Vështrim rreth përmbledhjes poetike “Kam shumë emra” të poetit Hajrush Redenica-Kika

Kultura

Vështrim rreth përmbledhjes poetike “Kam shumë emra” të poetit Hajrush Redenica-Kika

Nga: Zymer Mehani Më: 8 janar 2022 Në ora: 16:47
Kopertina e librit

Hajrush Redenica-Kika tanimë njihet nga lexuesi ynë me një varg veprash letrare. Tani, ky poet para lexuesve po vjen me vëllimin poetik të radhës, “Kam shumë emra”, me poezi temash e motivesh të ndryshme.

Kryemotiv i poezive të këtij vëllimi është atdhedashuria (janë të shumta poezitë për vendlindjen). Vërehet evoluimi i poetit si përnga përmbajtja estetike, po ashtu edhe përnga realizimi artistik i vargjeve, si dhe hetohen përpjekjet e tij për ta zgjeruar horizontin krijues, duke e formësuar më mirë botëkuptimin dhe duke u dhënë vargjeve kuptim më të qartë. Ai shquhet me përfytyrim të pasur poetik, duke na sjellë nota të reja dhe të freskëta të vargut poetik.

Poeti Hajrush Redenica-Kika në poezitë e vëllimit në fjalë ka vjelur nga historia tema për figura dhe ngjarje të rëndësisë kombëtare, siç janë poezitë: PISHTARI I LIRISË (kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti), TOKË E BEKUAR, LISI, PRAPASHTICA, BABALLARËT TANË, KAM SHUMË EMRA (kushtuar qëndresës dhe heroizmit shqiptar), PLISI, (kushtuar simbolit tonë kombëtar, plisit), LEZHA KRENARE (kushtuar Besëlidhjes së Lezhës, 2 mars 1444), DITA E ALFABETIT (kushtuar alfabetit shqip dhe Kongresit të Manastirit, 1908) etj.

Duke pasur kujdes për formën, ky autor niset nga frymëzimi, kur shtjellon dhe trajton tema konkrete, motive të qarta dhe mendim të kristalizuar, si në poezitë me motiv të kurbetit (KAM NJË DHIMBJE etj).

Vargjet e poetit Redenica janë të mbushura me emocione dhe si të tilla, edhe me rrjedhën e mendimit, me ritmin dhe me frymëzim të plotë, te ne lënë mbresa të thella. (Po përmendim poezitë pejizazhiste të ciklit për stinët: NA IKU VERA, ERDHI DIMRI, IKU VJESHTA, ACAR I MËNGJESIT, LULEVJESHTA, DY FILIZA, XHELOZIA E VJESHTËS, NGJYRAT E VJESHTËS, LULET E VJESHTËS etj.)

Autori Hajrush Redenica-Kika ka bërë përpjekje serioze për ta skalitur vargun, prandaj poezitë e tij (edhe ato për fëmijë) kanë dalë të bukura dhe emocionante, ngase ai ka prirje për të kapur gjëra të thjeshta, të zakonshme, duke i parë gjërat me syrin e fëmijëve. Janë të bukura poezitë për fëmijë GJYSHI IM, MËSUESJA IME, ËNDRRA IME etj., ku na josh, madje edhe ne të rriturit me melodicitetin dhe ëmbëlsinë e vargjeve, duke na rikthyer në kohën e fëmijërisë...

Formimi i stilit të poetit Hajrush Redenica-Kika sa vjen e sëndertohet, ngase është ndikuar nga konsekuencat e veçanta të rrugëtimit të tij, që kanë rëndësi të jashtëzakonshme, sepse këto e dërgojnë drejt sukseseve, si artist i fjalës poetike. Vargu i tij është ndërtuar me figuracion të bollshëm poetik (me krahasime, metafora, hiperbola etj) dhe me gjuhë të pastër, të kuptueshme, pa krahinarizma a barbarizma. Kryesisht është një gjuhë shprehëse e mendimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat