Mbishkrim i poshtër serb: “Për kroat, shqiptar dhe qen ndalohet hyrja”

Kultura

Mbishkrim i poshtër serb: “Për kroat, shqiptar dhe qen ndalohet hyrja”

Dr. Qazim Namani Nga Dr. Qazim Namani Më 10 janar 2022 Në ora: 22:04
Shtëpi e vjeter qytetare në Lagjen Biklia të Prishtinës.

Urrejtja serbe ndaj shqiptarëve në Prishtinë arriti në atë pikë, saqë në vitin 1992 në Grand Hotel u var një shkrim i poshtër “për kroat, shqiptar dhe qen ndalohet hyrja”.[1]

Image
Shtëpi e vjeter qytetare në Lagjen Biklia të Prishtinës.

Në traditën qytetare për vlerat e artit, dhe dekorimet e brendshme në shtëpitë qytetare, por edhe në fshatra të komunës së Prishtinës, ishin të njohur mjeshtrit shqiptar, që lanë vepra të çmuara të traditës tonë popullore. Në gdhendjet e drurit, ashtu sikurse në gurë dhe pëlhurë, mjeshtri popullor shqiptarë, arriti të realizoj vepra të përsosura për kohën. Kryesisht në gdhendje hasim simbolet astrale, që i përdorën popujt e lashtë që nga periudhat e hershme të historisë. Zakonisht është skalitur ylli gjashtëcepësh, pastaj tetë cepësh, hëna, dielli, gjarpri dhe dekorime me motive bimore.

 

Image
Dekorimet në dru te shtëpitë qytetare në Prishtinë

Në Prishtinë, pas Luftës së Dytë Botërore, filloi të ndërtohet infrastruktura institucionale dhe urbane, me moton e ndërtimit të një qyteti me pamje urbane. Me planin urban të qytetit të vitit 1953, u rrënuan lagje të tëra së bashku me çarshinë e vjetër, duke e shkatërruar arkitekturën popullore shqiptare të periudhës turke.

Në këtë periudhë, shumë pak shtëpi qytetare arritën të shpëtojnë nga planet e qëllimshme urbane, të përpunuara në Beograd. Me këtë plan u rrënua kisha katolike e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, Sinagoga e hebrenjve etj. Në vend të xhamisë u ndërtua Teatri i Kosovës sipas arkitekturës dhe modelit sllavo-rus. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, filloi edhe rrënimi i varrezave të vjetra të qytetit.

Dy vite pas luftës, në kompleksin e varrezave, filloi të gërmohet dheu dhe me vagonë të dërgohet në tjegulloren e Shkupit. Në vitin 1947 u hartua plani që në këtë lokalitet të ndërtohet tjegullorja e Prishtinës. Punëtorët që kanë punuar në atë kohë, mbanin mend se gjatë gërmimit kanë hasur në varreza. Gërmimet i filluan edhe nën kompleksin e varrezave te shkolla e sotme fillore “Asim Vokshi” në qytet tej urës së gurit mbi hekurudhë në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë ka vazhduar edhe në vitet shtatëdhjeta, në kohën kurë ndërtohet tjegullorja e re e qytetit. Më kujtohet që si fëmijë i kemi parë buldozerët kur rrokullisën në oborrin e sotëm të tjegullores, disa dhjetëra varreza të vjetra me epitafe të shkruara në gjuhën osmane. Aty ishte edhe një varr i punuar shumë mirë me një kapak të rëndë prej metali. Prej këtyre varrezave, vetëm një familje arriti të zhvarrosë të afërmit e vetë atë kohë. Gërmimet i udhëhiqte një student shqiptar nga Maqedonia, që studionte në Fakultetin e Makinerisë. Edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, në greminën e gërmimeve të kësaj tjegulloreje u shembën afër 100 varreza të shqiptarëve nga kompleksi i varrezave të sotme të qytetit.

Image
Foto e vjetër nga Prishtina

Sipas Shaip Berilës, katër lagjet e Prishtinës së vjetër i kishin edhe varrezat e veta. Varrezat ishin përmbi varosh, te oxhaku i fabrikës së tjegullave, te Xhamia e Llapit dhe... këto varreza u rrafshuan dhe këto toka ju dhanë serbëve, por atë kohë askush nuk guxonte as të pyeste pse po bëhej kjo thotë Berila.[2]Po ashtu edhe parku i sotëm i qytetit të Prishtinës ishte kompleks i varrezave të shqiptarëve, e sidomos atyre që ishin shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Varreza të sheshta janë hasur edhe te “Fusha e Pajtimit”, afër “Bunarit të hajatit”.

Në Prishtinë janë dy lokalitete me varreza të hebrenjëve, varret e vjetra në Tauk Bahqe në madhësi 10 ari në të cilën janë varrosur 800 hebrenjë të varrosur që nga vitet 1850. Në varrezat e reja janë varrosur 200 hebrenjë prej vitit 1922.[3]

Mendoj se autori në këtë rast e shton dukshëm numrin e varreve hebraike.

Image
Sinagoga që mendohet se është bartur në hyrje të kompleksit“Emin Gjiku”
Image
Varrezat hebreje në Touk bahçe
Image
Pllaka të hebrenjve me mbishkrim të zbuluar në lagjen Tophane, foto nga Arsim Mehmeti

Fatin e varrezave të vjetra të Prishtinës, e përjetuan shumë lokalitete dhe qytete të Kosovës. Lokalitetet me kulturë materiale jo sllave, u kolonizuan me kolon të sjellë nga Serbia, të cilët ndërtuan objekte banimi mbi kulturat e qytetërimit dhe civilizimeve më të hershme në këto troje. Pas pushtimit të Kosovës, kolonët u vendosen në tërë territorin e saj, në rrethin e Prishtinës përveç qytetit, kolon u vendosën edhe në Graqanicë, Bërrnicë, Bardhosh, ku u përvetësuan varrezat, pronat, shtëpitë e banimit dhe objektet e kultit. Në Berrnicë, u përvetësuan varrezat e hershme të shqiptarëve, që sipas popullatës vendore ishin të shqiptarëve, u morën gurë varresh, pjesërisht u falsifikuan dhe me to serbët krijuan mitin për Nëntë Jugoviqët.[4]

Këta gurë janë të publikuar edhe në librin e Dragan Cukiçit dhe Milan Ivanoviqit të botuar nga Enti për Përmendore të Kulturës së qytetit të Prishtinës në vitin 1996.[5]Përshkrimi i autorëve është shumë i dyshimtë, prandaj kjo çështje mbetet të studiohet nga ekspertët eminent të kësaj fushe. Popullata autoktone shqiptare e fshatrave për rreth, ka ruajtur të dhënat se raja e Kolovicës dhe e Bërrnicës, të cilët kishin jetuar edhe gjatë sundimit osman në këto fshatra, janë shqiptar, të fisit Krasniqe dhe vëllazëri me shqiptarët e fshatit Makoc e Llukar.[6]

Prishtina, pas Luftës së Dytë Botërore, e fitoi funksionin e qytetit të rëndësishëm ekonomik dhe administrativo-politik, që i krijuan bazë materiale solide. Madhësia e qytetit matej me shkallën e inkuadrimit, numrin e kuadrove, specialistëve, shkencëtarëve, politikanëve dhe profesioneve të lira intelektuale.[7]/ Fund

 

[1]Stefan Karastefanovi, Kosova, Shkup 2007, fq.200

[2]Gazeta e përditshme “Zëri”, Prishtinë, 30 Dhjetor, 2006

[3]Çedomir Prilinçeviq, Punim Maxhistrature, Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 1985 fq.29

[4]Raif Berisha, i lindur më 1938 në fshatin Siqevë, Komuna e Prishtinës

[5]Dr. Dragan Cukic & Milan Ivanovic, “Stari nadgrobni spomenici i crkva na srpskom groblju u

Gornoj Brnici kod Prishtine”, Zavod za zastitu spomenika kulture grada Pristine, Prishtinë, 1996, fq.

12

[6]Ibrahim Namani, i lindur në vitin 1909, në fshatin Prapashticë, komuna e Prishtinës.

[7]Dr. Qazim Lleshi, “Qytetet e Kosovës”-Studim Urbanologjik”, Prishtinë, 1977 fq. 293, 294

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat