Aurelia Graur Voka, rumune që ia kushtoi jetën emancipimit të gruas shqiptare

Kultura

Aurelia Graur Voka, rumune që ia kushtoi jetën emancipimit të gruas shqiptare

Nga: Vilhelme Vranari Haxhiraj Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 17:18
Libri

Aurelia Graur Voka, e rritur dhe edukuar nën ndikimin e kulturës së Elena Gjikës (Dora D’Istria), meriton të renditet mes grave të shquara të Shqipërisë që jetuan e punuan për lirinë e kombit më të lashtë dhe për emancipimin e gruas. Aurelia (Ajshe Ymeri), meriton të përfshihet në këtë libër që bën fjalë për gruan shqiptare, si shumë Zonja të tjera të huaja që nuk janë kursyer por kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar për emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare

Aurelia ishte vajzë e re rumune, e lindur dhe e rritur në Transilvani, pse jo, edhe në Bukuresht, ku pati një ndikim kulture heterogjene hungareze, gjermane dhe rumune. Si e tillë ajo kishte përqafuar idetë pëparimtare të kohës. Aurelia nuk kishte lindur shqiptare, por ajo lindi fëmijë me gjak shqiptari dhe ia kushtoi jetën atdheut të saj të dytë, Shqipërisë. Kjo e re që tashmë kishte dy kombësi pasi u njoh dhe u martua me shqiptarin, me malësorin e Sharrit, me patriotin rilindas, Ajvaz Voka, dhe u vendos në Shipkovicë, në malet e Sharrit mbi Tetovë. Vendi i Shqipeve u bë atdheu i dytë i kësaj gruaje që lindi në një vit me Nënë Terezën (1910) dhe vdiq po në atë vit, më 1997, viti që u nda nga jeta e Madhja Nënë Tereza.

Ndërkohë në Rumani dhe në të gjithë kontinentin plakë një popullaritet të madh kishte princesha me origjinë shqiptare Elena Gjika, e njohur si Dora d'Istria, e cila kishte vite e larguar nga Çamëria, Korfuzi dhe Përmeti. Pse ndikoi kjo zonjë e nderuar, e njohur dhe e respektuar nga njerëzit më të famshëm të shekullit të XIX -të në formimin ideor të Aurelias? Si një humaniste e shquar e shekullit të XIX, me një aktivitet të gjerë, me ide të qarta për të ardhmen e vendeve të pazhvilluara, ajo ndikoi në rrugën e shumë njerëzve që kishin një ideal. Ky ndikim ndodhi me të renë rumune Aurelia Graur, e cila prej vitit 1932 që u martua me shqiptarin Ajvaz Voka, i vuri detyrë vetes të mësonte gjuhën shqipe.

Për këtë grua zonjë tregojnë se e mësoi shqipen brenda një nate. Kur vuri kurorë me Ajvazin, ajo me duart e saj qëndisi në një pëlhurë mëndafshi, në gjuhën shqipe këtë shprehje: "Rrnoftë Shipëria dhe na ndihmoftë Perëndia", e cila ekziston edhe sot. Kjo grua kurajoze me kulturë dhe zakone të tjera, u mësoi fëmijëve të saj gjuhën shqipe. Shtëpia e tyre në Bukuresht u bë qendra ku takoheshin shiptarët e mërguar, të cilët vazhdonin aktivitetin e Rilindasëve rreth Shoqërisë Shqiptare të Bukureshtit. Aurelia i qëndroi përkrah bashkëshortit sa herë që e arrestonin. U qëndronte si burrëreshë kontrolleve dhe bastisjeve që i bënin serbët, duke e konsideruar si familje rebele antikomuniste.

Në vitin 1941, Ajvaz Voka e transferoi familjen e tij në Shipkovicën, në këmbët e malit të Sharrit mbi Tetovë. Ajo jo vetëm e ndoqi pas Ajvazin, por edhe punoi për emancipimin e femrës shqiptare të kësaj zone deri në vitin 1997, kur mbylli svtë. Mediat rumune dhe shqiptare do të shkruanin: "U nda nga jeta Nënë Tereza e Shipkovicës," ku vinin në pah vlerat e saj si veprimtare e shquar, të gruas që nuk lindi shqiptare por punoi për çështjet e këtij kombi, i cili u bë atdheu i prehjes së përjetshme të eshtrave dhe shpirtit të saj. Për këtë arsye e kujtojmë me nderim këtë grua rumune që punoi për atdheun e saj të dytë, Shqipërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat