Epi ‘Homerik’ për Kryetrimin - Skënderbeun

Kultura

Epi ‘Homerik’ për Kryetrimin - Skënderbeun

Nga: Ajete Zogaj Më: 9 janar 2022 Në ora: 21:45
Libri

Janë të rralla rastet kur figura të ndritura me të bëmat e tyre, tejkalojnë shekujt, rrezatojnë shembull trimërie e atdhetarie, siç është figura e ndritur e princit arbëror, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Heroizmi dhe atdhedashuria e kryetrimit arbëror u bë objekt studimi e frymëzimi për breza të tërë, jo vetëm në hapësirën arbërore; shkëlqimi i veprës së tij tejkaloi këta kufij, i dha shkëlqim rruzullimit. Frymëzoi piktorë, artistë, poetë e bibliografë...

Ndër ta edhe poetin e shquar, por fatkeqësisht pak të njohur e të pavlerësuar sa duhet ndër shqiptarë, Grigor Përliçev, i cili i nisur dhe i ndikuar nga epet e Homerit, “Iliada” dhe “Odiseja” krijoi epet “Skënderbeu” dhe “Armatollos”. Për këtë të fundit, në konkursin e vitit 1860 në Athinë, i dha epitetin “Homeri i dytë”.

Epi “Skënderbeu” i Përliçevit, përkthyer nga Spiro Çomora, pas botimit të parë në Tiranë më 1967 dhe botimit të dytë në Shkup, në vitin 1969, në përmbyllje të vitit 2021, Sh. b. “Beqir Musliu” e Gjilanit, pas shumë vitesh, sjell përsëri një libër të rëndësishëm dhe me shumë vlera, epin e poetit të shquar “Skënderbeu” të Përliçevit me parathënie nga profesor Anton Nikë Berisha.

Botimi i këtij epi, është një dëshmi e rëndësishme për botën e librit në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, që të merret me seriozitet e të studiohet në mënyrë shkencore vepra e këtij “Homeri të dytë” i cili, siç e dëshmojnë edhe vargjet e epi “Skënderbeu”, pena e tij e vyer sikur ‘mori’ ngjyrën në gjakun dhe palcën e fisit arbëror. Vargjet e poemës dëshmojnë dashurinë e Perliçevit për shqiptarët, veçmas për kryetrimin Skënderbe, për traditat fisnike të arbërorëve, për dashurinë e tyre ndaj atdheut, për nderimin e besimit të tjetrit, për faljen e besën si vlerë që shqiptarët i bartur e ruajtur brez pas brezi.

Se epi “Skënderbeu” i Përliçevit, është një vepër vlerash letrare poetike e dëshmon edhe studiuesi profesor Anton Nikë Berisha në parathënien e poemës, duke e cilësuar këtë poemë ‘Një kryevepër poetike’.

“Pa asnjë dyshim them se epi “Skënderbeu” i Grigoiu Stavridhu-it – Grigor Stavrev Përliçevit është një kryevepër letrare poetike, ku bëhen objekt vështrimi poetik luftërat mbrojtëse të kryetrimit arbëror, Gjergj Kastriotit- Skënderbeu kundër ushtrisë otomane të udhëhequr nga Ballaban Pasha” (f. 22).

Epi “Skënderbeu” i Përliçevit i përkthyer nga Spiro Çomora është në njëmbëdhjetërrokësh, me vargun me të cilin janë përkthyer dy epet e Homerit “Iliada” dhe “Odiseja” nga Gjon Shllaku dhe Pashko Gjeçi, ndërsa dhjetë këngët e “Odisesë” Spiro Çomora i përktheu në heksametër.

Subjekti i poemës “Skënderbeu”, ngjashëm si në epet homerike, zhvillohet në dy taborë atë të Skënderbeut dhe luftën e tij 25 vjeçare dhe taborin otoman me në krye Ballaban Pashën.

Derisa tek Skënderbeu, Përliçev vlerëson trimërinë, guximin, dashurinë ndaj atdheut, trajtimin njerëzor ndaj robërve, respektimin e besimit të tyre (muahamedanë), në taborin e Ballabanit, poeti e tipizon me tradhtinë, lakminë dhe ligësinë e pushtuesit.

Poema “Skënderbeu” dëshmojnë për dashurinë dhe vlerësimin që Përliçev kishte ndaj Skënderbeut dhe ndaj shqiptarëve, të cilin në vargjet e tij ai e vlerëson: “Ai është fatosi Skënderbe, / Hero që s’e ka shokun sipër dheut!” (f. 71) , [...] këtej banonte fisi i divit Skënderbe. (f. 122) apo, “Për shumë kohë i lumtur do kujtoj se pashë Skënderbenë dhe pallatin e tij të madhërishëm, si pallat që kanë sundimtarët e lavdishëm.”(f. 123) ose “midis tyre shquhet Skënderbeu, mbret gojëmjalt’ e luftëtar i rrallë, që nuk ka lindur nënë deri sot.”(f. 136). Të kundërt me Skënderbeun, Përliçevi e ka shprehur figurën e Ballaban Pashës, tradhtar, satrap, vrasës dhe i pabesë.

Epi “Skënderbeu” shquhet për vlera të arrira poetike; autori ka krijuar tablo të mrekullueshme poetike, sidomos dallohen përshkrimit e bëra më shumë mjehstëri, metaforat, krahasimet, ku brumosur me shprehje të tjera figurative, që i japin vlerën kryesore këtij epi.

Po sjellin disa prej tyre: krahasime: “ Si bebëzën e syrit të më ruante “ (f. 184), “Si ndonjë statujë e mermertë” (f. 146); metafora: “xixa të zjarrta sytë i lëshuan” (f. 147), “Ecë, Allahu i lartë, inshalla, me krahë të mbuloftë” (f. 142)

Në vargjet e kësaj poeme është dhënë bukur edhe nderimi i besimit të tjetrit, i cili është virtyt shembullor i shqiptarit, në këtë rast i kryetrimit Skënderbe. Ja se si shprehet poeti:

“Bënë të gjithë Kryq, përveç të huajit [...]” (f. 128).

Përliçevi me shumë mjeshtëri ka ngjizur në vargjet e tij dhe një varg fjalësh të urta, të cilat janë kultivuar në mënyrë të mrekullueshme në traditën gojore shqiptare:

“Nderi i një ushtari është pushka”(f. 104); “Guximi lind fitoren, frika ikjen”(f. 1 40); “Gëzimi është fuqi i hidhërimit, sëmundja është fqinja e shëndetit”(f. 113); “Këshilla e urtë qeverisë shtëpinë, /arën në tokë dhe në det anijen / këshilla shpëton kombet dhe qytete”(f. 89).

Në disa tablo poetike, sikur “dëgjojmë tingujt e lahutës’ kësaj vegle muzikore të vjetër shqiptare, duke përcjellë ngjarje e të bëma të luftërave fitimtare të kryetrimit Skënderbe.

Është mjaft domethënës vlerësimi i profesor Anton Nikë Berishës në përmbyllje të parathënies së këtij libri: “[...] epi i tij “Skënderbeu” kushtuar kryetrimit tonë, e përligj atë në mënyrën më të thellë: është shkruar me një dashuri e ngrohtësi të jashtëzakonshme, sikur çdo pjesë e qenies së tij të ishte ngjizur krejtësisht me gjak dhe rrënjë arbërore – shqiptare, duke i ngritur Gjergj Kastriotit, një përmendore poetike të rrafshit të lartë dhe derisa të çmohet arti i fjalës dhe mesazhi artistik, ajo do të mbijetojë” (f. 52)

Leximi i këtij libri, sikur natyrshëm përputhet me atë thënien e njohur të Réne Descartes : “Leximi i të gjitha librave të mirë është sikur bashkëbisedimi me mendjet më të mira të shekujve të kaluar”.

Kjo poemë e lidhur ngushtë me këtë mendim të Dekart-it, shpalos në mënyrë artistike të bëmat e kryetrimit Skënderbe, nga një mendje e ndritur e poet i talentuar, Grigor Përliqev.

Prishtinë, dhjetor 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat