Bora e parë

Kultura

Bora e parë

Nga: Adem Bytyqi Më: 7 janar 2022 Në ora: 10:12
Adem Bytyqi

Qielli i mbuluar me re ngjyrë bardhë të mbyllur.

Dielli nuk shihej ishte fshehur atje lartë diku në qiell prapa reve, thuajse ishte duke pushuar.

E kishte vendosur një perde në mes tij dhe borës, për t'ia mos prishur rehatinë e gëzimit t'saj pasi që e kishte lutur gjatë gjithë vitit në çdo muaj, në çdo javë, në çdo ditë dhe në çdo orë.

Bora pas një marrëveshje të gjatë e të mundimshme me diellin, vallëzonte lirshëm në drejtim të tokës.

Herë herë ndryshonte drejtimin, si dukej rebelohej nga gëzimi, që e kishte ruajtur në kujtesë terë vitin dhe tani e shpaloste me reshje të furishme.

Vazhdonte të binte nga të gjitha anët, pa pasur as një ndrojtje se mos dielli do ta prishte marrëveshjen njëanshëm për t'ia çrregulluar aspiratat e saj në këtë sezon viti.

Bije aq shpesh, sa që vështirë dallohej njëra fjalë nga tjetra.

Vërehej një ndeshje e shtresave t'saj në mendësinë time.

Në shënjestër të borës ishte toka , që gëzohej duke e pritur me buzëqeshje freskinë e saj që ia sjellë në çdo stinë viti.

Me rastin e borës parë toka përjeton gëzim të dyfishtë, freskinë e borës dhe stolisjen e saj nga fëmijë grupe, grupe me veshje lloj ngjyrash, që të kujtojnë bukurinë e Ylberit, në një ditë pranvere me shi.

Bora binte pa ndërprerë, fëmijët duke qeshur mbanin duart gjysmë të hapura për ta pritur borën në duar.

Pasi i mbushnin duart me borë gjuanin njëri tjetrin duke qeshur sikur të ishin në ndonjë ëndërr fluturimi në qiell mbi qytete të cilat ata i donin aq shumë.

Sa më shumë binte borë aq më shumë fëmijët miqësoheshin me Mikeshën e tyre të moçme, kapnin për dore njëri tjetrin për të rrëshqitur, duke e krijuar një teatër lojërash interesante.

Nga njëherë shtriheshin në borë dhe Lenin format trupore të tyre, sikur donin t'i kushtonin ndonjë pikturë në respekt të ardhjes së saj, të cilën e kishin pritur aq gjatë, gati, gati kishin harruar se do t'iu vinte përsëri pas një viti për t'i gëzuar aq shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat