Madhështia që nuk zbehet dot

Kultura

Madhështia që nuk zbehet dot

Vjollca Aliu Nga Vjollca Aliu Më 2 shkurt 2022 Në ora: 17:49
Anton Çetta, Zekeria Cana, Flamur Gashi

Çdo vit, kur në kalendarin e jetës shënojmë datën 2 shkurt, s'ka sesi të mos na ringjallen kujtimet për fushat e pajtimit të gjaqeve, për nismëtarët e asaj lëvizjeje atdhetare, për familjet, të cilat për hatrin e atdheut e për respekt të grave e të burrave pajtimtar falnin gjakun e më të dashurve të tyre. Posa t'i kujtojmë ato vepra madhore atdhetare, s'ka sesi të mos na kujtohet edhe ai zëri plot butësi burrërore i profesor Anton Çettës, i cili në momentin e shtrëngimit të duarve për pajtim, u thoshte: "Qofshi faqebardhë!"

Sot, kujtimet tona rikthehen, shënohet 32-vjetori i aksionit atdhetar e humanitar për faljen e gjaqeve në Kosovë, i cili filloi me nismën e të rinjëve dukagjinas, të cilët me besimin e plotë në ballë vunë plakun e urtë, profesorin Anton Çetta.
Më 2 shkurt 1990 filloi ora e madhe e historisë, për "hatrin e atdheut" e për respekt të pajtimtarëve, fushat e gjëra, odat e kodrinat po mbusheshin me mijëra njerëz. Tani, për të shtri dorën e pajtimit, për t'i shuar ato mijëra gjaqe për vite me radhë, në Rrafsh të Dukagjinit, në Verra të Llukës, në Has, në Podrime, në Kaçanik, në Rugovë, në Llap e në Gollak, në Karadak, në Drenicë, në Shalë, në Rekë, në Rrafshin e Kosovës e kudo në vend. Ky aksion u përhap anembanë vendit. "Krushqit e pajtimit" çdo ditë e më shumë po shtoheshin, ashtu si edhe po shtohej numri i gjaqeve të falura, ku në radhën e kësaj "krushqie" ishin edhe intelektualët me autoritet tek populli: akademik Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Ramiz Kelmendi Azem Shkreli, Bajram Kelmendi e shumë të tjerë, të cilët misionin e tyre atdhetar e humanitar po e zgjeronin në nivel mbarëkombëtar, kudo ku frymohej shqip.

Tata i dy vajzave: Donika dhe Agata (Tata e quanin ato), profesori universitar, punëtori shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, mbledhësi i folklorit, njohësi i mirë i traditave dhe i kodeve zakonore të shqiptarëve, patrioti i njerëzishëm nuk po bënte më gjumë, pothuajse hiç, po shtegtonte nëpër të gjitha viset për t'i pajtuar familjet që ishin në gjak. Ai ishte i rrethuar gjithherë nga shumë të rinjë, entuziastë e të palodhur, mbështetës të tij, njërin nga të cilët, Flamur Gashin, e quante "Shkopi i pleqërisë". Dhe, bashkë e pa u ndalur, organizonin tubime madhështore, ku të pashmangshëm ishin edhe lotët, të cilët lagnin, jo rrallë, duart e shtrira për pajtim, duke i dhënë kështu fund gjakmarrjes e duke i hapur rrugë jetës vëllazërore, shoqëruar me lot gëzimi.

Në këtë rast përshkrimi e ringjallje kujtimesh, sa të mira, po aq edhe prekëse, domosdo duhet të përmend se, pjesë e asaj lëvizjeje për pajtimin e gjaqeve ishin edhe vajzat, dy nismëtaret: Hava Shala e Myrvete Dreshaj, bashkë me shoqet e tjera veprimtare, të cilat, me qasje të palëkundur e me angazhimin e tyre përkrah burrave pajtimtarë, nuk iu shqitën veprimtarisë së Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve.

Të gjithë që e njohim profesorin Anton Çetta prej librave, prej faljes së gjaqeve, prej mirësisë në fytyrën e në shpirtin e tij, sidomos kur dorështrëngoheshin duart e pajtimit, mu ashtu duhet që, brezit të ri dhe atyre që do të vijnë t'u flasim për madhështinë e tij, t'u paraqesim historinë ashtu siç ishte, bardh e zi, e me ngjyra krenarie.

Misioni fisnik i pajtimit të gjaqeve u realizua e dha efekt, i cili reflekton edhe sot. Kujtimet rikthehen, por vlera, kujdesi për atdhetarin nuk u bë meritueshëm, madje them, moskujdes e mospërgjegjësi e pafalshme! Edhe pas më shumë se 3 vjetësh (që nga 22 tetori i vitit 2018 kur u përfundua punimi i shtatores) shtatorja e misionarit pajtimtar, Anton Çetta, me dorën e zgjatur, sikur po kërkon pajtime të pandalshme, ende ka mbetë nën përkujdesjen personale të punuesit të shtatores, skulptorit ferizajas Agon Qosa, i cili në një bisedë telefonike që pata me të, më tha: "Jam në kontakt me vajzat e profesorit Anton, dhe, megjithëse u bë kaq kohë që shtatorja nuk u vendos në vendin e premtuar, do t'a mbaj nën përkujdesje, se është vepër e imja, deri atëherë kur do të vihet aty ku ajo e meriton!" Dhe, më shumë se kaq, skulptori me duart e arta, artisti i shumë veprave madhështore, entuziasti i madh në punë, e mbi të gjitha, djali plot njerëzi e plot respekt ndaj njerëzve, ashtu siç e ka edhe emrin Agon, gjatë bisedës më dha një shkëndijë shprese se, do të agoj diçka edhe më e madhe se shtatorja për atdhetarin e pavdekshëm: Anton Çetta.

Edhepse, më 10 nëntor 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës, mezi u bënë razi dhe vendosën që shtatores së profesorit Anton Çetta t'ia bëjnë vendin te Fakulteti Filologjik, kjo nuk u bë deri sot. E pafalshme kjo! Shih më pas, u mor një nismë tjetër, që kjo shtatore të vendoset më 15 janar 2021 në oborrin e Katedrales "Shën Nënë Tereza" në Prishtinë, por kjo nuk u mundësua, sepse ishin ato dy vajzat e Tatës, Donika e Agata, të cilat e kundërshtuan këtë. Ato, të vetëdijshme për vlerën e Tatës së tyre dhënë për kombin e atdheun, thanë se, misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e mbi të gjitha mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar. Kështu, ato nuk lejuan që djallëzitë e të bëmat stërkeqe gjatë dy dekadave të fundit, dhe jo vetëm, tani të mos ia lënë rehat as eshtrat nën varre Tatës së tyre dhe të gjithë atyre që u shkrinë për këtë tokë, e u bënë feniks që ne të jetojmë mbi hirin e tyre.

Derisa eshtrat e profesorit Anton pushojnë nën dheun e tokës së prarueshme, çoroditjet e marrëzishme vazhdojnë të sillen mbi tokë.

Sa të vegjël jemi përballë sakrificës së të mëdhenjve, si Anton Çetta! As kur nuk marrin përkushtimin e përgjegjësinë për t'a vlerësuar, madhështia e tij nuk zbehet dot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat