnë

Mjer kush fle në këtë kohë aq të pritur,

mjer kush nuk ndërton në folenë e tij,

mjer kush nuk e lë mendjen të shkruaj

e juaja është Rogana e Kosova dardane

 

Roganë kam mall për mbrëmjet tua të

magjishme, për Kodrën e Brijës dhe,

aeroportin e zogjve në Frakamen, kam

mall për pranverën me shi e bubullimë

për dimrin me lundrat mbi borë dhe erë,

E ndjej hijen e Plakut të Lisit në Cukal

dhe fëshfërimat e barit me lulet e malit

Roganë, jam unë, je ti! Jemi një këngë

fuqishëm e ndjej dashurinë time për ty

tek ty kam gjakut tim, lidhjet familjare

kjo poemë të kushtohet ty e atdheut tim.

 

 

Le të çelë ajri, uji, era e stinët me diell

le të çelë rëra, guri e lulet e shkëmbit

populli i Kosovës dardane do të ngritët

të rimerr pjesët e pushtuara të Atdheut

Nëna ime, Naxhije Geci, e lindur në një

fshat të pushtuar nga Serbia, prehet e

thyer te varret, zëri i saj ka kohë që më

troket, bir, ku mbeti, Çështja e Mollës

së Kuqe, popull i Roganës, intelektualë,

jepni liri mendjes e mendimit, shkruani;

e juaja është Rogana e Kosova dardane!...

 

Atdhe Geci – Roganë, Prishtinë, 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat