“Përroi i idealit” të një burrneshe

Kultura

“Përroi i idealit” të një burrneshe

Më: 12 janar 2022 Në ora: 12:06
Ilustrim

Zakonisht thuhet se nuk jetohet nga ideali, por nga puna! Megjithatë, kur puna ka qëllimin e vet të lartë, kur puna kuptohet si frymëzim që buron nga ideali kombëtar apo shtetëror, atëherë pa dyshim që rrohet edhe nga ideali! Dëshmi e kësaj është zonja Dinore Curri Hasanmetaj nga Vushtria.

Ndonëse shumë e re kur u burgos burgjeve jugosllave, nën akuzën “organizatore e demonstratave të 2 dhe 3 prillit të vitit 1981” dhe e dënuar me 11 vite burg, burrnesha Dinore për asnjë çast nuk rreshti së punuari për ideal. “Përroi i idealit” të saj ishte shumëfish më i rrëmbyeshëm sesa të gjitha forca e të gjitha mekanizmave policore jugosllave, që atëbotë ushtrohej mbi shqiptarët me qëllim të thyerjes së shpirtit të tyre revolucionar.

Natyrisht, në kushte të egra burgu, madje edhe më të egra veçanërisht për shqiptarët, Dinore Curri nuk do t’ia dalë që të vazhdojë me përcjelljen e idealit kombëtar tek shokët, shoqet, tek gjenerata që po jepte mesazhe të qarta se ora e lirisë po punonte dhe se nuk do të ndalej deri në momentin e çlirimit të plotë! Këtë fakt kjo burrneshë e vuante shumë, e kishte dhimbje edhe më të trishtë se sa të gjitha torturat serbo-sllave që ushtroheshin për t’ia thyer shpirtin.

Dinore Curri do të gjejë mënyrë për ta ngushëlluar veten dhe për të vazhduar me kalitjen e idealit të vet edhe në kushte burgu! Në punëtorinë për rrobaqepësi brenda burgut, Dinora do të nisë të qepë dhe të punojë veshje tradicionale shqiptare. Një burg të tërë do ta kalojë duke qepur veshje kombëtare.

Pas vuajtjes së dënimit, Dinore Curri, meqë e kishte të pamundur shkollimin e mëtejmë apo edhe punësimin, do të martohet në Strellc. Do të lindë dhe do t’i rrisë dy fëmijë në kushte shumë të rënda ekonomike. Ideali do t’i vije në ndihmë! Do të nisë me qepjen dhe punimin e veshjeve tradicionale shqiptare. Është e pasionuar pas veshjeve tradicionale të Dukagjinit!

Qysh në fillim, këtë punë ajo nuk e llogariti si përpjekje për ta siguruar kafshatën e gojës për vete, për fëmijët, për familjen, por, mbi të gjitha, si angazhim kombëtar për t’i ruajtur të gjitha finesat, madje deri në detajet më të imta të veshjeve tona tradicional.

Punëtoria e Dinore Currit Hasanmetaj është muze etnologjik më vete, që vazhdimisht “përtërihet” me kostume popullore të porositur nga shqiptarët gjithandej botës. Këtë burrneshë, edhe në ditët më të vështira të jetës së saj, gjallë e mbajti ideali kombëtar dhe, edhe më tej vazhdon që të mbetet gjallë duke u ushqyer nga ideali!

Dinore Hasanmetaj është më se e bindur se veshja tradicionale shqiptar është më e bukura në botë, prandaj kurrë nuk do të rresht së shërbyeri kësaj “bukurie” – të bukurën e kombit të vet ta mbajë në jetë dhe ta kultivojë si të vetmen veshje që i rri tamam idealit kombëtar.

Vështirë se mund të ketë diçka më ideale se sa të rrisësh fëmijët dhe të mbash familje me punëtorinë ku kultivohet dhe përcillet brez pas brezi trashëgimia materiale si vlerë e veçantë e identitetit kulturor të etnosit tonë. Kontributi i Dinore Hasanmetajt është i baras-vlefshëm me punën e një akademie etnologjike që po na mungon, e një institucioni nacional kulturor që do të merrej me qepjen dhe ruajtjen e të gjitha vlerave autentike të veshjeve tona tradicionale. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat