Një vështrim rreth vëllimit poetik “Biografia ime e pa shkruar” e poetit Agim Desku

Kultura

Një vështrim rreth vëllimit poetik “Biografia ime e pa shkruar” e poetit Agim Desku

Nga: Mehmet Rrema Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 18:48
Mehmet Rrema

Poezia ky art i bukur, i cili lindi bashkë me artikulimin e tingujve dhe fjalëve, qyshkur njerëzit nisën të komunikojnë me njëri tjetrin. Aty lindi mendimi, lindën joshjet e dora dorës me përsosmërinë e artikulimit të gjuhës, lindjen e fjalëve, nisi dhe kërkimi i fjalëve të bukura, të cilat dhe pse nuk kishin formën e poezisë, kërkonin të shprehin me tinguj dhe fjalë të bukura ndjenjat, të cilat buronin në çast, apo ishin fryt i një përvoje të gjatë i njohjes së ambienti shoqëror ku jetonin

Poezi ky art i bukur, ka në vetvete atë shkopin magjik që të nxjerrë dhe të ndryshon gjendjen shpirtërore. Ndërsa kompozitori loz me notat, piktori me ngjyrat, poeti loz me tingujt dhe fjalët. I merr ato fjalë, i zgjedh, i vendos në vendin dhe kohën e duhur. Në këtë mënyrë ai na krijon figura, të bukura, të cilat na mahnitin, na krijojnë një gjendje krejt ndryshe. Duke lexuar një, poezi, menjëherë hyn në atë botë, të cilën poeti me pak fjalë ka krijuar panorama të bukura, ku lexuesi ndjehet sikur jeton në atë mjedis.

Kështu, poezia kthehet në një qenie e cila flet, e flet bukur, ëmbël, rrjedhshëm, tingëllon, të emocionon, të mëson të qash, të qeshësh, të këndosh, të kthehet në një mësues të përkushtuar.

Poezia e Agim Deskut mund të quhet poezi patriotike, sepse në thelbin e saj tema e patriotizmi zë vendin kryesor. Duke udhëtuar nëpër histori, që në Durrësin e Agronit, Teutës, ….shkon te Gjergj Elez Alia, atje ku ai del në log mejdani me bajlozin, apo në historinë më të re tek Kastrioti apo tek lufta e madhe në Prekaz e mbarë Kosovën. Udhëton poeti ynë nga Çamëria në Tivar, nga Durrësi në Preshevë, dhe shikon gjymtyrët e këputura të atdheut dhe me të drejtë thotë:

I mahnitshëm! Fjalë të zgjedhura, kuptime, mesazhe dhe emocione, harmoni, ritëm, ëmbëlsi, ashpërsi, gjithçka të bukur gjen në këtë vëllim. Duke lexuar këtë vëllim, të duket se fluturon herë mbi re, herë nëpër re dhe herë rrafsh me tokën. Pamjet alternohen me shpejtësi si fragmentet e një filmi me xhirim të shpejtuar. Ndodh kështu sepse poeti ynë ka shumë për të thënë e për të treguar, aq shumë sa do të duheshin shekuj. Ndoshta një nga arsyet që poeti është shume i kursyer në fjalë, por aspak në mendime. Vargjet e tij nëpërmes metaforave të fuqishme flasin shumë, ashtu diç flisnin dikur burrat në odat tyre. Ka shumë poeti për të thënë, sepse historia jonë është e mbushur me ngjarje madhore. Ka për të treguar për këtë popull i cili në shekuj ka vuajtur, ndoshta më shumë se kushdo popull, pasi duke qenë i rrethuar nga komshinj dashakeqi një, iu ka dashur të mos e ndërpresë luftën për liri e pavarësi. Nuk ka pasur kohë ky populli ynë ta mbështesë kokën në jastëk për të pushuar, sepse pas gardhi i kanë qëndruar armiqtë. Ndoshta, nga kjo ka ardhur dhe një traditë që dasma nuk ndalohet as në ditë zie, as në ditë gjëme, nuk pushon kënga, apo shprehja popullore shumë domethënëse se trimat nuk vajtohen, por u ngrihen këngë. U ngrihen këngë këndohen dhe nuk vajtohen ata që japin jetën për të mbrojtur atdheun, atë atdhe që

-"Për dheun e tokës

Që ma vjedhin

Çdo ditë nga një hap

Ku s'ka ku të shkel më

Këmba ime "-

Çdo ditë më vjedhin një copë tokë, thotë poeti. Kështu ka ndodhur. Vendi ynë është copëtuar në shekuj. Ndërsa ditën bëhej luftë, natën, nëpër gjirizet e errët bëheshin plane e dredhi për copëtimin e këtij vendi të vogël gjeografikisht, por të madh historikisht. Ky vend i cili ka nxjerrë perandorë, mbretër papë, nobelistë, është kthyer në shesh betejë për mbrojtjen e ekzistencës.

Çdo ditë më kanë vjedhur nga një hap, ku nuk ka shkelur më këmba ime. Kështu ka ndodhur në historinë e lashtë kështu në historinë e re, e kjo, për fat të keq, me dredhi e dreqni, vazhdon dhe në ditët e sotme, kur paturpësisht, kundër çdo arsyeje, për t'i dhënë në një farë mënyre të drejtën e lëvizjes popullit të Kosovës, i kërkohet të lëshojë një copë tokë….

Nuk kanë pushuar së kafshuar trupin e Arbërisë, e nga ana tjetër, bijve të saj iu ka dashur të qëndrojnë gjithmonë nesërmen mbushur nën kokë, të gatshëm për të derdhur dhe gjakun për këto troje.

-"Nga bota e universit zbresin yjet orë e çast

Për të ma shkruar biografinë e pashkruar"-

Është shkruar kjo historia jonë me grykën e pushkës, duke e ngjyer penën në ngjyrë gjaku, aq sa bijtë martir janë kaq shumë sa yjet në qiell. Nga këtu vjen thirrja e fuqishme prej prometheu e poetit Agim Deskut

-"Luftëtare me ju ba atdheut borxh ia ke"-

Kjo thirrje, buron fuqishëm nga zemra e një poeti, e një poeti i cili, me muzën e tij, ashtu siç bën bleta që shkon lule më lule, edhe ai ka kaluat në çdo qelizë të atdheut, ka njohur dhimbjet dhe gëzimet e tij, ka jetuar fuqishëm bashkë me ato, dhe duke i njohur kaq mirë si pakkush, kur udhëton nëpër histori, shikon sa përpjekje iu ka dashur atdheut për të mbijetuar, me bindje të plotë se vetëm me luftë ky komb ka mundur t'u bëjë ballë kohërave dhe vampirëve, që sillen nëpër errësirën e thellë të urrejtjes dhe smirës, prandaj lëshon zërin: Me ju bërë luftëtar atdheut e kemi borxh!

Në këtë kontekst, në poezinë e mëposhtme poeti duket dikur e përforcon e përligj, thirrjen e më sipërme, duke na dhëne shembuj konkret sesi shqiptarit iu ka dashur të çajë rrugën e historisë me pushkë në dorë, duke u përballur me armiq të egër, të pamëshirshëm e dhjetëra herë më të shumtë në numër dhe në armatime. Autori na përmend Zjarret e Prekazit, aty ku lufta qe më mizore, aty ku shpesh morën udhë luftërat për liri. Prekazi, ne historinë e tij, mban gjallë ndjenjën dhe shpresën për liri

-"Zjarret e Prekazit sërish na ringjallën "-

Prekazi është kthyer në pishtar, në udhërrëfyes që na demonstron se vetëm me armë fitohet liria.

-"Eci nën dritën e qirinjve Natën e Zjarreve

Prekazi na i rikthej legjendat e burrnisë"-

Ec nën dritën Prekazin e për të mos harruar amanetin e të rënëve për liri, për të mos harruar amanetin e tokës, e cila nuk duron më çizme barbare.

Poeti i drejtohet atyre barbarëve, të cilët më në fund morën bishtin zvarrë e dalin e hungërijnë mbas gardhit.

Ju besoni në Krisht, nëse vërtetë besoni, edhe pse nuk më bindni, sepse ajo që bëni, është larg fjalës së shenjtë. Unë besoj në Zotin tim Diell, i cili është aty qysh se u krijua bota, dhe unë jam këtu para se Krishti të ngjitet në qiell. Ju erdhët këtu, herë si çoban herë si druvarë, kërkuat një strehë dhe unë derën ua hapa sepse etërit e mi ma kishin lënë trashëgim bujarinë e mirësinë. Jam pasardhës i pellazgëve që fati ua caktoi këtë vend, pa i hyrë askujt në hise.

Pellazg jam

Bashkë me tokën

Ma larg se Krishti

I kam rrënjët e mia

Ndërsa ju, ju vini të më hyni në hisen time. Vini. Vetëm se kur më erdhët si lypës, u jam gjendur me bujarinë, virtyt i popullit tim. Ju që dhe flisni për drejtësi hyjnore, ju që gjoja shkoni në vendet e kultit për t'u lutur. Për çfarë luteni dhe kujt i luteni? Me këtë poezi, poeti Agim Desku, u drejtohet pushtuesve të të gjithë kohërave, por në veçanti atyre turko sllav të cilët historikisht kanë qenë në të keqen e shqiptarit.

Në poezinë tjetër, pasi ka folur shumë për luftën dhe luftëtarët, pasi ka folur për Prekazin e historisë dhe burrat e tij, poeti shikon atë, të cilën e duan gjithë poetët e botës, e duan gjithë njerëzit e mirë të botës, dritën dritën e lirisë, prandaj vjen me vargjet

-"Çele dritaren

Shih rrezet e diellit

Se si jetojnë zogjtë "-

Shiko rrezet e diellit Kosovë, shiko se erdhi Liria, shiko fytyrat e qeshura, të qeshura, se më në fund liria erdhi, erdhi sepse qenë bijtë më të mirë që nuk kursyen as jetën për këtë ditë. Tani gëzojuni lirisë!

Por poeti Agim Desku, nuk rrin pa vënë në dukje dhe fenomenet negative të cilat kanë shoqëruar gjithë historinë.

-"Sikur të mos ekzistonte njeriu

Nuk do të dinim fare për gënjeshtrën"-

Në këto vargje poeti ynë flet për këtë ves, i cili vjen nga korridoret e errtë udhëtuar qysh në historinë e lashtë dhe vjen duke u trashur, derisa në ditët tona, kthehet në

Ë një tjetër poezi, poeti shfaqet disi i zhgënjyer. I zhgënjyer sepse, ndryshe e pat ëndërruar vendin pas lufte. Pat menduar se me mbarimin e luftës në të dy anët do të vinte zhvillimi, prosperiteti. Pat menduar se shqiptarët më në fund do të ishin zotë të plotë të trojeve të tyre dhe do të jetonin në paqe me njeri tjetrin. Më të bashkuar, më të fortë, në miqësi me të tjerët

-"Pas lufte kam mendue

Në një Shqipëri të bekuar"-

Por për fat jo të mirë diçka apo shumëçka. Nuk shkoi siç e ëndërronte ai. Nuk shkoi dhe nuk shkon as në ditët e sotme. Ndoshta dot jemi më të ndarë se kurrë dhe kjo e prek shumë shpirtin e poetit.

Poeti herë pas here shfaq ndjenjat e tij të pastra kur dalë diku në ballkonin e kullës, në një ditë të bukur, nga të rrallat e janarit, i cili më shumë dhuron akull e furtunë, duket se hap krahët drejtë horizontit, duke iu falur qiellit, i cili pikërisht në janar, i ka dhuruar poetit lumturi të pa skajshme, tri mbesat e tij të bukura. Poeti, kur flet pëe janarin, nuk ka asgjë me natyrën. Ai me elegancë dhe thjeshtësi thotë se gjate gjithë historisë tonë, armiqtë e betuar të vendit tonë, janë përpjekur të na ngrijnë shpirtin dhe shpresat. Ngrica më e madhe që na ka djergur shpirtin ka qenë ajo kur na ndanë me njëri tjetrin, e këtë nuk e bëjnë janarët e natyrës, janë armiqtë që kanë derdhur akull e ngricë mbi ne

-"E di se çfarë na shtruan në sofër

Historinë e ndarjes së vëllait me vëlla

Dimrat na i bënë të acartë që ngrijnë "-

Na ndanë, na vunë kufij, piramida e tela, na mbyllen dyert e njëri tjetrit e në zemra na trashën akullin. Shumë u munduan, na burgosën, vranë pranë, na syrgjynosën, por asnjëherë nuk e ndryshuan shpirtin e shqiptarit, i cili mbeti i bashkuar, ëndërroi dhe ëndërron për bashkimin. Poeti e do natyrën. E do dimrin dimër dhe verën verë, të katër stinët ashtu diç i ka lindur natyra dhe jo siç na i kanë sjellë ata që të zezë kanë lypur gjithmonë për ne...

"Det vargu u bëra edhe në gjumë" thotë poeti në një tjetër vend kur i këndon poezisë, së cilës ja ka përkushtuar gjithë talentin e tij. Shkruan poeti sepse atë ka zgjedhur si armë për t'i dalë zot vendit. Asnjë armë tjetër nuk e ka forcën dhe elegancën e artit. Asnjë komb nuk ka mundur të shkojë drejtë zhvillimit pa dije, pa art shkencë dhe kulturën, prandaj poeti e thotë me krenari se u bë det vargu.

Me çfarë respekti dhe vlerësimi, me çfarë nderimi poeti i kombit tonë Agim Desku flet për të madhin Naim, gjithë rilindësve të tjerë dhe brezit të mëvonshëm

Falë punës së tyre, në ditët më të errtë të saj, në atë kohë, kur gjuha jonë sulmohej nga të katër anët dhe e kërcënonte zhdukja, korifenjtë e gjuhës, një ndër të cilët ishte Naimi të cilit poeti ynë i drejtohet me këto vargje

"Më ke ndrit errësirën të shkruaj

Ma ke ndez flakën në mua Naim"

Askurrë nuk iu ndanë kafshimet nga të gjitha anët, kombit tonë, nuk iu ndanë ngricat dhe akujt, sidomos ata të ardhur me murrlanin e zi nga veriu, të cilave, në shekullin shqiptar, Desku thotë me zë të lartë dhe të qartë

-"Harron veriu

se i bëjmë ballë çdo acari

Edhe po të jetë dimër i gjallë "-

Harron se tashmë edhe për shqiptarin ka lindur dita e re, e bukur e ndritshme dhe e lumtur, ku tashmë do të jetojnë të qetë dhe të lirë.

Çështja e lirisë për shqiptarin ka qenë çështja më jetike, e cila e ka shoqëruar popullin tonë në shekuj e breza. Kështu poeti udhëton në shekuj, duke inspektuar përpjekjet e popullit tonë për liri, udhëton më histori dhe legjenda, takon atje Rozafën, Teutën , Gjergjët, Ademin, dhe shikon se gjithmonë populli ynë ka dalë fitimtar, kur ka qenë i bashkuar dhe ka mbajtur besën e dhënë.

"E desha të vërtetën e jetës

Të marr me vete uratën e Durrahut

T'i shpëtoj ferrit të Dantes

I lirë të jetoj në lutjet e pagëzimit"

Dhe më poshtë ai me krenari shqiptari dhe urtësi dijetari, kur është fjala për luftën me pushtuesit shprehet :

-"Ç'ma hedhen syve kohën e djajve

Ajo që kurrë nuk ishte koha ime "-

Ajo qe koha juaj e juaja djaj e vampirë sepse ju vetëm ju mund të jetoni në errësirë, bijtë e të cilës jeni ju. Ajo kohë nuk është kohë. Merreni dhe ikni, ikni sa më larg, ikni deri në greminat e harrimit. Merrni nëse keni Zot, dhe mercenarët tuaj se nuk dua të shikoj më gjak. Nuk dua të shikoj më të vrarë askund se mjaft ma kanë copëtuar shpirtin.

-"Vrasjet pas luftërave ma copëtuan lirinë"-

Është e rëndë vrasja, por vrasja më e rëndë është mohimi i të drejtës. Poeti shpresonte se pas luftë, shumë çështje të kombit tonë do të zgjidheshin bazuar në drejtësi, por nuk ndodhi tamam ashtu. Vampirët ikën, por luftën e tyre kundër kombit tonë nuk e pushuan. Vazhdojnë me forma të tjera

-"E di se kohërat sjellin edhe ndyrësira

Por me këta Apokalipse as djajtë s'merren

Tru shpërlarë e mbeturina të korbave të zi

Tërë natën në errësirë rrinë deri në agim t'ri"-

Në faqet e historisë dalin "ndyrësira “të cilat në mënyrë të hapur apo të sofistikuar bashkëpunojnë me armikun shekullor në dëm të kombit. Me këto, thotë poeti as djaj nuk merren. Me këtë ua ka lënë në dorë vetë vampirëve

Dhe vazhdon më poshtë

-"Sa vështirë t'i qëndrosh jetës pa plagë atdheu."-

Dhe më poshtë me krenari vazhdon

-"Më në fund edhe na krijuam zotna tanë"-

Se vërtet më në fund, edhe për kombin tonë erdhi dita, kaq shumë e pritur, kaq shumë e lypur, kaq gjak i derdhur për t'ia hapur rrugën kësaj dite, sepse ditët e bukura tek ne, nuk ardhkan pa ua shtuar rrugën me tapetin e kuq. ...

"Tradhtitë kurrë nuk janë fal

Kanë një ferr të përbashkët

Historia ka dy anë të medaljes."

E koha erdhi, erdhi duke kaluar mbi çdo pengesë e pritë, duke çarë çdo mur, duke kaluar shpesh mbi skeletet e ndyra të tradhtisë, të urrejtjes, duke lëshuar mbi ato llavën e vërtetë të mos durimit, duke i pastruar si plehra të ndyta. Historia ka dy anë të medaljes, ka heroizmin dhe tradhtinë, të cilat janë në luftë të hapur njëra me tjetrën. Njëra mban dritën, tjetra errësirën.. Dhe populli, ashtu siç thotë poeti tek poezia " Shqip "ka mbajtur gjithnjë anën e ndritshme. Ai është lidhur me dritën me besa-besë, si mishi me thua, e ka quajtur fjalën e dhënë Zot mbi Zot e shenjt mbi shenjt. Ai iu ka falur durimit dhe shpresës dhe ka qëndruar gjithmonë larg urrejtjes. Edhe në ditët më të vështira, kur popullit tonë i kërcënohej vërtetë ekzistenca, nuk ka ditur dhe nuk ka dashur të urrejë

"Sa të shenjtë e kemi besën

Edhe nëse kurrë nuk flasim

S'dimë të urrejmë

Më mirë të dashurohet shqip."

Ai ka mbajtur gjithnjë anën e të bukurës. Më mirë të dashurosh shqip, thotë poeti se vetëm dashuria mund të sjellë dritë. ..

Poeti, ky njohës i përsosur i çdo qelize të atdheut, është i ndjeshëm dhe ngre zërin para cilitdo, që kryen padrejtësi. Ai mbi të drejtën nuk ven asgjë. Nuk dorëzohet

Shqiptar me brezat e mi më kanë lenë

Do t'i mund korbat e tu Alan Po.

Thotë në një poezi duke personifikuar "korbat" e Alan Poe me vampirët e errësirës ballkanike

Agim Desku në vëllimin poetik "BIOGRAFIA IME E PASHKRUAR" përdor vargun e lirë

Ky libër, ashtu si gjithë universi poetik i Agim Deskut dallohet nga emocionet e shumta që përcjell, nga gjuha e zgjedhur, ritmi i saj i veçantë dhe mbi të gjitha atmosfera reale që herë duket se ndodh pikërisht para syve tuaj, ndërsa ti je duke lexuar një poezi të Deskut, e bën këtë libër voluminoz, të duket sikur është një poezi e vetme

Lulishtja e tij poetike është shumë e larmishme dhe e bukur. Kur shëtisim nëpër këtë lulishte ne herë gjendemi në veri, herë në jug, në lindje një herë a më vonë në perëndim. Gjendemi papritur shekuj më parë, aty ku vringëllojnë shpatat, apo në kancelari të ku thuren intriga, e, një herë tjetër gjendemi duke soditur një ditë të bukur ku shijojmë më në fund dielli e lirisë.

I gjithë vëllimi përshkohet nga një strukturë mjeshtërore me një gjuhë metaforash të pasura, të cilat zbukurojnë, e në të njëjtën kohë i japin forcë

Shpesh herë poeti ligjëron në veten, duke marrë rolin e prezantimit të kësaj bote, pa i shmangur nga qëndrimi i tij parimor e atdhedashës. Ndoshta është nga më të paktët që me kaq zjarr e dashuri i ke kënduar atdheut në gjithë hapësirën e tij etnike, historike dhe sociale

Ky vëllim do të jetë një pasuri për opusin poetik të poetit një dhuratë e çmuar për çdo lexues që do ta ketë në bibliotekën e tij dhe një vlerë e shtuar në thesarin e poezisë shqipe

Urime dhe të tjera suksese poeti ynë Agim Desku

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat