A mund shqiptari të këndojë me çifteli në mes të Beogradit?

Kultura

A mund shqiptari të këndojë me çifteli në mes të Beogradit?

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 11:49
Ilustrim

Shoqëritë e civilizuar, shtetet e pakompleksuar nga garantimi politik dhe avancimi praktik i identitetit kulturor të çdo komuniteti që përbën shoqërinë e tërësishme të një shteti, tashmë e kanë të konsoliduar kuadrin ligjor, por dhe kanë sjellë e miratuar sërë ligjesh, konventash e deklaratash për të drejtat kulturore të çdo shoqërie! Po si qëndron puna me të drejtat kulturore të shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta etnike, e që politikisht drejtohen nga një shumicë që historikisht shqiptarin e kanë shikuar dhe trajtuar si armik potencialisht për t’u keqtrajtuar, vrarë, dëbuar e likuiduar!

Kultura, jeta kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës në Serbi dhe të shqiptarëve të Malit të Zi, perceptohet si vlerë etnike private, për të cilën, nëse angazhohen vetë do të kenë kulturë, nëse jo, atëherë janë “qenie anakronike, prapanike, analfabete” dhe këtu ndihma shtetërore nuk mund të shkojë përtej “gjestit human”! Nga ana tjetër, këto shtete, kanë edhe politikën që e zhvillojnë në kuadër të promovimit të diversitetit kulturor. Natyrisht, ky gjest shtetëror më tepër është vjedhje politike se sa angazhim shtetëror në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave kulturore të shqiptarëve. Nuk mund të ketë diversitet kulturor pa të drejta kulturore të garantuara nga shteti, e që janë në harmoni me të gjitha ato konventa e deklarata të nënshkruara për këto të drejta. Në cilët nga këta tri shtete respektohet dhe gjen zbatim në praktikë “Deklarata e Friburgut” për të drejtat kulturore?

Diversiteti kulturor arrihet vetëm në saje të vullnetit, të dëshirës dhe të detyrimit kombëtar të vetë shqiptarëve dhe jo se në këtë “larushi kulturor” paska dorë shteti, apo shoqëria shumicë që vjel taksa dhe nga shqiptari! Taksat nga turizmi në Ulqin i shfrytëzon organi shtetëror për të mirat detare dhe jo pushteti lokal, i cili me të hyrat nga turizmi në Ulqin, do t’ia dilte që të themelojë institucione kulturore dhe të zhvillojë një jetë të begatë kulturore institucionale; tërë periudhën turistik vjetore ta mbulonte me aktivitete e ngjarje kulturore. Të drejtat kulturore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës varen nga situatat politike rajonale, nga vullneti dhe “toleranca” e pushteteve nacional-raciste serbe si dhe nga tregtimi i ndonjë të drejte kulturore, varësisht nga përfitimet politike shtetërore që do t’i ketë Serbia. Në Maqedoninë e Veriut situata është edhe më katastrofale! Shqiptarët ftohen, madje edhe obligohen ligjërisht në promovimin e diversitetit kulturor, ndërkohë që “lejohen” privatisht ta zhvillojnë kulturën e vet! Për çfarë diversiteti kulturor mund të flitet kur nuk ekziston kurrfarë kuadri ligjor që garanton të drejtat kulturore shqiptare (jo të 20 përqindëshit!!!), nuk ekziston kurrfarë projekti nacional për sensibilizimin e shoqërisë maqedonase, me faktin që detyrimisht duhet të bashkëjetojnë me shqiptarët, që detyrimisht duhet të angazhohen për të drejtat kulturore si dhe për ngritjen e jetës kulturore në nivel të institucioneve nacionale. Përfshirja e një ansambli privat shqiptar në ndonjë manifestim ku në publik mund të jenë të huaj apo edhe ndonjë politikan ndërkombëtar, përfshirja e një shkrimtari shqiptar në ndonjë manifestimi letrar me karakter ndërkombëtar, luajtja e ndonjë valle popullore shqiptare nga ansambli maqedonas, duke e bastarduar atë deri në esencë, nuk është kulturë, as nuk është respektim i të drejtave kulturore, por mbi të gjitha, është përpjekje për ta kamufluar monokulturalizimin shtetëror, duke u munduar të shpërfaqin një “diversitet kulturor” formal, i cili duhet të dalë si vlerë kulturore e shumicës maqedonase.

Nuk mund të respektohet diversiteti pa të drejtat kulturore! Të drejtat kulturore janë po aq të rëndësishme sa edhe të drejtat dhe liria e njeriut! Të drejtat individuale apo kolektive të një shoqërie pa të drejta kulturore është si një kolektivitet prej skulptura mermerësh; trajta, forma njerëzish, por pa shpirt!

Ka kaluar koha e pushteteve shoviniste kur të drejtat kulturore i shihnin kryesisht në kuadër të të drejtave të minoriteteve, të kombësive apo pakicave kombëtare apo edhe të popujve autoktonë! Të drejtat kulturore sot vlerësohen si e drejtë universale, e natyrshme dhe e domosdoshme, sidomos për komunitetet e pafavorizuar. Ta gëzosh të garantuar të drejtën kulturore, do të thotë të jetosh dinjitetshëm! Le të provojë sot le të futet në një market maqedonas një shqiptar me plis të bardhë! Le të provojë një shqiptar i veshur me veshje tradicionale (pjesë e kulturës së lashtë) të futet në një lagje maqedonase! Le të provojë një shqiptar të këndojë me çifteli në mes të Beogradit, apo le ta perfomojë një element të një valle popullore në mes të Podgoricës! Do të përndiqet deri në vrasje! Sepse, në mbamendjen e tyre etnike (nëse jo edhe në gjen) elementi popullor shqiptar, nga sfera e etno-kulturës, ka ngelur si diçka e keqe dhe e pistë që duhet të luftohet pa kompromis; sakaq do t’i asocojë në qëndresë të paimagjinueshme në periudhën e përndjekjeve, dëbimeve, vrasjeve, plaçkitjeve të shqiptarëve, pasi zaptuan nga trojet etnike të shteti shqiptar. Prandaj shoqëritë joshqiptare në këto shtete e kanë shumë të vështirë ta legjitimojnë e ta pranojnë institucionalisht të drejtën kulturore shqiptare. Ndërsa është provuar mijëra herë se, shkelja e të drejtave kulturore gjithmonë ka përfunduar me konflikte, luftëra e shkatërrime të përgjithshme. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat