Prishtinën e shkatërruan serbët në luftërat ballkanike, po ashtu edhe zjarret dhe epidemitë

Kultura

Prishtinën e shkatërruan serbët në luftërat ballkanike, po ashtu edhe zjarret dhe epidemitë

Qazim Namani Nga Qazim Namani Më 8 janar 2022 Në ora: 16:02
Prishtina, foto e vitit 1914

Prishtina pësoi shumë ndryshime edhe pas Luftës së Dytë Botërore, objektet më të rëndësishme në bërthamën e qytetit të vjetër u rrënuan.

Reformat në Perandorinë Osmane filluan në vitin 1892 dhe komisioni i ri i reformave përbëhej nga persona të njohur dhe të respektuar me përkatësi shqiptare. Nga Prishtina ishte Danish Beu i cili më vonë u bë ministër i Punëve të Brendshme të Perandorisë.[1]

Kryengritja e Prishtinës

Në gjysmën e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e shqiptarëve. Selia e serasqerit u bë Prishtina. Kryengritësit u tërhoqën në malet e Prishtinës. Omer Pasha i kishte deklaruar konsullit anglez se 7000 shqiptarë kryengritës ishin tërhequr në malet afër Prishtinës. Osmanët bënin regjistrimin e myslimanëve të Prishtinës, të cilët refuzonin të jepnin rekrut për nizam. Më 8 mars 1845 konsulli anglez në Selanik njoftoi se shqiptarët e rrethinës së Prishtinës nuk do të japin rekrut pa forcë. Nga plaçka që bënë ushtarët osman gjatë shuarjes së kësaj kryengritje u pasuruan shumë.[2]

Konsulli austriak shkruan se kryengritësit shqiptarë e pushtuan Prishtinën në Pranverën e vitit 1844. Prishtina ra në duar të kryengritësve në mars të vitit 1844, kur Abdyrrahman Pasha i Prishtinës u largua në Prizren te miku i vet Izet Mehmet Pasha. Izet Pasha i kishte dhënë 6000 njerëz për ta kthyer Avdyrrahman Pashën në Prishtinë, por kryengritësit e ndalën këtë sulm dhe e mbanin nën kontroll Prishtinën.[3]

Në Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140 persona.[4]

Në vitin 1846 Maliq beu vendosi që të gjithë kryetarët e familjeve shqiptare katolike ti dërgoj në një vend të rrethuar në Prishtinë. Të gjithë të burgosurit i futën në pranga të rënda në duar dhe në këmbë, me një zinxhirë të rëndë për mjedisi dhe të lidhur për një këmbë. Kjo ishte një peshë prej 40 okësh turke, përafërsisht 50 kg. Jashar Pasha i Prishtinës këta të burgosur i mbylli në një burg edhe më të rëndë dhe urdhëroi që në burg të lëshohet edhe uji. Këta të burgosur nga Prishtina u transferuan në Shkup dhe përmes Selanikut u dërguan në Azi të vogël.[5]

Në Prishtinë janë kultivuar, lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto gara janë organizuar çdo vit, të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një dallim në vend të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë pasur për detyrë ta qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlege (dyluftime) të ndryshme.

Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe Sarajevës.

Në vitin 1874 selia e Vilajetit të Kosovës kalon në Prishtinë dhe 3 vite më vonë filloi të botohet revista në gjuhën turke “Kosova”.[6]

Në Prishtinë në vitin 1887 u hap konsullata serbe, dhe në vitin 1890 u vra konsulli serb Lluka Marinkoviq.[7]Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX kishte 4000 shtëpi.[8]

Image
Prishtina, foto e vitit 1914

Epidemitë në Prishtinë

Përgjatë shekullit XIX, në qytetin e Prishtinës, ishin përhapur disa epidemi, dhe në burimet e shkruara janë dokumentuar epidemitë e Lisë, Lules, Tifos dhe shumë tjera, si epidemitë nga më të rrezikshme të kohës, të cilat ua morën jetën shumë qytetarëve. Ne vitin 1890 në burgun e Prishtinës për shkak të epidemisë një repart i burgut ishte shndërruar në spital, ku trajtoheshin të infektuarit. Nga Prishtina në 1896, u kërkuan vaksina kundër infektimit me sëmundjen e Lisë. Në vitin 1903, me kërkesën e ndihmës së Prokurorit të Përgjithshëm në spitalin e Prishtinës ishte dërguar aparati avullues për trajtimin e Lisë.

Për epidemitë në Prishtinë ka shkruar edhe Branisllav Nushiqi, që ishte konsull serbë në fund të shekullit XIX në Prishtinë. Ndër të tjera ai shkruan se pas dëbimit të hebrenjve nga Rusia, nga të cilët 50 shtëpi erdhën në Prishtinë, dhe për çudi brenda dy viteve të gjithë vdiqën nga epidemitë. Në Prishtinë në atë kohë jetonin 305 hebrenj.[9]

Shekulli XX e gjeti Prishtinën të varfër dhe pa ndonjë ekonomi të qëndrueshme, sidomos gjendja u vështirësua kur forcat e ushtrisë serbe, hynë në Prishtinë, në luftërat ballkanike. Ushtria serbe prej kufirit e deri në Prishtinë, lanë rreth 5000 shqiptarë të vrarë.

Image
Xhamia e Jashar Pashës dhe Kulla e Sahatit në Prishtinë, në kohën e hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinë, gjatë vitit 1912-1913

Prishtina pësoi shumë ndryshime edhe pas Luftës së Dytë Botërore, objektet më të rëndësishme në bërthamën e qytetit të vjetër u rrënuan.

Në këtë rast nuk u kursyen as objektet e kultit, ku u rrënua kisha katolike e Stakajve dhe xhamia e Llokaqit, e cila ndodhej para hyrjes së çarshisë. Kjo xhami ndryshe edhe njihej me emrin Xhamia e Çarshisë.

Image
Çarshia e mbyllur e Prishtinës dhe Xhamia e “Jonuz Efendi Moflezi”(Xhamia e Llokaqit) e ndërtuar në vitin 1551 dhe e rrënuar në vitin 1954

Prishtina e kishte edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Nga monumentet publike në Prishtinë, veçohet objekti ku është sot Muzeu i Kosovës, objekti ku është vendosur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e Sahatit, Kompleksi i Emin Gjikut etj. Nga objektet sakrale veçohet xhamia e Çarshisë, Xhamia e Madhe, Xhamija e Jashar Pashës etj.

Në Prishtinë ekziston Teqja e Prishtinës dhe kisha evangjeliste. Në periferi të Prishtinës, në fshatin Shkabaj ekziston tyrbja e vogël dhe në fshatin Mazgit është tyrbja e sulltan Muratit.

Prishtina u shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe hynë në qytet.

Image
Shtëpi qytetare të shekullit XIX në qytetin e Prishtinës

Xhamia e çarshisë (Gurit) në Prishtinë, është ndërtuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV. Këtë xhami e ndërtoi Sulltan Bajaziti në shenjë të fitores së forcave osmane kundër koalicionit ballkanik në vitin 1389. Ky objekt është ndër monumentet më të vjetra të kulturës[10]. Xhamia gjendej mbi çarshinë e vjetër të mbuluar të Prishtinës, andaj edhe e mori emrin “Xhamia e Çarshisë”[11].

Restaurime

Gjatë shekujve në këtë xhami u bënë ndërhyrje restauruese dhe u kryen punime dhe riparime që e ndryshuan pamjen origjinale të saj. Karakteristikë e kësaj xhamie janë kupola me gjerësi prej 10 m dhe minarja të ndërtuara prej gurit, që i mbijetuan kohës për rreth 600 vjet. Kjo xhami quhet edhe “Tash Xhamia” që në përkthim do të thotë “Xhamia e Gurit”.[12]

Xhamia e Jashar Pashës në Prishtinë, ka hyrë në mbrojtje të shtetit në kuadër të kompleksit të Çarshisë së vjetër ku bënin pjesë: Xhamia e Jashar Pashës, Shatërvani i vjetër, Ndërtesa e Divizionit dhe Sahat Kulla me nr. v. E. K. 02. 278/67[13].

Xhamia e Jashar Pashës është objekt me arritje i arkitekturës islame. Nuk kemi të dhëna të sakta për kohën e ndërtimit të saj, megjithatë vetë stili i ndërtimit të saj, kupola, minarja dhe dekorimet e brendshme, të shtyjnë të mendohet se objekti është ndërtuar në shek. XVI, apo më herët.

Image
Ylli gjashtëcepësh në xhaminë e Jashar Pashës në Prishtinë

 

Shkrimi i emrit të Jashar Pashës në portalin e kësaj xhamie në vitin 1835-1836, lehtë mund të kuptohet për një konservim apo rikonstruktim në këtë kohë. Ndërhyrjet e mëvonshme, vërehen në kupolë, minaret dhe mure. Konservim në një pjesë të minares është bërë gjatë viteve 1976-1979[14].

Jashar Mehmet Pasha, ishte feudal i pasur dhe guvernator i Shkupit në vitin 1842. Porta origjinale e kësaj xhamie është shkatërruar për ta zgjeruar rrugën. Ndërtesa sot gjendet në gjendje të keqe dhe është e rrezikuar nga çarjet dhe lagështia[15].

Kohët e fundit Xhamia e Gurit ka hyrë në vitin e katërtë të renovimit ku janë dëmtuar shtresa të rëndësishme historike, ndërsa Xhamia e Jashar Pashës ka filluar të restaurohet në vitin 2014 me financimin e OJQ-së turke, Tika. / Vijon

 

[1]Sylejman Kylqe, Shqipëria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq. 219

[2]Aleksander Matkovski, Kryengritja e Dervish Carës, Shkup 1985, fq.181

[3]Arkivi i Zarës, Letër e datës 22.V.1844 shkruar nga vicekonzulli austriak Balarini në Shkodër, që ja

dërgon Stefano Doimit në Kotor.

[4]Vlladimir Stojanoviq, Velike epidemije, Leskovaqki zbornik, XIII, Leskovc 1973, fq.16

[5]Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, Zagreb 1992, fq. 191,192

[6]Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.200

[7]Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.239

[8]Grup Autorësh, “KOSOVA”, Beograd, 1973 fq. 858-860

[9]Branisllav Nushiqi, “Kosova” perkthyer nga Rrahim Sadiku, Prishtinë 2015, fq, 100, 101, 102

[10]Arkivi i IKMM (Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve), në Prishtinë.

[11]IKS/ESI, Iniciativa e Kosovës për Stabilitet/European /stability Iniciative, “Një e ardhme për të kaluarën e

Prishtinës”, Prishtinë, 2006, fq.11.

[12]Arkivi i IKMM në Prishtinë.

[13]Arkivi i IKMM, në Prishtinë, “Lista e Monumenteve të kulturës në mbrojtje të shtetit para vitit 1991”.

[14]ARKIVI i IKMM, Prishtinë

[15]Iniciativa Kosovare për stabilitet, “Një e ardhme për të kaluarën e Prishtinës”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat