Pak fjalë për vëllimin poetik “Rrezet e lirisë” të poetit Hajdin H. Krasniqi

Kultura

Pak fjalë për vëllimin poetik “Rrezet e lirisë” të poetit Hajdin H. Krasniqi

Nga: Zymer Mehani Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 09:48
Kopertina e librit

Poeti i talentuar Hajdin H. Krasniqi këtyre ditëve, para lexuesve shqiptarë po del me përmbledhjen poetike të radhës “Rrezet e lirisë”, poezitë e së cilës i ka konceptuar dhe ndarë në 6 cikle:

1. Cikël poezish për jetën; 2. Cikël poezish për Shegëzën; 3. Cikël poezish peisazhiste; 4. Cikël poezish atdhetare, 5. Cikël poezish të ndryshme, dhe
6. Cikël poezish humoristike, satirike, ironike.

Ky poet jeton, mediton dhe krijon në  hapësirë e kohë, prandaj këtë binom do ta shfrytëzojë si strumbullar tematiko-motivor për poezitë e tij. Ai porosit që ta shfrytëzojmë kohën për punë të mira dhe të dobishme, sepse ajo ikën shpejt:

Shpejt ikë koha E s’vërehet Dhe, po deshe Prapa s’kthehet (poezia Koha)
Sikurse edhe në vëllimet e mëhershme poetike, poashtu edhe në vëllimin “Rrezet e lirisë”, autori Hajdin H. Krasniqi do të trajtojë motive e tema të ndryshme.
Në shumë poezi do ta hasim motivin e vendlindjes, që bashkë me motivin atdhetar do të jenë dominantë,  për  faktin  që  poeti Krasniqi lajtmotiv të poezive të tij e ka vendlindjen dhe atdheun. Në këtë vëllim do të hasim plot krijime të tilla, siç janë poezitë: Te Shegëza, Lisat e Shegëzës, Lisi plak, Panoramë Shegëze, Në Shegëz, Lisat e Llugës, Shegëza në vjeshtë, Lama e Miellit, Varret e Muhaxherëve, Mitrovica ime etj.
Siç kemi thënë edhe një herë tjetër, imazhi për vendlindjen (Shegëzën) dhe për njerëzit e saj shprehet mjaft qartë te poezitë e motivit të vendlindjes, që është edhe lajmotiv i tërë përmbledhjes “Rrezt e lirisë” të poetit Hajdin H. Krasniqi. Duke i lexuar pezitë me këtë motiv (vendlindjen) na bëhet se rikthehemi në kohën e një jete, ku secili prej nesh do të gjejë në njëfarë mënyre vetveten. Do ta hasim pra edhe motivin atdhetar (poezitë: Kjo është toka jonë, Kosovës, Lirisë, Republikës, Rrezet e lirisë (siç titullohet edhe përmbledhja në fjalë), Ti, Serbi, Pse harrove?!, Mitrovica e ndarë, E heq çallmën, e qes plisin (dedikuar hoxhës Fatmir Latifajt) e ndonjë tjetër); poezinë peisazhiste (poezitë: Unë jam pranvera, Vera, Shi vere, Thirrje motrës, Po vjen vjeshta, vjeshta etj.); motivi i mërgimit (te poezitë Udhëtimi i fundit për në atdhe (me nota tragjike), Mërgimtarët, Ndalne ikjen etj.
Edhe portretin e nënës poeti Hajdin H. Krasniqi do ta ravijëzojë me kujdes e dashuri në disa poezi të kësaj përmbledhjeje (poezitë Malli i nënës, Nëna, Shamia e nënës), si dhe të motrës (poezia Jetë mashtruese, me nota të theksuara elegjiake).
Edhe te poezitë satirike (ironike, humoristike, ironike) poeti Hajdin H. Krasniqi, do të përdor thumbimin e fishkullimin me fjalën artistike, me të cilën do t’i godasë njerëzit me vese, si smirëzinjtë, xhelozët (te poezia As më thua?!); kriminelët (te poezitë Padrejtësia, Kriminelët); të mbrapshtit (te poezitë Kthimi dhe Kujdes); mashtruesit (te poezitë Mashtruesit dhe Mashtrimi); shkelësit e fjalës e besës (te poezia Fjalë e besë); dyftyrëshit a hipokritët (te poezia Dyfytyrëshi); destruktivët (te poezia Destruktivi); të luhatshmit (te poezia I luhatshmi); të marrët (te poezia I marri); matrapazët (te poezia Matrapazi) etj. Po ashtu autori Krasniqi do t’i fshikullojë edhe egoizmin (te poezia Egoizmi); poshtërsinë (te poezia Këshillë); antivlerat (te poezia Ndërgjegjja); veset (te poezia Veset); mendjemadhësinë (te poezia Mendjemadhit) etj., që dhe do t’i ironizojë e satirizojë pamëshirshëm, ashtu siç di ai me penën e tij majeprehtë.

Kemi thënë edhe më herët se poeti Hajdin H. Hajdini, sidomos te poezitë satirike-humoristike bën shpalosjen  e  përbrendshme të njeriut si karakter, me virtytet apo veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia; grindja, përçarja, tardhëtia, hipokrizia, kopracia, smirëzia etj.

Edhe njerëzit me vese autori i ironizon dhe i satirizon (siç është veç tjerash edhe figura jonë politike Edi Rama), që si karakter ka pësuar rënie dhe jo ngritje, prandaj mllefi i poetit Krasniqi shpërthen edhe ndaj tij.

Pjesa dërrmuese e poezive të vëllimit “Rrezet e lirisë” kanë strukturë strofike katërvargëshe (katrenë) me rima mjaft strikte. Por hasim edhe ca poezi të parimuara dhe pa metër të caktuar ndërtimi. Kryesisht kemi vargje 4-6-8 rrokëshe.

Krejt në fund: Siç kemi konstatuar disa vite më parë, e përmendim prapë se Hajdin H. Krasniqi është poet lirik, por lirizmi i tij karakterizohet edhe me tone satiriko-humoristike. Poezitë e tij janë tejet interesante, qoftë për figuracion, për fjalor të përdorur, për gjuhë të pastër, për ide, motive, tematika e çështje. Në poezinë e tij hasim nuanca të muzës së popullit (te satirika). Ngase poeti ndërton vargje me rima, s’do mend se vargu i tij prandaj është edhe muzikal dhe ka një fuqi të brendshme që e dëgjojmë me ëndje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat