Vështrim për poezinë e poetes Xheni Koka-Vrapi

Kultura

Vështrim për poezinë e poetes Xheni Koka-Vrapi

Nga: Zymer Mehani Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 16:47
Libri

Këto ditë, letërsia jonë u pasurua edhe me një përmbledhje poetike me vjersha lirike të poetes Xheni Koka-Vrapi. Pra, është fjala për përmbledhjen poetike “Të përqafuar”, që është libri i parë i saj. Xheni Koka-Vrapi është autore poezish, që shquhet me talentin dhe stilin e të shkruarit, duke bërë përpjekje për t’u dhënë poezive të veta përmbajtje dhe formë. Për këtë autore, poezia është ndërmjetësuese mes saj dhe aktualitetit, por edhe ngjarjeve shoqërore e dukurive që ndodhin në shoqëri.

Poezia e kësaj autoreje, mendojmë se ngërthen edhe diçka që e tejkalon edhe kohën dhe është e amshueshme, e pikërisht kjo është përjetësia, duke mbetur prore aktuale, ngase përmes vargjeve ajo flet mbi ndryshimet individuale, familjare dhe mbarënjerëzore. Në strukturë të poezive të poetes Xheni Koka-Vrapi inkuadrohen edhe mjaft elemente të figuracionit poetik, që luajnë rol meditativ e artistik. Po ashtu, në këto poezi gjejmë edhe mjaft simbole e metafora të bukura. Duke e lexuar poezinë e poetes Xheni Koka-Vrapi, mësojmë se gjatë realizimit të vet poetik e artistik, ajo është ngritur gradualisht, si përnga sasia, ashtu edhe përnga cilësia, duke e pasuruar gjithnjë opusin e saj poetik.

Përmbledhja poetike “Të përqafuar” e poetes Xheni Koka - Vrapi më dha shkas për të shfaqur disa mendime për atë që shpreh dhe përmban poezia e kësaj autoreje. Për faktin se autorja veç sa ka nisur të botojë poezitë e veta, dhe meqë më parë nuk kemi pasur rast qëtë shfletojmë diçka nga autorësia e saj, vlerësimi ynë për artin poetik të saj do të jetë relativisht i saktë, sepse nuk e kemi mbështetur në një kriter të nivelizuar, ngase këtë e pengojnë shkaqet objektive.

Vëllimi poetik “Të përqafuar” në të vërtetë është dëshmi e ekzistimit të indit poetik të poetes Xheni Koka-Vrapi, që është në zhvillim e sipër. Nga poezia e kësaj poeteje kemi gjetur tërë atë që është e natyrshme: shpirtin e dëlirë, butësinë dhe madhështinë, të mbështjellur me dashuri të sinqertë dhe me mall e dhembshuri për njeriun, qoftë prind, vëlla, motër, bijë, apo edhe të dashur.

Poezinë e poetes Xheni Koka-Vrapi e pranojmë dhe e kuptojmë si ndjenjë dhe mbresë të raporteve të përditshme jetësore, por edhe si funksion ndjenjash në të përjetuarit e jetës shpirtërore. Prandaj poezinë e kësaj autoreje do ta quajmë krijim më suptil dhe ndjenjë, madje edhe kur është fryt i ndjenjave intime, të buta dhe i shtytjeve të brendshme. E tillë është dhe duhet të jetë poezia e mirëfilltë, shprehëse e mendimeve për problemet dhe preokupimet e drejtpërdrejta, të thurura me gjuhën e fantazisë dhe të sensit krijues.

Në poezinë e poetes Xheni Koka-Vrapi dominon motivi i dashurisë në kuptimin e gjerë të fjalës. Ky motiv trajtohet i shoqëruar përherë me brenga dhe halle, kundërshtime e pajtime, luftë kundër veseve, siç janë gënjeshtra, mashtrimi, pabesia etj. etj. Kur mbërrijmë deri te poezia e fundit e përmbledhjes poetike “Të përqafuar” të autores Xheni Koka-Vrapi, për një çast do të ndalemi në njëfarë mëdyshjeje, ngase përmbledhja do të na sjellpërjetimin e vlerave poetike dhe freskisë së motiveve, siç janë dashuria, atdhedashuria, malli për prindërit, dashuria ndaj fëmijës, ndjenja e miqësisë së sinqertë etj., por njëkohësisht do të na lërë përshtypje edhe me përdorimin me sukses të figuracionit poetik.

Gjuha dhe fjalori i përdorur nga autorja Xheni Koka-Vrapi është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Po ashtu ajo ka ndërtuar strofa të ndryshme, por më të dendurat janë katrena (katërvargëshi), tercina (trevargëshi) e distiku (dyvargëshi), por ka përdorur edhe tipin e vargjeve në kolonë. Pretendimet e poetes në këtë vëllim nuk hetohen, pasi që nuk janë aq të mëdha, për shkak se ajo është ndalur te bota e ndjenjave të veta subjektive dhe me to, kryesisht i ka përshkuar të gjitha poezitë e veta.

Prandaj është edhe konstatimi ynë se autorja poezitë e veta i ka stolisur me ngjyrime individuale. Kjo gjeturi dhe modesti, autores i ka ndihmuar shumë dhe ka bërë që përmbledhja e saj të shquhet në mënyrë edhe më impresive. Jemi krejt të sigurt se lexuesi do ta lexojë me ëndje poezinë e poetes Xheni Koka-Vrapi, ngase aty do të gjejë optimizëm, por edhe sentimentalizëm, mall edhe dhimbje, qëndresë edhe krenari. Pra në këto poezi do të gjejmë tërë ato ndjenja, për të cilat na paralajmëron edhe vetë titulli i përmbledhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat