Po-epiko-lirika e poetit Nuhi Potoku

Kultura

Po-epiko-lirika e poetit Nuhi Potoku

Nga: Zymer Mehani Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 13:02
Zymer Mehani

S’do mend se ngjarjet dhe heronjtë historikë të popullit tonë, sikurse për shumë poetë të tjerë, edhe për penën krijuese të poetit të talentuar Nuhi Potoku janë frymëzim për të krijuar, po-epika (por edhe po-epiko-lirika) e të cilit me mprehtësinë e saj bën që te kujtesa e popullit tonë këto ngjarje të ruhen nga brezi në brez (poemat “Tuna”, “Muhaxheria e Parë”, “Porosi fyellit”, “Çmenduria në Mukje”, “Tivar” etj.) dhe heronjtë historikë (poemat “Na fal”(Demë Ahmetit), “Lindja e kreshnikut” (Hys Popovës), “Te Guri i Kripës” (Neziri i Banit me bashkëluftëtarët), “Vullnetarët e Llapit në Grykë të Kaçanikut” (Osman Pollata e Sahit Repa), “Burrë i fjalës dhe i besës” (kushtuar Abazit të Sinanit nga Murglla e Llapit, që ra heroikisht në Mitrovicë, gjatë luftës me Isa Boletinin), që realisht kanë zënë vend meritor në vetëdijen popullore, duke marrë nga shoqëria një vlerësim moral, për faktin e pjesëmarrjes së tyre në ngjarjet e përshkruara, për rolin e tyre në fatin e shtetit, të epokës ose të popullit të tyre.

Duke patur parasysh faktet historike dhe mësimet sipas urdhrit teoriko-letrar të krijimtarisë poetike, edhe poeti Nuhi Potoku arriti të ndërtojë po-epikën e tij me poemat për tribunët popullorë Demë Ahmeti, Hys Popova, Neziri i Banit dhe të një vargani të tërë bashkëluftëtarësh… Autori përdori metodën e idealizimit, duke i bërë personazhet e poemave të tij më të bukur, më sublimë dhe më inteligjentë, në krahasim me njerëzit e tjerë. Kjo konsiderohet si një monumentalitet epik. Po ashtu autori Nuhi Potoku vazhdimisht ka përdorur metaforizime:

Erdha e u ngrita gur i lartë mbi kështjellë

Që trojet tona të rikthehen

Për dritë, për diell

(poema “Na fal”

hiperbolizime:

Jam Demë Ahmeti, me 77 plagë në trup

Por kurrë gjallë e me turp

Nëpër botë 101 emra

Dikund prej xhelozisë e dikund prej qejfi

Por brenda Shqipnisë vetëm një emër-Demë Ahmeti

(Po aty)

dhe (hiperbola, metafora) krahasime epike:

Po m’dalin përpara ata burra

Me ata trupa vigajsh

Me ata sy si skifterët n’gropa

Me atë besë që s’e lunate bjeshka

(Po aty)

ku është përpjekur ta bëjë imazhin sa më përshkrues.

Në të njëjtën kohë, poeti përpiqet të përkthejë çdo episod në gjuhën e figurshmërisë poetike, duke e kthyer atë në një pamje të pavarur.

Popullata e Llapit, gjithmonë gjatë luftërave për liri pati një ndjenjë shumë të gjallë solidariteti ndaj viseve tjera të atdheut, ashtu qysh u përkrah fuqishëm me armë nga trimat shqiptarë, që i erdhën në ndihmë sa herë që pati nevojë për bijtë e tij. Prandaj po-epika e poetit Nuhi Potoku me lupën e vet do ta vë në pah edhe këtë fakt:

Dikujt n’sy Neza i ra,

Kurrë tuj knue s’e kemi pa’,

Tash na vjen Llapi e frikë s’ka,

prej Kuline janë nisë ata.

Vjen Gallapi, na vjen Shala,

Që gjithmonë Llapi i pat krah,

T’mirën e t’keqen me ta e kem nda’.

(Poema “Te Guri i Kripës”)

Tejet interesante është edhe poema “Lindja e kreshnikut” (dedikuar tribunit popullor, Hys Popova). Në këto vargje do të gjejmë dromca biografike për heroin dhe të dhëna tjera interesante për personazhin dhe rrethin ku u lind e veproi, si dhe për ngjarjet historike që në njëfarë mënyre lidhen me këtë emër.

Në dimrin e egër

Kreshniku u lind

Me emër të shkurtër pagëzohet Hys

E me histori të gjatë,

Po thonë se qielli u hap atë natë

Nënë e baba, gjysh e gjyshe dhanë uratë

Që ta kemi për dritë, për diell

Me tokë, bukë dhe ujë

Me lisa e gurë

Me gjuhë, besë e flamur

Dhe kreshnikë të trashigojnë

(Poema “Lindja e kreshnikut)

HYS POPOVA u lind në fshatin Popovë. Ky personalitet më i dalluar i kësaj ane (i Llapit), por edhe më gjerë kishte dalë si feniksi nga gjiri i popullit për t’u përpjekur në luftërat për liri, për pavarësi e për bashkim kombëtar, Prandaj, ai me punën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyeshme në histori. Hysi ishte miku dhe bashkveprimtari i trimave më të shquar të kohës, të pushkës, e të dijes, brenda e jashtë atdheut. Ai, më 1909, mbajti Kuvendin e Popovës si edhe ngriti edhe flamurin kuq e zi të Skënderbeut bashkë me bashkëluftarët e tij, që vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë gjeografike...

Kodra e Flamurit, një fushë me burra

Janë mbledhur, kah do t’jetë rruga

Një kreshnik nga Shqipnia e Vogël

Po ngritej n’këmbë si i kreshtës mal

Për bashkim me besa-besë Llap e Shalë

Hys Popova, lis i mbarë

Shqipni, paç faqen e bardhë

Ushtonin lugjet nga fjalët e burrit

-Jo Vesekovc, por Kodra e Flamurit

Lart flamuri valëvitej n’qiell

Vendi ynë i lirë për dritë e për diell

(Po aty)

Siç na e rikujton historiani llapjan Avdi Gjata, diku në një shkrim të tij, Luftërat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi u kurorzuan me sukses pas mbajtjes së Kuvendit të Popovës më 26 dhjetor 1909 të organizuar e drejtuar nga Hys Popova, Islam Ukë Bulliqi, Shaban Kapuçi nga Mihaliqi, Haxhi Sadria e shumë dijetarë e trima të tjerë. Organizimi i kuvendit ishte bërë edhe me ndihmën e me pëlqimin e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, me qendër në Shkodër.

Në vëllimin me poema të autorit Nuhi Potoku do të gjejmë edhe vargje epiko-lirike, siç janë poemat: “Çmallja e poetit”, “Porositë e poetit” (dedikim B.B), “Qasje”, “E luta Valën” e ndonjë tjetër, që janë secila me e bukur se tjetra…

Edhe po-epiko-lirika (poema epiko- lirike) e poetit Nuhi Potoku na ngazëllen me tematikën dhe motivikën, si dhe me figurshmërinë e stilin, bashkë edhe me gjuhën që autori ka përdorur në mbarështrimin e vargjeve.

Tanimë dihet se epiko-lirika përbëhet prej atyre krijimeve letrare, ku janë të ndërthurura elementet e gjinise epike me ato të gjnisë lirike.

Edhe këso krijimesh (poema) ka kultivuar pena majemprehtë e poetit Nuhi Potoku. Ato janë shkruar në vargje, njëlloj si krijimet lirike, por lexuesi jo vetëm që kupton ndjenjat e shprehura të autorit, por do të hasë edhe subjektin në to.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat