Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale

Kultura

Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale

Dr.Qazim Namani Nga Dr.Qazim Namani Më 6 janar 2022 Në ora: 10:23
Prishtina në fillim të viteve shtatëdhjeta të shekullit XX

Prishtina shtrihet në mes të përroit të vogël Prishtinës, Vellushës dhe Matiqanit, që rrjedhin nga kodrinat xehetarie në anën perëndimore të malësisë së Galabit. Në anën jugore dhe perëndimore Prishtina kufizohet me toka pjellore të fushës së Kosovës. Lartësia mbidetare sillet prej 585m, 640, 670 dhe rreth 700 m lartësi në disa lagje të qytetit.

Studimet shkencore për etimologjinë e emrit Prishtina ende nuk e kanë dhënë një përfundim të qëndrueshëm, por shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina castra) e shpjegojnë nga gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin i lashtë, i fazës fillestare, diçka e vjetër.

Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7.000 viteve. Gjatë punimeve të rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e neolitit të vjetër: Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e neolitit të ri: te “Tjerrtorja”, Bërrnica, Matiqani.[1]

Kultura materiale e bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica, Keqekolla.

Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale.

Periudha romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla.

Periudha Bizantine- mesjeta e hershme: Matiqani.

Nëpër qytetin e Prishtinës kanë kaluar shumë rrugë të rëndësishme, rrugët që vinin nga Bosnja, rruga Naissus-Lissus (Nish-Lezhw), nga Scupi etj.

Sipas Tabula Peutingeriana stacioni rrugor Viciano i rrugës Naissus-Lissus ka qenë ndërmjet fshatrave Uglar dhe Çakllavicë në afërsi të Prishtinës.[2]

Diku rreth 7 km në jug-lindje të Prishtinës gjendet qyteti i madh antik Ulpiana. Si duket Ulpiana e rrënuar dhe e plaçkitur në mesjetën e hershme ia lëshon rëndësinë Prishtinës si lokalitet në afërsi të saj. Tokat pjellore në Fushën e Kosovës dhe trevat minerare në malësinë e Gallapit ndikuan në përparimin dhe zhvillimin e këtij vendbanimi.

Shkrimet e para deri mw tani të publikuara për Prishtinën si toponim janë nga një dokument të knjazit kroat Mutimirit të vitit 892, ku thuhet se me pallat ka qenë edhe Prishtina si shpatë-mbajtës.[3]

Nga literatura dhe dokumentet tjera arkivore, Prishtina përmendet nga kontaktet e para raguzane me Prishtinën që i gjejmë të shënuara në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë shqiptare Gregorius Marini de Petrana (1253-1280) emërohet konsull në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë Gregorius M. De Petrana kalon ndër vende tjera edhe nëpër Prishtinë.[4]

Në një dokument të lëshuar nga Prishtina në vitin 1325, ju kërkohet tagri i Shën Mitrit dubrovnikasve.[5]

Për Prishtinën ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342, i cili në atë kohë ka dhënë disa të dhëna të rëndësishme për lokalitetin.[6]

Sipas shkrimeve të Johan Kontakuzenit thuhet se në Prishtinë ka pasur pallat me oda të mëdha, për tubime shtetërore, për procese gjyqësore, për solemnitete dhe gostitje.[7] Prishtina e kishte edhe kalanë, të cilën e kishte rrënuar Sulltan Murati I gjatë rrethimit të qytetit në vitin 1389.[8]

Këtë e pohon edhe Evlija Çelebiu në vitin 1662 kur shkruan se kalanë e Prishtinës të ndërtuar nga mbreti Millutin e rrënoi Sulltan Murati I pas hyrjes në Prishtinë.[9] Sipas burimeve serbe pallatin e ka ndërtuar mbreti Millutini në mes të sahat kullës së sotme dhe xhamisë së çarshisë.[10] Një qytetar gjatë bartjes së dheut pas hapjes së një themeli afër entit të statistikës dhe xhamisë së gurit (çarshisë), nga ky vend kishte bartur edhe disa gurë të mermertë. Gurët kanë plastikë gurore dhe të rrethuara me kanelyra dhe sipas ekspertëve janë të punuar në periudhën antike. Se a janë bartur nga Ulpiana apo ndonjë lokalitet tjetër mund të vërtetohet vetëm pas vëzhgimit të gërmimeve për ndërtime në atë hapësirë. Bazuar nga të dhënat e cekura më lartë për vendin e ekzistimit të kalasë ndërmjet “Sahat kullës” dhe xhamisë së çarshisë, mund të pohojmë se këto të dhëna janë të vonshme pas ndërtimit të xhamisë dhe “Sahat kullës”. Këtu kur bëhet fjalë për xhaminë e çarshisë duhet pasur parasysh xhamin e Llukaqit që ishte e ndërtuar aty ku ndodhet sot Teatri Kombëtar, afër çarshisë së mbuluar, tw dikurshme, të Prishtinës.

Sido që të jetë për vendin ku thuhet se ka ekzistuar kështjella e qytetit dëshmojnë edhe këta gurë të zbuluar që lënë të kuptohet se Prishtina e kishte kështjellën e saj që nga periudha romake apo bizantine e hershme. Kjo mbetet të vërtetohet vetëm pas gërmimeve arkeologjike në këtë lokalitet.

Po ashtu gjatë bartjes së dheut nga ndërtimet në Prishtinë gjatë vitit 1997, është gjetur një bazament shtylle në të cilin janë të skalitura pranë njëri tjetrit simboli i kultit të diellit dhe kryqi. Vërehet se ky guri i punuar me llaç gëlqeror dhe i përzier edhe me qeramikë të bluar ka edhe shenja të djegies çka lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një shtyllë të ndonjë objekti të kultit që përveç kryqit ka edhe simbole astrale të periudhës së paganizmit, e i cili edhe është djegur. Vend gjetja e këtij guri nuk dihet por është gjetur i hedhur në greminën e hapur nga fabrika e tjegullave në Prishtinë. Gjetje e këtij guri është edhe një dëshmi tjetër për të besuar se Prishtina ishte vendbanim para mesjetar.

Image
Gurë i mermerit i gjetur në Prishtinë në vitin 1996 nga Qazim Namani, guri është zbuluar gjatë gërmimit të një themeli afër Entit të Statistikës dhe xhamisë së Çarshisë.

Prishtina gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme. Para Betejës së Kosovës Prishtina ishte bërë kryeqytet i provincës dhe si i tillë mbeti edhe shumë kohë pas kësaj beteje.[11]

Përveç ndërtimeve në Prishtinë në afërsi ndërtohet mbi themele të një kishe më të hershme, manastiri i Graçanicës, si monument i kulturës me rëndësi të veçantë.

Shihet se Prishtina me rrethinë në atë kohë kishte shumë monumente, dhe prania e këtyre monumenteve të kulturës siç është manastiri i Graçanicës, për nga vlerat artistike hynë në krijimtarinë më të përsosur të Evropës dhe Botës.[12]

Për zhvillimin e Prishtinës flasin edhe faktet e vendosjes së tregtarëve të huaj edhe nga Dubrovniku në vitin 1387. Po këtë vit qytetari nga Dubrovniku, Marko Zvizdic, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e tij me 9 nëntor 1387 ka dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e zhvilluar tregtare edhe para Betejës së Kosovës.[13] Përveç kishës së Zojës Mari, në vitin 1421 në regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet edhe një kishë tjetër, por pa emër.[14]/ Vijon

 

Image
Zejet e vjetra në çarshinë e Prishtinës
Image
Gjetje dhe fotografuar nga Mirsad Krasniqi gjatë hapjes së themeleve të shtëpisë në lagjen e Trojës (Tophane) në Prishtinë. Sipas antropologëve është asht dhie dhe është përdorur si vegël pune.

 

[1] Dragan Cukic “Kosovo znamenitosti i lepote”, Prishtinë, 1971, fq. 31

[2] Emil Çershkov, Rimski put Naissus-Scupi i stanica Viciano, Glasnik Muzeja Kosova i Metohija, Prishtina, 1961, fq.130

[3] Kosova dikur dhe sot, Beograd, 1973, fq.853

[4] Jahja Drançolli, raguzanët në Prishtinë gjatë shekujve XIV-XV, Vjetari nr.XVIII-XIX, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1984, fq.10

[5] Kosova dikur dhe sot, Beograd, 1973, fq.856

[6] Po aty fq. 856

[7] Kosova dikur dhe sot, Beograd, 1973, fq.856

[8] Biblioteka Kombëtare, “Vendbanimet Ilire dhe Shqiptare”, Bibliografi: Vepra të shekullit XVI-XVIII, Tiranë, 1972

[9] Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë 1982, fq248

[10] Po aty fq,855

[11] Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë 1982, fq.243

[12] Grup Autorësh, “Monografi për Prishtinën”, Beograd, 1965

[13] Desanka Kovacevic-Kojic, “Istorijski Casopis”, knj.XXII, Beograd, 1975, fq.46

[14] Prof.Dr. Jahja Drançolli, Krishterimi ndër Shqiptarë-Simpozium Ndërkombëtar-Tiranë, 16-19

Nëntor 1999, Seksioni i Historisë dhe Arkeologjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat