Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale (4)

Kultura

Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale (4)

Nga: Dr. Qazim Namani Më: 9 janar 2022 Në ora: 22:01
Dr. Qazim Namani

Tyrbja-Teqeja e Shehlerëve në Prishtinë - Kjo tyrbe është e njohur sipas Sheh Mehmet Hafëz Efendisë, pronar i objektit. Tyrbja është një objekt i vogël që ndodhet pranë Kullës së Sahatit. Sheh Mehmeti i varrosur në këtë tyrbe njihej si njeri me shumë autoritet në qytetin e lindjes së tij, Prishtinë.

Sheh Mehmeti është njeriu që bëri propagandë në baza fetare për t’mos u shpërngulur popullata e qytetit në Turqi. Teqeja e Sheh Mehmetit thuhet se është ndërtuar diku rreth viteve 1925-1929, ndërsa për tyrben nuk dihet data e saktë e ndërtimit[1].

Tarikati i Sheh Mehmet Hafëz Efendisë ka qenë kaderinj, ai vdiq në vitin 1947. Në objektin e teqesë ndodhet edhe biblioteka e Sheh Mehmetit me libra të vjetër deri 700 vjeçar, të shkruara në gjuhën arabe, turke, perse dhe frënge, si dhe dorëshkrime, që ende nuk janë studiuar[2].

Familja e Sheh Mehmetit në oborr e kishte një dud të moçëm të njohur si Dud-shami ose Sham –dudi, i sjellë nga Siria para rreth 200 vjetësh. Nga ky dud i njohur si Dud-ilaçi (ilaçi i manit) ku nga frytet e tij përgatitet një lëng shërues dhe thuhet se nuk gjendet askund në Gadishullin Ballkanik. Lëngu i përgatitur jepej falas për qytetarët që e kërkonin për shërimin e gojës, të fytit dhe të lukthit[3].

Sylejman Kylqe shkruan se në telegramin e 29 mars 1910 është organizuar kryengritja prej 2000 vetë nga populli i kazave të Prishtinës dhe Vushtrrisë dhe i okupuan rrugët e Llapit dhe Gallapit duke i ftuar popullatën t’ju bashkoheshin. Kryengritja ishte bërë për heqjen e taksës së otrovës (taks në administratën osmane).[4]

Në telegramin e datës 19 prill 1910 njoftohet se para kryengritjes së Llapit dhe Gallapit, Jahja Efendiu nga Prishtina në dyqanin e Kafexhi Rifatit i ka varur në qafë një fletë kalendari pulës që një shqiptar po e sillte për ta shitur në tregun e Prishtinës, duke kërkuar taksë prej tij. Çallak Mahmudit nga lagjja e Prishtinës ramazanije i ka marrë për taks otrove një kokërr nga 8 kokrra vezë, dhe se ka gënjyer një shqiptar për tu kthyer në fshat, duke i thënë se do ti merren 9 grosh e gjysmë taksë për mjekër. Kjo gënjeshtër kështu është përhapur në popull.[5]

Pas hapjes së fjalëve se do të merret taks nga pulat dhe për mjekër, është organizuar tubimi i fshatrave në luginën e fshatit Dyz, Llap dhe Kulinë dhe ka filluar lufta me Shefki Pashën.[6]

Image
Prishtina e fotografuar prej lagjës së Arbërisë

Me 21 maj 1910 erdhi Mahmud Shefqet Pasha, ministër i luftës i Turqisë, i cili filloi mbledhjen e armëve në popull. Me 30 maj 1910 pasi u krye kontrolli mbi popullatën e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Drenicës, nga komanda e trup armatës së posaçme u përgatit një detashment i përbërë nga 8 batalione dhe filloi kontrollimin e rajoneve Llap e Gallap. Mahmud Shefqet Pasha me 30 mars 1910 njoftoi se sasia e armëve të mbledhura ka arritur shumën 8000 dhe parashikonte që sasia e armëve që do të mblidhej në prefekturën e Prishtinës do ta kalonte numrin 15.000 armë.[7]

Prishtina u pushtua nga serbët më 12 tetor 1912.[8] Gjatë rrugës deri në Prishtinë ushtria serbe i kishte vrarë dhe plagosur 1448 shqiptar. Një gazetar danez në atë kohë raportoi nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë edhe 5000 shqiptar pas pushtimit të qytetit.[9]

Pas pushtimit të Prishtinës nga armata serbe në vitin 1913, argjipeshkvi Mjeda bëri ankesë se 1200 besimtarë të tijë ishin konvertuar me dhunë në ortodoksë. Në maj të vitit 1913 komandanti serb i zonës së Prishtinës e informonte me mburrje Beogradin se 195 shqiptarë mysliman ishin konvertuar në Prishtinë.[10]

Image
Prishtina, tani rruga e UÇK-së

Në fillim të vitit 1913 u bë regjistrimi i popullatës dhe në Prishtinë nuk regjistrohet asnjë shqiptar. Në vitin 1915 një gazetar rus kishte raportuar se gjysma e popullatës ishte shqiptare. Në vitin 1916 sipas regjistrimit bullgar në Prishtinë u regjistruan 11.486 shqiptar.[11]

Në muajin shkurt të vitit 1914 Qeveria Serbe e nxori dekretligjin për rregullimin e rajoneve të “porsaçliruara”, kështu për vendosje të kolonëve serb Nikolla Pashiqi i bleu 3000 hektarë tokë afër Prishtinës.[12]

Në fshatrat e kolonizuara u dëbuan shqiptarët dhe përveç këtyre serbët ndërtuan edhe fshatra të reja për kolonë serb dhe i emërtuan sipas mitologjisë serbe. Në afërsi të Prishtinës themelohet Çakllavica, Devet Jugoviqi etj.

Në mes dy luftërave, nuk kishte ndonjë zhvillim të hovshëm. Në Prishtinë dhe rrethinë u vendosën shumë kolonë, u përvetësuan tërësisht objektet e kultit ortodoks dhe filloi shpërngulja e popullatës shqiptare për Turqi. U ndërtuan objekte për pushtetarë serbë dhe argëtim të tyre. Shumë shtëpi qytetare shqiptare u bënë prona të serbëve kolon. U ndërtua ndërtesa e sotme e Unionit në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, e cila përdorej si hotel për argëtimin e pushtetarëve nga garda ushtarake muzikore e Mbretërisë SKS[13].

Image
Foto ilustrim

Kisha katolike e “Stakajve” në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1927 dhe e rrënuar në vitin 1957

Sipas shumë qytetarëve të Prishtinës që përjetuan dhunën në atë kohë, në pjesën e prapme të këtij objekti, torturoheshin për vdekje shqiptarët.

Image
Shtëpi e vjeter qytetare në Lagjen Biklia të Prishtinës.

Prishtina u bë qendër administrative e Kosovës në vitin 1947, dhe u zhvillua me një dinamikë të shpejtë duke mos i ruajtur objektet tradicionale të periudhës osmane. Sot Prishtina si qytet urban i kësaj periudhe ka ndryshuar plotësisht, me përjashtim të disa rrugëve të ngushta, ku kanë mbetur disa ndërtesa të rralla me vlerë arkitektonike të periudhës osmane.[14]

Eduard Kardeli duke i pranuar shfaqjet e nacionalizmit serb pas Luftës së Dytë Botërore tha në vitet e gjashtëdhjeta: Edhe shokët tanë të partisë u përfshinë në persekutimet shoviniste ndaj shqiptarëve, grave dhe fëmijëve të tyre.[15]/ Vijon

--------------------------------------------------------------------------------------------------

[1] Sanije Gashi, “Prishtina e fëmijërisë sime”, Prishtinë, 2013, fq. 45

[2] Po aty, fq. 45

[3] Po aty, fq. 46

[4] Sylejman Kylqe, Shqipëria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq.198,199

[5] Sylejman Kylqe, Shqipëria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq. 199, 200

[6] Sylejman Kylqe, Shqipëria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq. 209

[7] Sylejman Kylqe, Shqipria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq. 201, 202

[8] Stefan Karastefanovi, Kosova, Shkup 2007, fq 123

[9] Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.265

[10] Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.266

[11] Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.267

[12] Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.290,291

[13] SKS- Serbo-Kroato-Slovene

[14] Organizata Joqeveritare Suedeze, CHËB (Trashëgimia Kulturore pa kufij), “Trashëgimia e

Prishtinës”, Prishtinë, 2008, fq.21

[15] Stefan Karastefanovi, Kosova, Shkup 2007, fq 169

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat