Vrasja e nostalgjisë

Kultura

Vrasja e nostalgjisë

Biser Mehmeti Nga Biser Mehmeti Më 11 janar 2022 Në ora: 20:53
Ilustrim

Gjatë tërë kohës sa zgjaste mëngjesi, i cili vinte i dërrmuar nga një rrugë e gjatë, nuk kisha guxim as dëshirë t’i hapja qepallat, të cilat nga brenda më digjeshin flakë. I mbaja të mbyllura me duar, ngase dyshoja se ato befasisht mund të më hapeshin pa iu bindur vullnetit tim. Derisa qëndroja në krahët e pritjes, pa e ditur as vetë çka prisja, me sytë e mendjes vështroja një imazh monoton, një imazh të vjetruar dhe tepër të ndryshkur. Në hapësirën e rrëpirët të atij imazhi të ngurtësuar kishte zënë vend në përrua i thellë, i cili e përshkonte hapësirën e tejdukshme nëpërmes. Nëpër rrjedhën e ujit të rrëmbyeshëm notonin do shpend me pamje ekzotike, por që në sytë e tyre të mëdhenj hetohej një uri e stërkequr, e cila ua shkatërronte lumturinë...

Edhe pasi fashitej mëngjesi, i cili tërhiqej me përtesë të madhe duke u zvarritur me këmbë të lidhura nyje nëpër një rrugë të mbushur me lisa të prerë e cunga të kalbur, sërish vazhdoja t’i mbaja qepallat e mbyllura me duart që më dridheshin nga një frikë e paqartë. Nuk kisha guxim as vullnet t’i pohoja vetes se mëngjesi ishte tërhequr me vështirësi të madhe si të ishte një ushtri që është mposhtur keq e tash nuk dëshiron të kthehet në vendlindje e turpëruar. I kredhur në një heshtje të trashur, e cila më kafshonte nëpër gjithë trupin si të ishte një bishë e egër, filloja ngadalë të vajtoja duke derdhur lot si gurra.

Dënesja për mëngjesin që e kishte vrarë dikush e pastaj qëndronte i varur në një gozhdë të ndryshkur, në një skaj të errët të dhomës, si të ishte një rrobe e vjetër që nuk i hyn në punë askujt. Lotët që më shkonin rrëke nëpër fytyrën e regjur nga koha e tërbuar kurrë nuk guxoja t’i fshija, i leja të thaheshin për një kohë të gjatë, kurse në fytyrë pastaj më krijohej një vragë e tejdukshme, e cila më shkaktonte dhimbje të reja...

Edhe kur rrija zgjuar, edhe kur flija i mbërthyer nga një ankth i vjetër, derën e dhomës së ngushtë, në të cilën mungonte ajri dhe çdo gjë tjetër, vazhdimisht e leja hapur. Dikur më kaploi dyshimi që ajo derë kurrë nuk kishte qenë e mbyllur, madje as që guxoja ndonjëherë ta mbyllja! Kisha bindje të fuqishme, nga e cila nuk mund të liroheshe edhe po të doja, se përtej mosqenies do të vinte një njeri i dashur, të cilin kurrë në jetë nuk e kam takuar, madje as trajtën nuk ia dija çfarë e kishte. Ai do të vinte me një sëpatë të mprehë në krah dhe pa folur asnjë fjalë do ta copëtonte atë imazh monoton, në të cilin jeta ime tretej kot së koti.

Mirëpo, me kalimin e kohës fillova të kredhesha në humnerën e zhgënjimit dhe të dëshpërimit. Një zë i vdekur me tinguj po ashtu monoton, më thoshte se kot po e ushqej shpirtin e dërrmuar me katikule, të cila më nuk je në gjendje t’i honepsësh... Në derën e hapur askush as nuk hynte, as nuk dilte. Me sytë e mendjes së sfilitur më dukej sikur e shihja duke hyrë një mërzi të mplakur, e cila pastaj sorollatej nëpër hapësirën e mugët.

Më vonë ajo i shtrinte krahët e gjymtë dhe më përqafonte me mallëngjim të shfrenuar, duke më dhuruar një ftohtësi që më ngrinte të tërin. Kur shfaqej një mbrëmje e stërkequr, e cila ishte e mbarsur me do ëndrra të shkapërderdhura, të cilat nuk kishin as trajtë, as formë të definuar, mërzia ngadalë e në heshtje të kobshme kredhej në një humnerë të mbushur me gjumë të rrejshëm. Pastaj nga ai gjumë i paqenë nuk mund të zgjohesha pa trokitur në derën e hapur mëngjesi i matufosur, i cili mezi e gjente rrugën për të hyrë brenda. Ai mëngjes mjaft i mplakur hynte pa e ftuar askush e pastaj si një buf i verbër i zgurdullonte sytë e mëdhenj e të mbushur me gjak e qelb.

Me çdo kusht kërkonte të gjente një shteg për t’u zhdukur nga ajo hapësirë e boshatisur. Sorollatej disa çaste e pastaj e hapte dritaren e thyer dhe nga aty rrëshqiste si të ishte një gjarpër i ngordhur. Zhdukej pa lënë gjurmë sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Aty kah mesdita me sytë e vagëlluar e shihja një kohë të sëmurë, e cila sikur në çdo çast do të vdiste. Ajo qëndronte në prag të derës. Vështronte me përtesë të madhe me sy të nxjerrë do gjëra që mungonin brenda. Pastaj kthehej mbrapa me hapa të ndrojtur... Mundohesha të ngritsha nga shtrati i vjetër e pastaj ta lusja kohën që të mos hynte brenda, sepse gjithnjë i shkaktonte dhembje në shpirt, pastaj ia verbonte te dy sytë. Mirëpo, më mungonte forca trupore. Diçka më thoshte se kot do ta lusja kohën, sepse ajo nuk e kuptonte gjuhën e time...

I kredhur në vorbullën e atij imazhi monoton, me gishtat e thatë i shprishja flokët e thinjura, të cilat, për çudi, më rriteshin shumë shpejt. Kishte raste kur në mbrëmje i prenja, kurse në mëngjes më rriteshin më shumë sesa i kisha pasur në mbrëmje! Ato lëshonin një zhurmë të thekshme që i shëmbëllente fëshfëritjes së erës kur i tund gjethet e thara. Një mendje e tërbuar më thoshte se flokët e mia nuk ishin nga qimet, por nga dheu i shkrifët.

Gjatë kësaj kohe më ngjante sikur ato kundërmonin aromën e varrit të hapur, në të cilin dekompozohej trupit im për së gjalli... Rrallë, shumë  rrallë merrja një trohë guxim që as vetë nuk e dija nga më vinte dhe e sfidoja nostalgjinë e stërkequr nga mosha e gremisur, e cila më dukej sikur m’i sillte të gjitha fatkeqësitë e jetës. Kohëve të fundit kishte zënë të më torturonte pa mëshirë një enigmë e mistershme, e cila më varej në mendje si të ishte guri i varrit: pse nostalgjia për kohën e shkuar më vështronte me përbuzje nga një skaj i atij imazhi monoton?! Ajo m’i zgurdullonte dy sy të mbushur me dhimbje, në thellësinë e të cilëve lodronte si një kalë i harbuar një trishtim i vjetër. Në fillim, kur u takova me trajtën e nostalgjisë që skërmitej si një shpirt i keq, kisha kërkuar mëshirë prej saj.

Mirëpo ajo as që kishte dashur të dëgjonte për përgjërimet e mia të stërzgjatura. Një mendje e fjetur më kishte thënë: kot përulesh, sepse nostalgjia është e shurdhër si nata e amshueshme!... Kur durimi më braktisi pa “lamtumirën e fundit” i thashë vetes me zë agresiv: do të kacafytem me nostalgjinë e le të dalë ku të dalë, ma keq nuk ka ku shkojë! Kuturisa kështu edhe pse frikësohesha se ajo mund të xhindosej edhe më shumë. Me thonjtë e gishtave të tharë fillova ta gërvishtja lëkurën e regjur të nostalgjisë, e cila i shëmbëllente hënës që është gati të perëndojë e më të mos lind. Nga dhembja e më shumë nga zemërimi nostalgjia filloi të egërsohet si një bishë e plagosur e pastaj pamëshirshëm zuri të m’i shkatërroj të gjitha organet e brendshme.

Mendimet m’u ngatërruan aq keq sa që më nuk isha në gjendje ta gjeja fillin e tyre. Me trupin e mbushur me njëqind e më shumë plagë, të cilat rridhnin gjak rrëke, u rrëzova si një lis i prerë në një skaj të dhomës së ngushtë. Më ngjau sikur zura të vdisja ngadalë në një qetësi të çartur. Në kokë më shkrepi një trill i marrë që zuri të më torturonte pa mëshirë: kush do ta varroste trupin tim të vdekur?!... Përtej mosqenies i dëgjoja krrokamt e thekshme të korbave, të cilat sikur e kërkonin trupin tim të dekompozuar për ta ngrënë... Një zë i paqartë më thoshte: kot qëndron në shkretëtirën e pritjes! Askush nuk ka për të ardhur për të të varrosur!..

Me hapa të ndrojtur zura të zvarritem nëpër hapësirën e atij imazhi monoton, mbi të cilin ishte shtrirë një errësirë e vdekur. Nuk e dija nga shkoja e as nga vija. Diçka e pazakonshme kishte ndodhur në jetën time, e cila as nuk dukej, as nuk zhdukej. Jeta ime së bashku me kohën qëndronin pezull, mbi një hapësirë të ngurtë, të mbushur me zbrazëtirë dhe kotësi të paanë. Me sy të vagëlluar në atë imazh monoton e mjaft neveritës i shihja do gjëra të paqena, të cilat i trillonte mendja e sfilitur.

Befas ndjeva se djersë të ftohta akull ma përshkonin fytyrën dhe gjithë trupin e dërrmuar. Gjakoja të arratisesha nga hapësira e atij imazhi që po më mbyste ngadalë e në heshtje, por në të gjitha anët ishte rrethuar me mure të forta dhe të larta, të cilët kurrë nuk mund t’i kapërce ja... E vetmja mënyrë për t’u arratisur nga ky imazh i stërkequr është të shtrihem e të flejë, kurse në gjumë do të harroj çdo gjë! i thashë vetes me zë të heshtur që pastaj ushtonte nëpër hapësirën e dhomës së ngushtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat