A kemi zhvillim apo shfrytëzim të kulturës!?

Kultura

A kemi zhvillim apo shfrytëzim të kulturës!?

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 11:41
Ilustrim

A ka respekt më të madh se sa kur të tjerët në botë të njohin dhe të vlerësojnë si komb që angazhohet, kontribuon, investon pareshtur në ngritjen e strukturës organizuese të kulturës kombëtare! Antropologjia kulturore, sipas hulumtimeve strukturaliste të Levi Strausit, është bazament i fuqishëm që ndihmon për një qasje më të organizuar, më të strukturuar dhe më profesionale ndaj kulturës si shtyllë kryesore e identitetit kombëtar.

A i kuptojnë këto fenomene drejtuesit e dikastereve kulturore të qeverive tona kombëtare? Apo, për të qenë komb i kulturuar duhet të bazohemi në aktivitete të shumta që na bëjnë të njihemi si popull i shumë aktiviteteve kulturore! Natyrisht, të tjerët (bota) nga shqiptarët presin “katalog” origjinal të elementeve që përbëjnë identitetin kulturor dhe jo imitim, pasqyrim të kulturave të huaja, sa për të dëshmuar njohjet e gjëra e të thella të kulturave të huaja! Diversiteti kulturor nuk arrihet përmes kopjimeve, përvetësimeve dhe kombëtarëzimeve të elementeve të kulturave të huaja. Globalizimi nënkupton përafrim deri në qasje dhe prekje të vlerave botërore dhe jo vetëm njohje midis vete, bashkëjetesë dhe shkurtim të ndjeshëm të largësive! Me çfarë vlerash do të bashkëjetojmë si shqiptarë me popujt e tjerë nëse nuk kultivojmë vlera autoktone të shtresuara në thesarin tonë kulturor.

Politikat kulturore të qeverive tona, pse jo, mbarë shoqëria jonë shqiptare, duhet detyrimisht të orientohet kah struktura organizuese e kulturës kombëtare! Kultura jonë në vetvete duhet ta ketë qëllimin e ekzistencës, por edhe funksionalitetin e vet që shkon përtej kornizave ekzistencialiste! Këto ditë u publikua një tezë e prof. Blerim Latifit, i cili, nisur nga një konstatim i tij subjektiv, thotë: “Shqiptarët e Maqedonisë janë duke u zhvendosur në universin kulturor të botës arabe”! (Ç’të keqe paska “universi kulturor i botës arabe”?!) Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë Kosovën, kanë Shqipërinë, kanë identitetin e tyre kombëtar dhe, mbi të gjitha, e kanë të përbashkët një thesar “gjigant” kulturor si garanci jetike që e çelikos trungun e vetëm të identitetin kombëtar. Së këndejmi, nuk mund të flitet as për “komb religjioz” e as për rrëshqitje drejt ”botës arabe”, por mund të flitet vetëm për një sjellje nonshalante të “snobëve kulturorë”, të cilët janë në “epokën” e tyre të drejtimit me jetën kulturore. Aktualisht kemi një përpjekje amatore, madje edhe diletanteske, për të bërë “kulturë moderne”, e cila pa dyshim që nuk do të konsumohet nga asnjë ekspert dhe as nga ”vëzhgues kulturorë”. Në të ardhmen, e tërë kjo situatë aktuale mbase do të kundrohet si një “sjellje e droguar”, e cila asgjë nuk ka të bëjë me kulturën origjinale shqiptare dhe që, si e tillë, nuk mund të zë qoftë edhe ”folderin” më të papërfillshëm në thesarin kulturor kombëtar!

Sot, ndër ne, nuk bëhet kulturë, sot nuk ka zhvillim të kulturës, sot ka vetëm shfrytëzim të kulturës për interesa meskine të matrapazëve, të cilët, ja që për fatin e keq të kulturës, ia kanë dalë që të rreshtohen në hierarkinë e strukturave partiake si dhe në ato udhëheqëse shtetërore! Kjo strukturë drejtuese e “kulturave tona” sot nuk di as të eliminojë masa tumorale dhe miomë nga trungu i identitetit tonë kulturor, por as nuk di si ta zhvillojnë shëndetshëm këtë trung! Ekspertë ka dhe ekspertët gjithnjë thirren dhe tubohen kur situata shëndetësore komplikohet deri një hap larg varrit! Ekspertët e kulturës e dinë që nuk mund të ketë kornizë ligjore pa mbështetjen në thesarin e bujshëm kulturor, nuk mund të ketë zhvillim kulturor pa interpretim autentik dhe profesional mbi fenomenet kulturore dhe nuk mund të ketë avancim të jetës kulturore pa boshtin kodifikues që do të ishte shtyllë e strukturës organizuese të kulturës! Kultura është një “detyrë matematikore”, rezultati i së cilës do të dihet pasi të zhvillohet deri në fund të jetës! Kjo “detyrë” është vetë kuptimi i vetë jetës! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat