Në pranverë në anët tona, vinë veç shirat dhe zogjtë, djemtë ikin

Kultura

Në pranverë në anët tona, vinë veç shirat dhe zogjtë, djemtë ikin

Nga: Gjon Marku Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 19:35
Gjon Marku

Eh vendlindja ime, kur jam larg malli im bëhesh ti. Aty ku gjithnjë kanë kaluar udhët e mëdha e nëpër to ka ecur shegerti i vetmuar e mërgimtari i dëshpëruar, zengjini hijerëndë me karrocë a buzë saj është ndalur të pushojë gjahtari i lodhur a udhëtari i humbur. Atje kur përkulet muzgu e përgjumet maja e Velës e yjet vezullues bijën mbi pyje, kur hëna nga bjeshkët e Malit të Shenjt ja behu e kullat këndojnë këngëheshtjen, a në ag ylli i mëngjesit feks i magjishëm gjendeshe ti vendlindja ime.

Në horizont në lartësinë e bjeshkëve të Malit të Shenjtë, a në zabelet e mbuluara me sythe e lastarë të rinj, të njomë një rrethnaj yjesh mbulon qiellin e natës. Atje ku sa herë drejt teje u turren duhitë ngarkuar plot si retë me rropama mëngjeset gdhinin të mugët… idhnakë. Burrat mblidhen në kuvend e më pas vjen koha që barutit i ngjan. Shumë dallgë t’u sulmuan herë përballë e herë pas shpine, po janë thyer e shuar si mbi kryet tënd janë thyer mijëra rrufe. Zjarr që dukesh e nuk shuhesh kurrë mbete ndër shekuj Mirditë, pse shqiponjave të maleve nuk duhet me ua trazuar këngën. Nga shkrepat brofin në mbretërinë e tyre atje lart në qiell e lodrojnë, lëshojnë klithëm, dhe shigjetohen prej qiellit drejt tokës dhe zotat nga nderimi për to vetëm sfiliten. Maleve jetojnë veç të lira.

Atje në horizont ku janë malet e bekuara, e ku gjenden bjeshkët e Malit të Shenjtë, ku hëna buzëmbrëmjes del si vetull magjike apo Munella që si nuse e lazdruar mban poshtë një lumë të bardhë gjithë hijeshi ku derdhja e dallgëve tallazet e vërsulet në breg e qerthe ngrihen. Ku përplasen valët e qelqta nëpër shkëmbinj e thërrmohen e behet çikë e shkumë. Ai me gurgullimë a thua kërkon legjendat e moçme tu i ngut në breg dallgët e bardha rend lakadredhas nëpër gryka e ku ujrat e grafulluara zbresin drejt detit. Uji qelibar rrjedh. Ai me gurgullimë kërkon legjendat e humbura e unë tres shikimin në udhën e tij por tash ëndrrat, përrallat e brigjet të gjitha të humbura, e fjalët të gjitha të shurdhëta. Përskaj rrapet rrënjëthellë sajonin përralla. Shtratit të tij era rrjedh e lirë. Vërsulet ujërat teposhte. Kushdo që është i dobët ai e rrëmben.

Rrjedh pra Fani Plak e ulet nëpër gryka valëbardhë të përqafohet me vëllain e tij. E pas shiut kur rrezaton dielli mërmëris Ylberin e thurkan zanat që kudo jetojnë Lejlekë të bardhë si shenjtër në ujërat e ti dashuronin e cakërronin sqepat e bardhë.

Maleve, fushave, rrëpirave, pyjeve të gjitha të shenjta. Drejt maleve brofin shqipet. Në atë vend ku kurrë s’do ta harroj këngën e përroit e ku buzë tij manushaqet dremisin ëmbël e bukur, e buzë mbrëmjes nën qiellin e përflakur vjeshtave shihja lejlekët në fluturimin e tyre solemn e ku gjej veten të lehtë si një fllad. Në atë truall ku jam një germë e shkruar si në gurë. Në këtë vend prej guri dhe dielli.

Në prehër të këtyre mrekullive aty në Gëziq ku vinë zërat e maleve kreshtëbardha fluturojnë ëndrrat e mia, e ku zemrën lashë peng. Ku mbeti Palca ime e shpariti, varret e të parëve që më godasin me vujatje ndër mendime. Gjuha ime në çdo qelizë të trupit tim që janë ushqyer nga ky truall e ky ajër. Aty është vendi ku sofra është e shtruar për të gjithë. Në odat e burrave të ulur këmbëkryq që pinë duhan dhe flasin ku thuhet fjalë e drejtë si të jetë një fjali e thënë nga vetë zoti e pesha e saj është e rëndë. Ku të parët i kanë besua fjalës si gjuhës hyjnore. Ku fjala vret si rrufeja, ajo fyesja e pavërteta. Ku pushteti i arsyes është më i fortë nga ai që detyron.

Uji dhe fjala janë të lehta për t’u derdhur por shumë vështirë për t’u mbledhur më porosiste gjyshi. Të mos jesh rob i kujt bir,  porosisni brezat njëri -tjetrin.

Me fuqinë e zotit, jeta është detyrë e shenjtë ndër këto anë.

Nëna kur gatuante bukën kryq bënte.

Atje ku dikur kupolave madhështore, të kurorëzuara në monumente kishat kishtarët, besimtarët shtëpitë e katanditë e katundit që dikur iu përkisnin princërve fisnik arbër. Është truall ku mbinë drita në kohën pa mbarim. Aty janë të këtrciturat e patkonjve mbi kalldrëm, era e sanës. Flladi e malli, brenga dhe shpirti. Aty është vendi ku duke shkuar udhës tremb një rosë a rosak të egër. Ku dëgjoj zërin e bilbilit kënga e tij më harlis shpirtin e i jep jetë psherëtimës së zemres së re. Mëllinja pendëzezë, nën gjethet e arta mbi zaje të bardhë kruan sqepin e verdhë e pinte rrekëzën e llogoret. Diku në një degë lisi këlthet e grizhlës dëgjoj. Buzëmbrëmjeve erëkëndshme bulkthat e fushës klithin. Kur në shtëpinë e përbashkët stërgjyshore kanë pleqnauar kullat e gurit. A ku im bir me kaçurrela korb të zeza, qeleshebardhe e jelekqëndisur rend arave të pakositura pas futurave që zukasin nëpër barishte. Shtegut të zemrës erdhe bir mërmëris.

Ku gjuha e zdrukthit shushurin e baba gdhend djepin e vëllait të vogël. Aty janë rrënjët e katedrales së vjetër ku xhakonët e rinjë duarkryq përpara altarit përunjësisht dorëzoheshin priftit. Aty në Gëziq janë germat e shkruara në gurë prej stërgjyshërve fisnik arbër që përdorën për të parën herë në këtë truall fjalën Komb mbi gurë gdhendur në një epigram.

Aty ku gurët e muranave të vjetra më thonë një thirrje nën zë e më pëshpëritshin:- ti nga fis mbretërish vjen. E thonë ata që ikën. E thonë gurët në tokë e fjalë është gjithnjë e njëjtë. E të parët e tu për të mbrojtur këtë truall patën vdekje ngushëllonjëse, zemërbardhë e vigane pse vdisni për liri. Sa herë me dhimbjen u përleshën u bënë më viganë. Ne bijtë e vdekjes nuk vijmë në këtë botë vetëm me u pa, thoshin luftëtarët e lirisë me zemër shqiponje. Ku baba më porosiste ki kujdes për miqtë që kurrë s’të braktisën.

Erërat e maleve gjithandej sjellin me vete legjendat e moçme. E armiku nuk mundi të mbjellë errësirën dhe në zjarrin që vetë ndizte vetë u bë hi. Po prej nderimit për të rënët dhe bjeshkët në gjunjë ranë e Agu dhe muzgu nëpër qiell yjet bulojë si karafila të kuq. Mbi degë të thatë këndon qyqja e trishtuar. Kur dëgjoj atë qukapikun në dru e ndal çukitjen. Guximi e bën njërin.

Në atë truall ku mbinë drita e koha pa mbarim, ku mësova fjalën e parë të emrit të zemrës.

Iku nëna dhe yll u bë në qiell mbi Malin e Shenjtë buzëmbrëmjeve. Në qiell kundroj shpirtin tënd e unë kohën e mungesës tënde e mbush me klithma dhimbje. Kur jam vetëm qaj për ty teksa kujtoj çastin e ndarjes, që në shpirt ther. Më dhemb kjo ikje në pakohësi e zemrën ma mbush me drithërima kur bie mbi të rëndin trishtim e flet me gjuhen e dhembjes. Oh sa dhemb ikja.

E ty të kam dhënë pjesë në vendin më të shenjtë. E në kështjellën e shpirtit banon mirësi e saj. Ani se tek unë ka lënë heshtjen si lëngim që më flet nga larg. E malli për atë mirësi rend brenda meje në kreshtat e brengave rrëzuar. Brenda meje le një dhimbje që nuk u sos.

Gjyshi flokëthinjur gjithnjë më thoshte:- ikshim duke i ngjarë së mirës e zot të mos rrojmë bir mes të vdekurve i gjallë.

Atje ku gjendet qyteti i vjetër i Meshurdhit tash shurdh-memec ku gjenden manastire të rrënuara e ku motet e mbytura, prej heshtjes së fjetur ja lënë vendin njëri tjetrit, në ag mjegulla e mbulon magjishëm. E ngado ndjehet pesha e krrokamës të një qyteti të flijuar plot britma epike. Atij qyteti të bekuar që lindi për t’u përballur me stuhitë. Sot manastire të rrënuara zhytur në pikëllim. E ku tempujt, kishat, katedralet fshehin të fshehtën e frikshme. Në qetësinë e të vdekurve gjenden princat Arbër. Rrezet e mugëta të yjeve thyhen, bijën prej botësh të largëta magjike në murana e moçme të atij qyteti shurdh memec, përmbi kështjella, kulla e qytete.

Krrau krrau krrokëriti korbi ky zog i zi i zi si nata, krokama e tij të lemerishme që i frikësonte të gjallë e të vdekur.  Krau krrau a thua këndonte këngën e vdekjes, a fatkobin e zi ky shpendkeq. Zogjtë sakjeve ikin idhshëm. Sorrat, gjarpërinjtë, minjtë trembte ai zog i madhe që zi këndonte kangën e tij kobndjellëse. Në qiell fluturojnë shqipet e lira ani se krrokama vinin ngado të ja shuanin krenarinë e madhështinë këtij qyteti

Shpirtra që mbushin zbrazëtirën, boshin që pas ikjes mbetet. Kisha që dridhet si dikur nga vajtimet, me gjithë zërin vajtimtar të nënave që derdhen rreth arkivolit, vajtojnë thekshëm si askund tjetër në botë.

Arkëmorti zbriti udhës pa kthim në skëterrë të frikshme pa qiell e hënën i ndjekur nga shikimi i syve të zjarrtë. Ai qytet është fikur e shuar mendoj siç fiken e humbasin yjet fillikat. Për të ëndrra e papërfunduar mbeti, ai fle nënë dhe i pa zbuluar. Por lavdinë e tij se shuajti dot harresa. Ani se akoma nuk flet. Dikush thotë nëpër natë engjëjt dhe djajtë bashkohen në këtë qytet të shuar, ndërsa në kupën e qiellit thërrmohen yjet.

Eh sot katundi ngjan i ngrysur sikur të ketë rënë mortaja, pragjet thyer e konaqet e moçme mbyllur. Po mua se di përse dhe tani mendimi për shtëpinë e vjetër më bën të rrëqethem në gjumë, ndonëse kam apartamentin tim, apo mos është dhimbja për rininë e shkuar në varfëri. Por pragjet thyer e konaqet e moçme mbyllur e ai a thua përkundej në njëmijë klithma. Mbrëmjeve kotet. Shtëpitë si pika loti të ndritshme në një fytyrë të hijshme hepohen rrëzë kodrave. Eh ky është vendi im i të korrave dhe stuhive. Edhe pse në kullat njerëzit harruan emrin e tyre, në kullat e gurta që këndojnë kënge heshtjen. Mbi konakët e tu të thinjur, të moçëm nuk ka më bukë misri me çerep gatuar e nuk del më tym, po ku kanë ikur bashkëfshatarët e mijë urtakë.

Shtëpia ime aty buzë rrugës kryesore. Çudi katundi ndërron si ujku qimen. Tej në gji të shkëmbit buron një krua me ujë të kulluar si lot vashe. 

Ku shkoni sikur pyesin varret e të parëve që rendni në rrugën e harresës shqelmoni të kallumen-përrallat verbimin mistik të gjyshërve tuaj. Shpirti e tyre kalëron nëpër natë si kalorës të panjohur që tropkojnë nëpër muzg kur era fërshëllen nëpër brinja.

Netëve i pagjumë jam, në ëndërr u bef një kombëtar që erdhi nga zgavrat e thellësisë në çast një korbi zi ia behu i kobët në zgrof të hapësirës.

Nguli vështrimin përtej në lartësi në natëzezën nëpër jermin që më çmend. Nata pis e zezë. Ti je tej çdo ëndërr që mund të vij vendlindja ime.

Eh medet në pranvera në anët tona tash vinë veç shirat dhe zogjtë e djemtë ikin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat