“Netët patriotike” dhe “borxhi në natyrë”!

Kultura

“Netët patriotike” dhe “borxhi në natyrë”!

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 14:31
Ilustrim

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për këto tri dekada nxorën dy personalitete që i bënë vetes vend në historinë kombëtare dhe që u respektuan nga faktori ndërkombëtar: Arbën Xhaferin dhe Ali Ahmetin! Derisa Arbën Xhaferi kërkonte një revolucion kulturor, i cili do të gjeneronte edhe një barazi të gjithanshme politike, Ali Ahmeti ishte njeri i aksioneve, njeri që e kishte shumë të qartë se pa një luftë e pa një revolucion politik, shqiptarët nuk do t’ia dalin kurrë që të avancojnë edhe në sferën e kulturës. Politikat e Arbën Xhaferit ishin angazhim personal vetëmohues për një identitet të qartë e të fortë kulturor, kurse politikat e Ali Ahmetit janë angazhim ekipor për barazi politike, madje edhe në sferën kulturore. Sukseset, pa dyshim që, gjithmonë janë në anën e strukturave ekipore.

Ahmeti edhe mosmarrëveshjet eventuale brenda partiake i zgjidh përmes formimit të ekipeve, edhe marrëveshjet e koalicioneve qeveritare i arrin përmes formacioneve ekipore, duke e ndarë suksesin me të gjithë. Ai kurrë nuk futet nëpër ekipe që nuk janë formacion i tij, ai nuk del garancë për asnjë strukturë që nuk ka dalë si rezultat i marrëveshjeve brenda-partiake. Ali Ahmeti u tregua i qartë, i aksioneve të qarta, i veprimeve që garantojnë suksese. Ky edhe është çelësi i fitoreve politike të njëpasnjëshme të tij.

Por, sa kanë respekt nënstrukturat (qofshin këto edhe komisionet formale) ndaj veprës, idesë, filozofisë politike të liderit të BDI? A e dinë këto nënstruktura formale se filozofia politike e Ali Ahmetit është “mirë për kombin, mirëqenie për të gjithë”?! Pa dyshim, e mira e kombit është edhe avancimi kulturor, institucionalizimi i kulturës dhe shprehja e identitet kulturor! Jo të gjithë figurat e eshalonit të dytë, të tretë, të bordeve, komisioneve, janë “ekipi” i Ali Ahmetit, pasi që ata dalin propozime nga baza, të cilën Ali Ahmeti e respekton aq shumë sa e ka ngritur në kult. Pa bazën nuk ka jetë politike! Ali Ahmeti nuk ka se çka përgjigjet as për veprimet devijante të këtyre “nusprodukteve” të dala nga baza. Thjesht, nëse dështojnë, zbret në bazë dhe kërkon emra të tjerë!

Fatkeqësisht, deri më sot, këto nënstruktura nuk kanë dëshmuar se janë respektues të paluhatshëm të porosive të liderit të tyre. Ata që në rrafshin kulturor, kanë ditur të kërkojnë prej Ali Ahmetit, duke u elaboruar deri në detaje idenë, ata kanë dalë përfitues të sigurt, sepse kanë pasur garant fjalën-besë të Ali Ahmetit. Kur është kërkuar profesionalisht themelimi i një institucioni nacional, Ansambli i Valleve dhe Këngëve popullore, brenda pak muajve kjo ide është konkretizuar. Po kështu, falë fjalës dhe angazhimit të Ahmetit është themeluar edhe njësia teatrale shqiptare në Kumanovë, me miliona euro shteti ka ndarë nga buxheti i vet për ta renovuar Teatrin Shqiptar të Shkupit, miliona euro janë ndarë edhe për Bibliotekën dhe Teatrin e Tetovës! Ai kurrë nuk ka shikuar nëse është propozim i strukturave nga partia e vet apo është kërkesë që shkon në të mirë të kombit shqiptar!

Por, ja që në këto “nënstruktura” (komisione) ka dhe nga ata fiçfiriçë që angazhohen për inat, për hakmarrje personale, pastaj, për të vjedhur, për të zhvatur, për të shantazhuar, për t’ua marrë “tallin” të tjerëve që u ndajnë projekte dhe, krejt ky pisllëk luhet edhe në emër të liderit. A mund të jetë vepër e Ali Ahmetit edhe filtrimi i anëtarit të “nënstrukturës” gjatë “netëve patriotike” me krijuese rishtake, të cilave u premtojnë përkrahje, ndërsa ua kërkojnë kthimin e “borxhit në natyrë”! Ky donzhuanizëm i tyre i dëmton artistët e vërtetë, ndërsa këta e ofendojnë personalitetin e Ali Ahmetit, sikur të ishte vetë ai fajtori më i madh! BDI-ja nuk është “shtrat i voajerëve” të papërmbushur në jetë. Ali Ahmetit kërkoni realizim të projekteve që janë në përputhje me idenë kombëtare dhe mos i kërkoni llogari për “voajerët” që të vetmin synim e kanë ta bëjnë pis edhe idenë kombëtare. Ata janë të përjashtuar nga çdo projekt kombëtar, që në start! Të tillët nuk zënë vend në asnjë ekip dhe nuk mund të llogariten bartës të asnjë projekti apo vizioni kombëtar. Baza duhet të ketë respekt të shenjtë ndaj këtij lideri, jo vetëm me votë, por edhe me të “deleguar”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat