Mërgata lirike e një poeti të jashtëzakonshëm

Kultura

Mërgata lirike e një poeti të jashtëzakonshëm

Nga: Baki Ymeri Më: 4 janar 2022 Në ora: 12:22
Foto e kopertines së librit

Një vëllim i ri krijon gjithmonë burimin e një lumturie të madhe. Ai përfaqëson çastet më intime që i ka përjetuar autori, rrëfimet më të thella dhe mendimet më të larta të tij. “Mos prit të të jepet diçka prap, mo sprit të të njihet mundi, të të zbulohet gjeniu, të të kuptohet dashuria! Mbylli disa etapa! Jo nga mburrja, nga pamundësia apo krenaria. Mbylle derën, ktheje diskun, fshije pluhurin dhe pastroje shtëpinë! Mos mendo më se kush ishe, por shndërrohu në atë që je!”, thekson Paulo Coelho në njërën nga veprat e tij. Nuk na merr, ndërkaq, shumë kohë, të kuptojmë se kush është Kadrush Radogoshi: një shpirt i mbushur me dashuri, që ia ka dhurruar dashurinë të afërmve dhe atdheut të tij, kaq shumë i përbujshëm dhe kaq shumë i përçarë.

Poezia është çelësi i universit, shprehja e bukurisë, e lirisë dhe e mrekullisë. Kadrush Radogoshi vjen në një festërim të erëtimës së fjalëve të gërshetuara me dashuri dhe sentimente tjera të zgjedhura. Fjalët janë ilaç i mirë për shpirtin dhe ushqim i mirë për ndjenjat. Shpirti i fjalëve nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekstet e këtilla lirike që përfaqësojnë shpirtin shqiptar të një poeti të jashtëzakonshëm. Kadrush Radogoshi është një poet i mirëfilltë, një zë i sinqertë që synon të zgjojë kureshtjen tek lexuesit dhe admiruesit. Tekstet e tij janë të këndshme, mbresëlënëse dhe magjepsëse. Diskursi lirik është modern dhe i drejtpërdrejtë. Një univers hijesh të heshtura me këmbana të dhimbjes, me mallin e emigrantit dhe sprovat e jetës, si dhe me periskopin e sugjerimit që noton në sipërfaqe. Një mister i ndjenjave të mëndafshta të butësisë janë cilësitë që dalin nga të gjitha vargjet e autorit, një shpërndarje spontane ngjyrash dhe tingujsh, një këngë e qartë, e pastër si vesa, si loti i reve, si dëbora e parë që e mbron grurin.

Poezitë e Kadrushit janë një art meditues i relaksuar, një kinema e vogël lirike që përpunon dhe pasqyron realen. Është detyra e çdo poezie të bëjë punën e saj të lindjes. Kjo fytyrë (maskë) e re e reales, është dëshira e autorit për utopi, nga e dukshmja në të padukshme, nga trupi në shpirt. Është një opium, dhe poeti është arketipi, origjinali, dorëshkrimi dhe shkrimtari. Gjithçka është e gdhendur në gjakun e tij. Një lirikë transparente, që legjitimon aktin e krijimit si një akt përjetimi real dhe emocional, aspak i simuluar apo i falsifikuar. Një dëshmi e qartë se poezia është prona e autorit, e jona dhe e të gjithëve: Dhjetë mijë metra mbi tokë/ Mbi bashkët e bardha të reve/ Askush nuk ma zë diellin./ Në hapësirën e pafundme/ Zbrazësia më buzëqesh/ Me dhëmbët e saj akull. (Udhëtimi i parë i Orfeut)

Kjo lloj poezie do të na çojë te burimet e lirizmit, te lëvizjet e saj të brendshme, te pulsi i saj autentik. Kjo lirikë huazon të gjitha atributet e gjakut. Poezia është dashuria që rrjedh nga shpirti si një kaskadë ndjenjash e përhapur në faqet e bardha. Është malli që buron nga thellësia e zemrës dhe zjarri përvëlues. Ka disa rregulla të arta për një edukim të shëndetshëm dhe një jetë të ekuilibruar, pas së cilës lindin vepra të denja për t'u lexuar dhe admiruar. Gjatë gjithë evolucionit të tij historik, njeriu është lidhur me natyrën, me të cilën ka pasur lidhje komplekse, të pasqyruara padiskutim në të gjitha hipostazat e jetës së tij shpirtërore: Atje poshtë/ Mrekullisht e paskan luajtur lojën/ Toka e deti./ Herë toka i qenka futur detit në gji/ Herë deti qenka futur në gji të tokës.../ Toka dhe deti qenkan dashnorë të përjetshëm.../ Mund të jenë edhe armiq/ Kushedi!.../ Natyra paska mbajtur/ Një ligjëratë brilante të estetikës... (Udhëtimi i parë i Orfeut)

Poemat e Kadrushit nuk janë as telonovela, as shqetësime të shkruara, por ato janë një filozofi e jetës, mendime lirike dhe fisnike mbi një jetë të përbujshme kosovare, mërgimtare dhe atdhetare. Jeta në lirikën tij kaplon dimensione reale dhe emocionale. Poezitë e tij janë produkt i përpunuar i një mundi të sinqertë. Në to shpërthen një gurrë e kristaltë përjetimesh të mëdha shpirtërore, sidomos falë përvojës së një jete që e përshkojnë dallgët e shqetsimit dhe të lumturisë. Autori i këtyre vargjeve, ka arritur në një mënyrë kaq sublime, të gërshetojë nytyrshmërinë me ndjenjat e zjarta të atdhetarizmit dhe dashurisë, aq saqë disa tekste të tij shëmbëllejnë me një pikturë vlerash të veçanta artistike. Një vepër arti që vlen të lexohet faqe për faqe, sepse libri është një burim ujërash të bekuara, e jo një pemë që tenton t’ia lëmosh vetëm lëvoren, pa ia shijuar frytet.

Kadrush Radogoshi shpërnadan mesazhe të mirëfillta lirike, detaje jete, në të cilat trazohet bota njerëzore, nëpërmjet meditimeve të universit lirik. Në këto përbashkësi dhe bashkohësi ka gjurmëruar dhe fjala e bukur poetike shqiptare. Në themelet e modernitetit poetik, një kontribut meritor e ka dhënë emërmadhi, "babai" i romantizmit shqiptar, Naim Frashëri i cili u pasua nga një grup poetësh si: Zef Serembe, Gjergj Fishta, Ali Asllani, Asdreni, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja etj. Mbi themelet e këtij moderniteti poetik, në panteonin e letërsisë shqiptare, aktualisht militon edhe një grup i ri ku bëjnë pjesë: Kadrush Radogoshi, Neki Lulaj, Kolec Traboini, Sabile Keçmezi-Basha, Nexhat Rexha, Drita Nikoliqi Binaj, Arif Molliqi, Vitore Leka, Sabit Rrustemi, Hasan Qyqalla, Sadik Krasniqi, Miradie Maliqi, Remzi Basha, Sadije Aliti, Ajet Shala e tjerë. Ky grup poetësh bashkëkohorë po rikonstruktojnë godinën e modernitetit poetik autokton shqiptar me kodifikime të reja poetike, në sensin e risive universale të fjalës së bukur.

Çdo poezi e lexuar duket se është një hazard, respektivisht një ngjarje e papritur. Diçka që të mbush me shqetësim apo gëzim, një papritshmëri e bukur sa i përket formës. Kur vjen fjala për përmbajtjen, që i tejkalon pritjet tona, së bashku me domethënien, jemi të befasuar me shkrepje fjalësh direkte dhe simpliste. Para nesh kemi edhe një gamë shprehjesh elegante që i japin një domethënie më të thellë diskursit lirik. Në tekstet e tij, pos talentit dhe llojllojshmërisë së motiveve, del në pah edhe dashuria:

Dashuria paska qenë/ Zbuluesja e parë e zjarrit/ Më thotë shpirti yt/ I shndërruar në lot të qiellit/ I shndërruar në vesë/ Që bie mbi buzët e kujtimit/ Për t’i puthur... (Zbuluesja e parë e zjarrit)

Dhuntia e tij lirike gërshetohet me një kulturë dhe edukatë të shëndetshme, duke joshur kështu edhe vëmendjen e lexuesit të huaj ndaj një lënde poetike që mbahet mend. Kadrush Radogoshi dëshmon përmes vargjeve të tij të jetë një shërbestar besnik i penelit të shenjtë, duke i ofruar lexuesit bizhuteri kosovare mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi heshtjen dhe mosheshtjen, mbi një botë emocionesh të gjalla, duke patur, përndryshe, një qëndrim ferm ndaj jetës, me vargje prekëse, aktuale, dhe herëpashere të dhimbshme: Ti nuk po më beson Vetja ime Se në këtë lojë/ Shpirtin tënd shtalb/ Dhembja po e lë me barrë. /Syri i tretë po të vëzhgon/ Prapa skene/ Prapa koke/ Për t’i lexuar mendimet/ Porsa të lindin.../ (Dialogu i Orfeut me veten). Ka edhe shumë për të thënë për poemat që Kadrush Radogoshi na i vë në disponim, por tani ua lë juve të zbuloni valencat e shumëfishta të fjalëve të tij. Merrni si shembull duke medituar gjatë mbi këto vargje, ngase, siç thot Friedrich Nietzsche në librin “Tejmatanë mirësisë dhe ligësisë”: „Jo forca e ndjenjave të mëdha i bëjnë njerëzit të famshëm, por vitaliteti dhe jeta e tyre.

Lidhja e pazgjidhshme me natyrën, në format e ndryshme të shfaqjes dhe paraqitjes së saj, në të gjithë diversitetin e saj gjeografik dhe historik është materializuar në veprat e artistëve të konsumuar nga pasioni i krijimit të të gjitha kohërave. Natyra është tempulli në të cilin njeriu jeton, në të cilin ai hap shpirtin e tij, në të cilin lutet, dashuron, mediton dhe rimbush shpresat e tij. Nëpërmjet veprave të tyre, artistët përpiqen t'i kthejnë natyrës dritë, ngrohtësi, parfum, dashuri. Kadrush Radogoshi është poeti i natyrës që e di se lumturia është arti për të mos mbajtur asnjë kujtim të një gjëje të pakëndshme që ka ndodhur. Fjalët në ndërgjegjen e poetit janë një lloj hijesh të arta. Luajnë dhe elektronet pasqyrohen në vargje përmes temës dhe kallëzuesit: një lloj tingulli ekuivalent i materies, por edhe i kaluar nëpër ekranin e ndërgjegjes. Si objekt i letërsisë, ndjenja e natyrës evoluon në tre komponentë kryesorë: përshkrues, meditues me anën e saj nostalgjike dhe fantastike, që shpreh lirinë totale në krijim të veçantë për romantikët. Sytë dhe natyra është një lirë e madhe mbi të cilën këndon poeti: Mund të jenë si qielli, ku ditën rrezon dielli e fluturojnë zogj e flutura,/ që nuk njohin tela gjemborë, ndërsa natën ndriçojnë miliona yje me dritën/ e harmonisë së përjetshme e hëna, herë e plotë si fytyra e Euridikës, herë e re/ si vetull magjike mbi syrin e saj, para të cilit tretet si kripa në ujë syri i shëmtisë./ Mund të jenë të gjelbër si peizazhet e piktores pranverë me miliona lule / erëkëndshme, nëpër të cilat miliona bletë mbledhin nektarin për ta bërë/ mjaltin me të cilin ëmbëlsohen buzët e Euridikës, para se të bie vesa mbi to./ Sytë e dashurisë janë porta parajse, kodin sekret të hapjes e di vetëm/ Euridika. (Eseja e Orfeut për sytë)

Fjalët e poetit janë pluhur yjesh dhe dritë magjike që tregojnë ndjenjat e brendshme. Aty është shiu, pasqyra, e bardha totale. Poezia është pothuajse po aq e rëndësishme sa historia. Dallimi mes historianëve dhe poetëve është se të parët shkruajnë prozë, ndërsa të dytët vargje. Të parët përshkruajnë gjërat që ishin, të dytat punët që mund të bëhen. Për shkak të kësaj, poezia është shumë më filozofike dhe më e rëndësishme se historia, sepse pohimet e saj janë të një natyre shumë universale dhe shumë të veçantë të historisë. Sipas poetit, fjala dhe dhimbja kanë sy, dhe jo vetëm ata. Poezia duhet t'i lërë përshtypje lexuesit sikur fjalët e saj të ishin mendimet e tij ose pothuajse një kujtim i jetës së tij: Sy ka fjala./ E shohin diellin e madh të mendimit,/ po edhe humnerën e thellë të dëshpërimit,/ ku rrokulliset pika e lotit, si nëpër faqet e Euridikës./ Sy paska dhembja./ Edhe pikëllimi paska sy./ Ata shikan gëzimin e veshur me togën e purpurt/ në skajin romantik të horizontit,/ përtej grilave, përtej telave gjemborë.../ Sytë qenkan poezia e shkruar në ballin e paputhur të Euridikës dhe buzët e aktorit, që recituakan atë me një sqep të huazuar bilbili, apo me zërin e Lumbardhit, / që buron nga zemra e Bjeshkëve, padrejtësisht të Nemuna.../ Sytë qenkan sy, poezi apo përjetësi, saktësisht nuk e di... (Eseja e Orfeut për sytë)

Fjala si energji krijuese e bën jetën që të lëvizë, e bën njeriun të lumtur, e bën natyrën dhe gjithëçka në gjirin e saj, poetike, romantike, filozofike. Ajo i metamorfizon qëniet e gjalla, njerëzit i shndërron në mit dhe zotër të kësaj bote. Fjala udhëton në shekuj e mijëvjeçarë, bën e krijon subjekte, na sjell imazhe qytetërimesh të hershme që na bëjnë t’i duam e t’i admirojmë. Për fjalët e frymëzuara dhe të botuara të Zt. Radogoshi kanë shkruar shkrimtarë të huaj dhe disa nga krijuesit tanë më të njohur dhe më të shquar: Akademik Pajazit Nushi, Kadri Rexha, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Arben Hoxha, Vasil Vasili, Rexhë Haxhiu, Richard Davies, etj. Zt. Kadrush Radogoshi është një ndërgjegje e madhe poetike. Poezia e tij dallohet nga reflektimi i thellë, vazhdimisht polemizues, i vendosur në botë, si dhe në universin e brendshëm. Autori na jep tekste të një cilësie të jashtëzakonshme. Poezia e tij është një hapje drejt bukurisë, thellësisë, risisë dhe hyjnisë. Zoti Kadrush nuk është poeti i habisë apo i heshtjes. Ai është poeti i dashurisë dhe atdhedashurisë, një dhuratë hyjnore me një buzëqeshje kerubini. (Baki Ymeri, Janar, 2022)

BOX

Kadrush Radogoshi është poet jo i ndjenjës, po i mendimit, i cili e ka pasuruar poezinë e re shqipe me tema, motive, ide të reja. Madje ai ka shënuar shkallën më të lartë të intelektualizimit të saj, që mund të hetohet edhe në leksik, ku përdor dendur nocione të ndryshme filozofike, etike, politike, si: ideal, mëkat, ide, e vërteta, nekrologji, nostalgji, nekrofili, sodomi, antinomi, logjikë vdekje, jetë, elegji, e një varg konceptesh të tjera, të cilat nuk ishin dhe nuk janë familjare për gjuhën poetike, që e kemi kultivuar deri më sot.

Edhe në planin e sistemit shprehës venerohet prirja e kërkimit dhe e përdorimit të figurave të mendimit, sidomos të paradoksit, antitezës. Nuk duhet të habitemi për këtë arsye, kur ndeshim shprehje të tipit si: e vërteta e rrejshme ose rrena e vërtetë, në mes të asaj bore digjem / në mes të atij zjarri ngrihem e shprehje të tilla të ngjashme, sepse Kadrush Radogoshi është poet i befasimeve, i risimeve të mëdha jo vetëm në sistemin përmbajtësor, por edhe në teknologjinë e ndërtimit të vargut e të poezisë. (Fragment nga ,,Rilindja”, gjegjësisht ,,Bujku”të Prishtinës, 9 maj 1992)

Udhëtimi i parë i Orfeut

Dhjetë mijë metra mbi tokë

Mbi bashkët e bardha të reve

Askush nuk ma zë diellin.

 

Në hapësirën e pafundme

Zbrazësia më buzëqesh

Me dhëmbët e saj akull.

 

Shpejtësia 830 km në orë

Nuk di ku po më shpie...

Në fund të një udhëtimi

Me siguri...

 

(Në këto çaste jetën nuk e quaj vetëm një udhëtim nëpër këtë botë)

Para sysh më del Anteu i pikëlluar

Më mungon toka ku i kam rrënjët

Më mungojnë njerëzit.

Më duhet fjala, shikimi

Përqafimi i tyre më duhet.

 

Atje poshtë

Mrekullisht e paskan luajtur lojën

Toka e deti.

 

Herë toka i qenka futur detit në gji

Herë deti qenka futur në gji të tokës...

Toka dhe deti qenkan dashnorë të përjetshëm...

Mund të jenë edhe armiq

Kushedi!...

 

Natyra paska mbajtur

Një ligjëratë brilante të estetikës...

 

Dialogu i Orfeut me veten

Ecën shtegut të pafundësisë

Digjesh si furrë nga marrëzitë

Një erë misterioze të mban pezull

Sytë dritëzbehtë të fëmijëve të shpresës

Të ndjekin

Dhembjet tua u duken të moçme...

 

Qerres së popullit përpiqesh t’ia ndërrosh udhën

Askush s’të bindet

Të gjithë jetuakan në mbretërinë e marrisë

S’ke fuqi ta shqyesh harresën

Pushtuesen absolute të kokave njerëzore.

 

Nëpër natën makabër

Kërkon orakullin e tempullit të shpresës

Ndryshkun e zhgënjimit e shkelë me këmbë

Si një kokë gjarpri

Të gatshme për sulm.

 

Ti nuk po më beson

Vetja ime

Se në këtë lojë

Shpirtin tënd shtalb

Dhembja po e lë me barrë.

 

Syri i tretë po të vëzhgon

Prapa skene

Prapa koke

Për t’i lexuar mendimet

Porsa të lindin...

 

Në këtë lojë para përmbytjes

Mëkatet e pabëra

Po t’i ngarkojnë mbi supe...

 

Zbuluesja e parë e zjarrit

Dashuria paska qenë

Zbuluesja e parë e zjarrit

Më thotë shpirti yt

I shndërruar në lot të qiellit

I shndërruar në vesë

Që bie mbi buzët e kujtimit

Për t’i puthur

Unë pikëllimi...

 

Vetëm pikëllimi i buzëqeshur

Në sytë e Brikenës

Mund ta rilind

Portretin tënd të zjarrtë

E ta varë në qafën e çdo vargu

Si margaritar dhembjeje

Si safir pikëllimi...

 

Tek ecje këmbëzbathur

E shkujdesur si çdo dashuri

Mbi lulet e verës

Lulavere

Të kafshoi i njëjti gjarpër

Që pikëlloi gjysh Orfeun

E vrau babanë e tij

Anteun...

 

Kur sytë e zjarrtë t’i laja me vesë

A të kujtohet ndonjë mëngjes

Kur sytë e zjarrtë

T’i laja me vesë

Kur në buzët tua

Hidhja nektar

E bëhesha puthja jote e parë?

 

Në një ditë pranvere

T’i mbylla sytë me lule

Në një ditë vjeshte

Në qerpik të vara

Kokrra rrushi të pjekura

E të thash: Të dua

Pa shqiptuar asnjë fjalë

 

Në prehrin tënd Euridikë

Dielli mbështeste kryet

Flinte

Frytin e dashurisë ëndërronte.

 

Detin e futa në gotë

Për ta pirë së bashku

Deri në amshim...

 

A të kujtohet ndonjëherë

Vajza jonë me kristale fati në duar

Kur bjeshka e dashurisë

Na rrinte mbi supe?

Kur fillove të laheshe në detin e mallit

E mëkatet e pabëra ta zunë rrugën

 

Si bora e madhe në ndonjë dimër të ashpër

A t’u kujtuam unë e Brikena

A t’u kujtuam?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat