Imzot Nikë PRELA dhe Nëna TEREZE

Kultura

Imzot Nikë PRELA dhe Nëna TEREZE

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 13:22
Im zot Nikë PRELA dhe Nëna TEREZE

Njerëzit e mëdhenj dhe të shenjtë njihen menjëherë mes veti, prej së largu apo prej së afërmi, sepse e kanë një burim të përbashkët, ZOTIN DASHURI dhe VËLLAU NJERI. Ata po ashtu së shpejti i njohin edhe të tjerët, sepse bartin dhe rrezatojnë dritën e mirësisë dhe ngrohtësinë e dashurisë, Zotin, si dhe vëllazërinë gjithënjerëzore, njeriun, njëri-tjetrin. Kështu ndodhi edhe me Imzot Nikë PRELEN (1918-1996) dhe Nënën TEREZE (1910-1997). Qysh në vizitën e parë të Nënës Tereze Kosovës, ipeshkvisë Shkup-Prizren, më 8-13 qershor 1970, u takuan dy viganat e Kishës dhe të Popullit shqiptar.

Dhe prej asaj dite nuk u ndan më, e tani lumturojnë së bashku në amshim. Mons. Nikë Prela, së bashku me Mons. Nikollë Minin, Dr. Don Gaspër Gjinin, Don Damjan Kurtin, Don Mark Sopin dhe të tjerët, themeluan revistën tonë fetaro-kulturore DRITA, e cila gati në çdo numër kishte ndonjë shënim, shkrim, lajm kushtuar Nënës Tereze. Imzot Nikë Prela e kishte takuar personalisht Nënën Tereze për të parën herë gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë. Më kujtohen fare mirë fjalët dhe vlerësimi i tij rreth këtij takimi: “Gonxhja jonë – Nëna Tereze, është Lulja më e bukur e Kishës shumshekullore dhe martire, Përfaqësuesja më e lartë dhe më e denjë e krishtërimit, kulturës dhe traditës sonë kristiane dhe shqiptare”.

Herën e dytë Nëna Tereze erdhi në Kosovë më 28 mars 1978. Me atë rast Imzot Nikë Prela, në përshëendetjen dhe pretkun e rastit në Shkup ndër të tjera tha: “O e dashura Nëna Tereze, edhe një tërmet tjetër jehoi anembanë botës (duke parafrazuar tërmetin e 26 korrikut 1963, vr. ime), kur Zoti të zgjodhi Ty për një vepër të vlerës botërore, qysh kur je nisur prej këtij qyteti, për t’i kushtuar Zotit një mision dashurie, për të hapur zhvillimin e Zotit, fjalën e Zotit, dashurinë e Zotit... Bashkë me Ty, o Nëna Tereze, unë sot në këtë meshë i falënderoj të madhit Zot për tërë të mirat që i ka derdhur anembanë botës nëpërmjet duarve tua... Oh, sa jemi të kënaqur me dhuratat e Nënës Tereze të cilën e kemi në mesin tonë!...

A thua kam arsye, a kam guxim për të thënë edhe unë: O ti Shkup, sidomos pas tërmetit të parë, edhe pas tërmetit të dytë, që e ke lëvizur Ti, Nëna Tereze, o ti komb prej të cilit ke dalur Ti, nuk je më më i vogli në botë, se mbarë bota të njeh përmes Nënës Tereze...” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Drita, 1990, fq. 239-240). Vizita e tretë e Nënës Tereze, si Nobeliste e Paqes, ishte më 27 qershor 1980. Imzot Nikë Prela në pretkun e rastit ndër të tjera tha: “Ne e presim Nënën Tereze si e pret edhe mbarë bota, si Nënën tonë, por unë do të shtoja edhe më tepër, si Zonjën e shtëpisë sonë. Ajo ka treguar edhe gjer më tani se do ta luajë këtë rol në dioqezën tonë, sepse Zonja e shtëpisë kujdeset për përparimin e shtëpisë, për të gjithë anëtarët e familjes, që tërë shtëpia të shkojë mbarë përpara.. (Dr. Lush Gjergji, vep. e cit. fq. 261-262).

Më 28 qershor 1980 Nëna Tereze ishte në Binçë për t’u takuar me meshtarë, rregultarë dhe rregulltare, si dhe me popull. Në pretkun e rastit gjatë meshës Imzot Nikë Prela ndër të tjera tha: “Më së pari e mbi të gjitha, Nëna Tereze, me shembullin dhe jetën e saj, dëshiron të ndikojë që ta shpallim, ta dërgojmë, ta dëshmojmë virtytin e amshuar, i cili kurrë s’mbaron, as pas vdekjes, dashurinë...

Në çdo njeri për ta parë vëllaun, vetë Krishtin, i cili edhe na mësoi ashtu, dhe si nënvizon Nëna Tereze duke vënë në të parin vend ata të cilët janë në fund të jetës, fëmijtë jetima etj...” (Po aty, vep. e cit. fq. 274-275). Dhe së fundi ja vlerësimi i Imzot Nikë Prelës mbi Nënën Tereze edhe në dy botime, në librin “Lule për Nënën” ku ndër të tjera shkruan: “Ajo është ndërgjegja e njerëzimit. Ajo është Ambasadorja e së Vërtetës dhe e Dashurisë, e Drejtësisë. E Vërteta e saj është aq e qartë, Drejtësia e saj është aq e mprehtë dhe Dashuria e saj është aq tërhiqëse sa që nuk mund t’u kundërshtosh qortimeve të jetës së saj të njëmendët dhe nuk mund të mos admirosh të prumët e saj ndaj Mjerimit të gjallë...” (Dr. Lush Gjergji, Lule për Nënën, Drita, 1985, fq. 7-8). “Mendoj se shembulli i Nënës Tereze është simptomatik, sepse në bashkësinë e saj gjejmë edhe klauzurën rigoroze edhe aksionin e hapur veprues, pendesë të rëndë dhe gëzim buzëqeshjeje....

Nuk mund të mos përmend shembullin e nënës së Nënës Tereze, e cila qysh më moshën e re i printe bijës së vet në rrugën e mëshirës, deri në themelimin e shoqërisë “Misionaret e dashurisë” (Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita, 2006, fq. 91; 98). Do ta përfundoj këtë paraqitje të shkurtë me një pjesë të librit kushtuar Imzot Nikë Prelës, që e kam shkruar së bashku me teologun dhe shkrimtarin e madh italian, dr. Valentino Salvoldin, ku ndër të tjera thuhet kështu: “Kjo Shenjtëreshë e Madhe, Bija e Kosovës, ishte simboli, fuqia dhe shpirti i pajtimeve në Kosovë dhe më gjerë. Në të ishte mishëruar martirizimi shumëshekullor i Kishës dhe Popullit tonë.

Ajo ishte frymëzimi ynë për shumë veprimtari dhe qëndrime, në veçanti në pajtime dhe në bamirësi. Nga ajo kemi mësuar se nëse e duam paqen, duhet ta mësojmë artin e faljes, ta ndërtojmë pajtimin nëpërmjet strategjisë jodhunore, gandiane, edhe më mirë, tereziane. Këtë strategji e ka përkrahur dhe përhapur gjithnjë Imzot Nikë Prela, presidenti Ibrahim Rugova, shumë intelektualë, sidomos rinia jonë, për ta ndalur shpirtin e urrejtjes dhe dhunës, për ta favorizuar takimin, bisedimin, dialogun dhe komunikimin ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar”. Më 3 maj 1990, me rastin e hapjes së Kuvendit të parë të “Misionareve të Dashurisë” në Bukuresht, ipeshkvi Nikë Prela, Don Lush Gjergji dhe Don Dodë Gjergji, tani ipeshkvi i Kosovës, ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni.

Nënës Tereze, në hollësi i treguam për ngjarjet e Kosovës, sidomos për pajtimin e gjaqeve dhe bamirësinë, me fjalë, me fotografi dhe incizime, aq sa kishte atëherë

Nëna Tereze ishte dukshëm e prekur, dhe me lot gëzimi tha: “Oh Zot, sa bukur, populli im shqiptar po pajtohet, po falën gjaqet! Kjo është mrekullia e Zotit”. Pastaj, e mori një letër dhe me dorën e vet e shkroi këtë porosi: “Gjithmonë shpirtnisht jam e lidhun me uratë dhe dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vlështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi këtë vepër, si dhe të gjithë atyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte. Lutem gjithmonë për ju. Zoti ju bekoftë. Lutuni për mue – edhe motrat e mija dhe fukarat e jonë.

Në Krishtin M. Tereze MC. Pastaj si post scriptum shtoi edhe këtë: “Dëshiroj që dashnijën në vepër të kallzoni për njeriun nevojtar”. Në të njëjtën ditë e shkroi edhe këtë porosi: “Pranoj thirrjen e ipeshkvit tonë Zotni Nikë Prelës dhe dëshiroj të vij në Kosovë për të mirat që me ka dhanë Zoti jetës teme. Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar. Zoti kjoft me ju dhe dashnija e pagja e Zotit gjithmonë kjoft me ju. Zoti ju bekoftë. M. Tereza MC”. Mësuesi i strategjisë jodhunore Ipeshkvi Nikë Prela besonte vendosmërisht në paqe me mjete paqësore. Ai nuk kishte dëshirë të fliste për strategjinë gandiane, por më tepër për atë tereziane, duke u mbështetur në Nënën Tereze. Me shpirtin dhe metodologjinë e kësaj Motre, ai përcillte skenat e ndryshme të dhunës dhe të luftës në Kroaci, Në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe vuante shumë për masakrime dhe dhembje. Shpeshherë e kam gjetur me sy të përlotur, në gjunjë në lutje, apo me duar të hapura drejt qiellit. Ai e urrente luftën dhe armët dhe shpesh thoshte se ku “flasin armët”, aty mendja e njeriut “bllokohet”, zemra “ndrydhet” dhe nuk mund të bëhet më asgjë përpos uratës dhe paraqitjes së vuajtjeve Zoti...

Shpeshherë njerëzit nuk e kanë kuptuar, sepse ai ishte vizionar, profet, shikonte shumë përpara, kishte parandjenja të mrekullueshme, dhe gjithnjë fliste për të mirën e përbashkët, e cila nuk është as serbe, as shqiptare, por universale, e të gjithëve dhe për të gjithë, si dhe guximi apo trimëria e paqes dhe pajtimit dhe “qyqëria” e urrejtjes dhe hakmarrjes... Kur fliste me popull, gjithnjë e përsëriste këtë: “Mos shikoni çka bëjnë apo nuk bëjnë të tjerët, sepse kështu vetëm humbim kohe, jemi në rrezik ta humbim edhe shpirtin. Të kërkojmë, përkundrazi, që ne të jemi përgjegjës për jetën dhe veprimet tona, jo për atë që nuk mund apo nuk duam ta bëjmë! Ne duhet të jemi të mirë dhe të pastër në shpirt, në zemër, si parakusht paqeje dhe pajtime, bashkëjetese...”.

Dhuratat nga Kosova Si përfundim Don Valentino SALVOLDI shkruan kështu: “Familjariteti me Imzot Nikë Prelën, miqësia me Vikarin e Përgjithshëm të Kosovës, Don Lush Gjergjin, bashkëpunimi me presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, na kanë mundësuar neve që të pasurohemi me vlera të mirëfillta në Kosovë, tokë kjo vërtet martire, por edhe vend i pëlleshëm dhe i bekuar për strategjinë paqësore jodhunore, për paqe dhe pajtim, për ide dhe ideale të larta për mbarë njerëzimin. E keqja është mjaft mirë e organizuar në botë, mirëpo nuk duhet kurrë pranuar sfidat për të keqe, sepse vetëm e mira, paqja, pajtimi, e vërteta dhe dashuria do ta çlirojnë botën. Të gjithë jemi të ftuar që ta japim “pjesën tonë më të mirë”, e jo ta sundojmë njëri-tjetrin.

Fuqia e dashurisë është shumë më e madhe se ajo e armëve, sepse ajo është e amshuar. Të kërkojmë gjërat të cilat na afrojnë dhe bashkojnë, e jo ajo ato që na ndajnë dhe përçajnë”, thoshte Papa i mirë, Gjon XXIII.. Pajtimi duhet të jetë i pakusht dhe i vazhdueshëm, për të gjithë, sepse vetëm kështu vërtet do të jemi të mirë dhe të lirë. Kush di të falë, i përngjan vetë Zotit në mirësi dhe në dashuri. Falja, domethënë hapi më i lartë dhe më i thellë i dashurisë. Duhet doemos të çlirohemi nga urrejtja, tirani i brendshëm i çdo njeriut. Me botimet tona mbi Kosovën, ne e kemi bartë këtë përvojë të çmueshme të këtij vendi dhe populli të vogël, por me vlera të mëdha. Falja është hiri i Zotit, por edhe bashkëpunimi me njerëz të mirë. Këtë më së miri e kemi kuptuar në Kosovë.

Shqiptarët, të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe Imzot Nikë Prela, të frymëzuar nga Nëna Tereze, e kanë shpëtuar Kosovën nga përgjysmimi apo zhdukja e tërësishme, me mençuri, lartëpamësi, profetizëm. Kështu, të them disi në mënyrë alegorike dhe figurative , “e kanë detyruar” Zotin, por edhe mbarë botën, për t’iu ndihmuar dhe për t’i shpëtuar. Kjo është vepra e Zotit në ditët tona! ... por dhurata më e madhe e Kosovës, së paku për ne, është e Lumja Nëna Tereze, dhe së bashku me të, edhe Imzot Nikë Prela, Ipeshkvi i dashur nga të gjithë, Njeriu vërtet i Zotit, Kishës dhe Popullit! (Don Lush Gjergji – Don Valentino Salvoldi, Imzot Nikë Prela njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, Velar-DRITA, 2010, fq.44-45). Zoti e shpërbleftë Imzot Nikë Prelën me pavdekësi dhe lumturi, kurse ne, populli dhe Kisha e tij, gjithnjë e kujtofshim dhe kurrë mos e harrofshim. Pushoftë në paqe! Amen. Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat