Tirana në sytë e mbesës së Radës

Kultura

Tirana në sytë e mbesës së Radës

Nga: Prof. Dr. Musa Ahmeti Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 14:02
Te busti i Jeronim de Radës në Tiranë

Në mes të vitit 2018 ishim të ftuar së bashku me dr. Etleva Lala, në vilën private të ambasadorit të Brazilit në Hungari, Shkëlqesisë së Tij, Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas

dhe bashkëshortes së tij të nderuar, zonjës Maria Clara de Abreu Rada, e cila po ashtu punonte si diplomate pranë kësaj ambasade. - Ishim të ftuar në këtë pritje të organizuar prej tyre

me rastin e largimit të tyre nga Hungaria, dhe fillimit të misionit të ri diplomatik në Shqipëri si përfaqësues të Brazilit. - Dr. Etleva Lala u kishte dhënë mësim për gjuhën

dhe kulturën shqipe të dy diplomatëve gjatë kohës që ata ishin në Budapest, gjë që e vlerësonin shumë jo vetëm për shkak të misionit të tyre diplomatik në Shqipëri, por sepse kishin një pasion të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. - Në këtë pritje, e nderuara zonja

Maria Clara de Abreu Rada, foli shkurtazi, por me shumë pasion për origjinën e saj arbëreshe e dashurinë dhe respektin që kishte për shqiptarët. Ishte shumë e lumtur që po shkonte në Shqipëri për të vazhduar karrierën dipomatike si përfaqësuese e Brazilit, në vendin e xhaxhait të saj,

De Radës, siç e quante ajo, së bashku me bashkëshortin Shqipërinë. - Nuk më ka rastisur ta takoja më zonjën e nderuar, por para disa ditësh, në Budapest, postieri na solli një zarf, në të cilin ndodhej libri i zonjës Maria Clara de Abreu Rada, gjë që ishte një surpizë e jashtëzakonshme. Duke dëshiruar t’i shpreh konsideratat dhe respektin për zonjën Rada, vendosa të shkruaj për veprën e saj, duke shpresuar se së shpejti mund të takohemi përsëri.

Center for Albanian Studies - Budapest

E apasionuar me rrugët, rrugicat, ndërtesat, njerëzit e gjithçka që ndodhej në Shqipërinë e ëndërruar kaq shumë prej xhaxhait të saj, De Radës, i cili edhe pse ia kishte kushtuar të gjithë jetën e tij Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk arriti kurrë të shkelte në tokën shqiptare, Maria Clara Rada e shikonte ndoshta Tiranën edhe me sytë e tij. Me një etje dhe dëshirë për të parë dhe fiksuar çdo gjë që shikonte në Tiranë, ajo shëtiste çdo ditë në çdo rrugë e rrugicë të Tiranës bashkë me qentë e saj të bukur, dhe me celularin e saj, me të cilin fiksonte momente nga më të ndryshmet.

Image
Ballina e librit e Maria Clara de Abreu Rada

Askush nuk e merrte me mend që Tirana ishte kaq e pasur me ilustrime murale, derisa filluam të ndjekim fotot e panumërta të Maria Clara Rada në rrjetet sociale. Me celularin e saj ajo fiksonte dhe na prezantonte një Tiranë ndryshe nga ajo që ne në mënyrë subjektive mendojmë se është. Format origjinale të artit të rrugës (street art) në Tiranë, të cilat artistët e kësaj fushe mjaft interesante i kanë paraqitur në vende nga më të ndryshmet në grafite, piktura murale, simboleve dhe vizatime, duke krijuar një art të veçantë urbanistik, artin e rrugës (street art) në Tiranë, këto vepra të bukura do të kishin mbetur absolutisht të panjohura për ne, nëse Maria Clara nuk do të kishte ndërmarrë këtë projekt kaq të bukur.

Libri i Maria Clarës përmban vetëm një numër të vogël nga sasia e madhe e fotove që ajo ka publikuar në rrjetet sociale, por monumentalizimi i tyre në libër i jep këtij projekti rëndësinë monumentale që ai ka për artin urban të Tiranës në vitet që ajo jetoi në Tiranë. Dora e stërvitur, syri i mprehtë, përqëndrimi psiqik në përbajtjen e tyre, ndjesia shpirtërore, qëllimi që ato të përjetësohen si dëshmi e një kohe, tregojnë profesionalizmin dhe guximin intelektual, për një transmetim, komunikim me të gjithë ata që dëshirojnë të shijonë këtë art sa të veçantë aq edhe të arritur.

Duke ndjekur një plan të studiuar mirë, të analizuar thellë dhe të menduar me kujdes, në këtë libër autorja arbëreshe Maria Clara Rada, ka përzgjedhur momente shumë intersante të shtrira në 380 foto-ilustrime, sipas përzgjedhjes së saj nga këndvështrimi artistik, përmbajtësor dhe simbolik, duke mos ndjekur një renditje strikte tematike, kohore apo autoriale, por duke ndjekur instinktin e saj intelektual sesi Tirana vjen të njerëzit. Në monografinë e saj “#ilustrações tiranas” diplomatja braziliane me origjinë arbëreshe shpreh në mënyrë indirekte edhe eksperiencen e saj që kishte fituar nëpër vende të ndryshme të botës ku kishte shërbyer si diplomate, pa lënë anash edhe atë të vendlindjes së saj Brazilit, si dhe të origjinës stërgjyshorëre arbëreshe nga Italia e Jugut, të cilën e kishte vizituar më shumë se një herë.

Libri #ilustrações tiranas i autores e diplomates braziliane me origjinë arbëreshe Maria Clara Rada, i botuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese “Papelaio” në Brasilia përmban disa nga përfaqësuesit më të mirë të artit të rrugës në Tiranë në vitet 2018-2021. Arti i rrugës (street art), ashtu si çdo fushë tjetër e artit, është duke ndryshuar me një ritëm e dinamikë të shpejtë, si një nga format origjinale të shprehjes shpirtërore të krijuesve të saj-artistëve, të cilët me mjeshtri pasqyrojnë në mënyra të ndryshme krijuese përditshmërinë, personazhe nga jeta e kulturës e historisë, filmit, traditës, por edhe varfërinë, e sistemin e kaluar komunist, duke i dhënë forma karakteristike e simbole, përmes ndjesisë sa reale aq edhe imagjinare jetës së sotme, përmes rikujtimit të së kaluarës së largët apo asaj të afërt.

Ky art ngërthen në vetvete porosi të caktuara simbolike, që para disa vitesh mund të vëreheshin dhe identifikoheshin vetëm në murale ose vende të caktuara të qyteteve, ndërsa sot, ato mund t’i vërejmë në forma të ndryshme të organizuara të paraqitjes të tyre, si në festivale zyrtare, ekspozita apo botime të veçanta.

Krijuesit-artistët e “street art” shpalosin veprat e tyre artistike si pjesë e jetës urbane që janë zbukurime të ambienteve, godinave dhe lagjeve, që më parë cilësoheshin si të lëna pasdore dhe pa jetë, duke i konsideruar ato si të shëmtuara dhe pa asnjë lloj vlere.

Disa nga vendet ku këto imazhe të artistëve shqiptarë dhe të huaj paraqiten janë kabinat e vjetra të telefonit, portat, muret e shtëpive, trotuaret, muret dhe fasadat e godinave dhe të pallateve etj. Aty mund të shikohen personazhe të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikatura dhe filma, peisazhe reale dhe fantastike, mozaikë, tromp l’oeils, abstrakte, portrete dhe të tjera.

Autorja arbëreshe Maria Clara de Abreu, Rada, në botimin e saj, që është një botim cilësor dhe luksoz, me anë të 380 foto-ilustrimeve të saj, që kanë dimensione të ndryshme, nuk është marrë me identifikimin e autorëve të këtyre autorëve-artisëve krijues, ngase të shumtën e rasteve ata nuk i kanë firmosur krijimet e tyre. Në këtë mënyrë, me kolazhin e saj, ajo e fut lexuesit në një botë plot pikëpyetje dhe hap një derë për hulumtime dhe kërkime për këdo që është i interesuar për më ditur më shumë. Eksformacioni, i cili sipas studiuesit danez Tor Nørretranders është mungesa e qëllimshme e informacionit, është shpesh shumë më produktiv sesa informacioni, sepse e nxit lexuesit të bëhet aktiv në kërkimin e informacionit.

Image
Mbishkrimi i varrit ne Brazil i familjareve arbersh te Maria Clara Rada

Edhe ne ramë në kurthin e eksformacionit të përdorur nga Maria Clara de Rada, dhe filluam kërkimet për autorët e këtyre ilustrimeve, duke arritur të sigurojmë disa nga emrat e krijuesve-artitëve të këtyre grafiteve, simboleve dhe pikturave urbane të Tiranës dhe Shqipërisë të cilët janë si vijon: Aida Hani, Artur Bushi, Franko Dine, Ardit Boriçi, Najada Begaj, Endrit Haxhiaj, Toni Sulo, Eljan Tanini, Vera Grace Chang, Ivo Moja, JahOne e Glow Graff (nga Bulgaria), Bifido, Davide DPA, Flavio Solo & Diamond, Noel Emilia GAZZANO, Claudia Cavallo (nga Italia), Mabel Vicentef (nga Argjentina), Yann Lazoo (nga Franca), Harriet Wood (nga Anglia), Ljiljana Galusic (nga Bosnia-Herzegovina), Stinkfish (nga Kolumbia), Theic Licuado (nga Uruguaj). Veprat artistike të tyre, arbëreshja Maria Clara Rada i ka paraqitur me një korrektësi të lartë profesionale duke ruajtur si cilësinë ashtu edhe përmbajtjen e tyre, gjë që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për t’u realizuar, për shkak të vendeve ku ato ndodhen.

Është e qartë se arbëreshja Maria ClaraRada e ka hobi fotografinë. Në fakt, ajo ka marrë pjesë edhe në konkursin “Colors of Albania,” konkurs ky i organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, ku fotografitë e saj profesionale u pritën jashtëzakonisht mirë. Ajo pohon se street art nuk është thjeshtë arti rruge, sepse pikturat, grafitet, simbolet dhe vizatimet tregojë diçka, një histori madje ndonjëherë ngërthejnë në vetvete një filozofi.

Ajo e shikon tërë këtë krijimtari artistike murale dhe tjetër nga një këndvështrim tjetër, duke e përjetuar si një rrëfim apo komunikim sa me kohën aq edhe me njerëzit, duke i dhënë shpirt përmes paraqitjes vizuale tranformimit të tij në fotografi, për t’a përjetësuar atë si një gjë që nuk duhet të harrohet dhe as të zhduket pa lënë gjurmë. Përzgjedhja e objekteve, figurave historike, njerëzve të zakonshëm, botës floreale, kafshëve, rrugëve, godinave të ndryshme, me një fjalë e përditshmërisë, po ashtu edhe e personazheve të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikaturat dhe aktorët e filmave, peisazheve reale dhe fantastikë, mozaikëve, tromp l’oeils abstrakteve, portreteve etj., të krijon ndjesi, sikur je duke bredhur rrugëve apo rrugicave, bulevardeve, shesheve, lagjeve të Tiranës apo Shqipërisë kur shfleton librin. Nga faqja e parë deri te faqja e fundit e librit, ndjehet një frymëzim shpirtëror, jo e një të huaji, po e një njeriu që në gjak, mendje e shpirt ka dhe ndan çdo gjë me Tiranën, me shqiptarët.

RRËFIMI NË VETËN E PARË I AUTORES SË MONOGRAFISË MARIA CLARA DE ABREU RADA “#ILUSTRAÇÕESTIRANAS” BOTIM I “PAPELAIO” BRASILIA MË 2021

“Gjyshi im José thoshte se babai i tij, Salvatore Rada, ishte italian – kalabrez. Salvatore emigroi në Brazil së bashku me dy vëllëzërit e tij Agostino dhe Francesco. Gjyshi im vështrirë se e njohu babanë e tij, pasi Salvatore vdiq kur José ishte vetëm dy vjeç. Gjithmonë i thuhej se babai dhe xhaxhallarët e tij flisnin një gjuhë të çuditshme. Unë jam rritur me një kurreshtje të madhe për të ditur se nga vinin Radat. Ne dinim për një regjistrim të vetëm të asaj gjuhe të folur nga tre vëllëzërit emigrantë Rada. Një mbishkrim në gurin e varrit ku Salvatore, Francesco dhe Agostino pushojnë në varrezat e Soledade de Minas, thotë:

“VOLAU IM SI MOGLOREVE

VELEM TO GAROIM CURTO VODES TO

FAGLIAS DATO JIETO MOS MO GARO

TO MO PREXIO CURTO VIMO TO COIM

AGOSTINI ITO VOLA”

Misteri zgjati deri në vitin 2001, kur një ditë, një mik na dha një të dhënë të çmuar për ekzistencën e enklavave të vogla të shqiptarëve që ishin strehuar në Kalabri dhe Siçili pas pushtimit turk në Shqipëri. A mund të jetë shqip?

Bingo! Falë internetit të fuqishëm, ne zbuluam Arbëreshët – Shqiptarët që ishin larguar nga vendi i tyre në shekullin e 15-të dhe jetojnë ende sot në Kalabri dhe në Italinë e Jugut. Ata ende flasin gjuhën shqipe arkaike – arbëreshe, një gjuhë pa ndikimin e mëvonshëm të gjuhës turke. Gjuha e stërgjyshit tim dhe e vëllëzërve të tij ishte arbëreshe. Në vitin 2001, për herë të parë që nga viti 1890, dëgjuam dhe ishim në gjendje të kuptonim parardhësit e mi. Fatkeqësisht, gjyshi im José nuk arriti të dëshmonte këtë histori.

Guri i varrit foli. Mësuam se ishte lamtumira e përzemërt dhe poetike e Agostinit ndaj vëllait të tij më të madh Francesco, i cili kishte vdekur.

“VËLLAI IM I SHQUAR.

UNË KURRË NUK DO TË TË HARROJ DHE DO TË

MË MUNGOSH DERI NË VDEKJE. MOS MË HARRO

DHE MË PRIT DERISA TË TAKOHEMI PËRSËRI.

UNË NUK DO TË TË HARROJ DHE PRES RIBASHKIMIN TONË.

VËLLAI YT AGOSTINO”

Ne gjithashtu zbuluam se Rada është familja e një prej autorëve më të shquar arbëreshë, Girolamo (ose Jeronim) de Rada, një kushëri i Salvatores, i cili gjithashtu lindi në fshatin e vogël Macchia Albanese në Kalbri. Ky zbulim më ka çuar tashmë në enklavat Arbëreshe të Macchia Albanese dhe San Demetrio Corone, në Kalabri dhe në Prizren, në Kosovë. Kështu që, një ditë, pas 500 vjetësh, një nga Radat ishte kthyer në Shqipëri! Unë pata nderin t’i shërbeja Brazilit në tokën e shqiponjave.

Ky koleksion imazhesh vjen nga dëshira për të shlyer gëzimin që kam jetuar për tre vjet në Tiranë (2018-2021) dhe privilegjin e njohjes së Shqipërisë nga afër. Ato janë pjesë e surpizave dhe ngjyrave që mbushën shëtitjet e mia nëpër rrugët e qytetit dhe vendit.

Tirana është kryeqytet i rrallë dhe i gëzueshëm. Ka vrullin e një qytetit të ri. Sapo arrita këtu, këto ngjyra, këto vizatime, ky art urbanistik më ftoi të eksploroja qoshet e vogla të qytetit. Imazhet që kam mbledhur i kam emëruar #ilustraçõestiranas. Shumë prej tyre janë rezultat i ndryshimit politik në një vend që del, jo pa shumë pengesa, nga një prej regjimeve më të mbyllura komuniste të shekullullit 20-të.

Në fillim të viteve 2000 kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kreu ndërhyrjet e para në skenën urbane të qytetit. Kam dëgjuar që ai ishte frymëzuar nga ngjyrat e Pelourinhos në Salvador, Bahia. Trendi vazhdoi dhe deri me sot qeveria e qytetit inkurajon dhe sponsorizon artistët për të pikturuar qytetin. Këto imazhe janë në kutitë e telefonit, portat, muret, pikturat murale, trotuaret... Ju mund të shihni personazhe të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikatura dhe filma, peisazhe reale dhe fantastike, mozaikë, tromp l’oeils, abstrakte, portrete dhe të tjera. Ju gjithashtu do të gjeni disa nisma spontane dhe private, disa nga këto të çuditshme dhe të imta, po ja ku janë, duke zbukuruar rrugën. Kam gjetur gjithashtu ilustrime përtej Tiranës, në të gjithë vendin. Disa nga këto ilustrime gjenden në faqet që vijojnë.

Këtu arrita rastësisht dhe me dëshirë. Unë me të vërtetë dëshiroja të përjetoja Shqipërinë dhe të rimerrja historinë e familjes sime. Në fund të misionit tim diplomatik, lë pas këto përshtypje të lumtura, miq të dashur dhe mirënjohje të thellë për popullin shqiptar për pritjen e tyre bujare.

Shpresoj të rikthehem së shpejti.

Shumë faleminderit! Mirupasfshim

Maria Clara de Abreu Rada.”

NË VIJIM SJELLIM NJË PJESË TË CITATIT PËR VIZITËN E ZONJËS MARIA CLARA RADA DHE BABAIT TË SAJ ZOTIT PAULO VICTOR RADA NË SHËN MITËR, ITALI E JUGUT, VENDORIGJINA E TYRE, QË ËSHTË BOTUAR NGA ARBËRESHËT, STËRGJYSHËRIT E AUTORES SË “#ILUSTRAÇÕESTIRANAS” BOTIM I “PAPELAIO” BRASILIA MË 2021

“Pasardhësit e De Radës ka Brazili në Itali”

“Tek muaji i llonarit, Paulo Victor Rada dhe e bila Maria Clara Rada, ka Brazilia, erdhën Shën Mitër, sa t’i rindërtojin origjinat e familjes së tyre dhe sa t’e njihjin më ka afër gjuhën dhe kulturën e stërgjyshit të tyre të njohur, poeti i madh Jeronim De Rada, ka Maqi. Është e dyta herë çë dy pasardhësit e poetit vinjen te katundi jonë, pasi çë i kanë zbuluar rrënjët e tyre arbëreshe, pothuaj rastësisht; në të vërtetë, për ndjetë kureshtjes së së shoqit të Maria Klarës për mbishkrimin e varrit të një stërgjyshi të tyre, të shkruar me një gjuhë çë nëng mund të identifikohej, mund u kish çuar origjina arbëreshe, dhe pikërisht shënmitrote, të familjes së tyre. Mbiemri Rada nëng është i zakonshëm në Brazil, por ka fillimi mendohej se ai mund të kishë një origji- në slave; vetëm pasi çë e zbuluan qenien e arbëreshëvet në Kalabri, dhe çë e shprishtin mbi internetin tekstin e gurit varri (të diktuar arbërisht por të shkruar ka një brazilian), ata arrë-vuan sa t’e kishin një përkthim, edhe po të përgjithshëm, të tekstit, por të vlefshëm sa të vërtetohej se ish vërteta arbërisht. E zbuluan, pra, se mbjatu pasi Bashkimit të Italisë, rreth vitit 1875, tre vëllezër, Francesco, Agostino dhe Salvatore Rada, kishin mëguar tek qyteti i Soledade-s dhe ka atej e kishin nisur origjinën e prejardhjes braziliane të De Radës. Gjatë ditëvet të qëndrimit të tyre Shën Mitër, të strehuar ka Qendra Studimesh Deradiane e Michelangelo La Luna-s, i ati dhe e bila, përveç se vanë tek ndarja ku u le De Rada, e patën mundësinë t’e shikojin Regjistrin e Gjendjes Civile të Bashkisë sa t’e rindërtojin gjenealogjinë e familjes së tyre...”

Me siguri Jeronim De Rada do ishte krenar me mbesën e tij, Maria Clara Rada, jo vetëm për ndjenjat e shprehura prej saj për Shqipërinë e tij të dashur, por sepse edhe për kaq pak kohë sa ndenji në Shqipëri, me librin e saj ajo arriti të krijojë një memorie për sot dhe për brezat e ardhshëm, që Tirana e tranzicionit të shihet ndryshe nga ç’duket pa fotografitë e saj. Të bukurën nuk kanë sy ta shohin të gjithë, prandaj duhet një De Rada që të na mësojë ta shohim dhe vlerësojmë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat