Përse kaq shumë “etje” për konkursin e botimeve!?

Kultura

Përse kaq shumë “etje” për konkursin e botimeve!?

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 14:13

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një herë në vit, sapo të shpallen rezultatet e konkursit vjetor edhe për botimin e librit (gjithçka botohet e më së paku letërsi e mirëfilltë), për disa ditë ngrihet pluhur në shenjë të pakënaqësisë.

Më të pakënaqur dhe më të zëshëm janë shqiptarët, të cilët çuditërisht tregojnë një “etje” të jashtëzakonshme për botimin e librit, që as për së afërmi nuk është në proporcion me realitetin, sa që ta merr mendja se ata ditë e natë, pa pushuar, “lexojnë e lexojnë” libra.

Ministria e Kulturës zakonisht përkrah mbi 100 tituj në gjuhën shqipe, të cilat tituj, fatkeqësisht, nuk din askush të tregojë se ku përfundojnë. Çfarë në fakt ndodh?

Rrëfimet urbane thonë se kjo “etje” për botim ka bërë që shumë persona juridik të krijojnë një mirëqenie të lakmueshme ekonomike, thonë se disa kanë blerë banesa në qytetet ku jetojnë, vila e banesa në bregdetin shqiptar, disa me vite të tëra, ndonëse nuk punojnë askund, përmes botimeve e manifestimeve, sigurojnë rrogë mujore edhe mbi 1 mijë euro, kurse personat fizik, zakonisht, me botimin e një libri sigurojnë një pushim të mirë familjar gjatë verës. Çka nuk flasin “gojëkëqijtë”, të cilët gjithashtu thonë (natyrisht duke mbetur në sferën e spekulimeve) në këto operacione financiare ka edhe sekserë, të cilët janë ndërmjetësues mes atyre që konkurrojnë e atyre që vendosin për fatin e librit. Një fjalë e urtë thotë: “aty ku ka tym, ka edhe zjarr”, ndaj dhe gjithçka është e mundur. Nga ky “gatim” që bëhet në katër sy, më së shumti e pëson librit, letërsia dhe ata pak botues serioz që kanë treguar se nuk janë të varur nga konkurset e tilla.

Por, që të ndahet shapi prej sheqerit, gjithsesi është e nevojshme të bëhet një prerje e thellë, përkatësisht një reformë serioze edhe në lëmin e botimeve, krejt kjo për ta vënë botimin e librit në binaret e duhura. Nuk është fshehtësi se shumica e zhvatësve të këtyre mjeteve, botimin e librave (botojnë nja 50 ekzemplarë, të cilat si të obligueshme dorëzohen në Bibliotekën Universitare të Shkupit dhe në Ministrinë e Kulturës, thjeshtë për ta dëshmuar realizimin e botimit) e bëjnë me anë të fotokopjeve. Krejt ky proces mund t’ju kushtojë një 100 apo 150 euro, ndërkaq “fitimi” i pastër ndonjëherë sillet, për një titull, edhe mbi 2 mijë euro. Reforma mund të realizohet shumë thjeshtë: botuesit apo individët t’i botojnë librat, kurse një komision i posaçëm dhe i specializuar le t’i vlerësojë dhe le të propozojë për blerjen e së paku 100 ekzemplarë të një titull, kuptohet me çmim të arsyeshëm që do t’i ndihmonte botuesit së paku të mbulojë një pjesë të mirë të çmimit të shtypit. Po të ndodhte kjo, automatikisht, do të ndryshonte gjendjen dhe libri shqip do ta merrte të mbarën dhe nuk do të kishim botime me fotokopje, botime me përmbajtje të dyshimtë, botime të njëjta që janë botuar dy – tri vite me radhë, por me tituj të ndryshëm, nuk do të kishim botime me kopertina të lidhura mbrapsht e kështu me radhë. Tash mund ta kemi të qartë se përse kjo “etje” për të botuar libra, të cilat nuk e di askush se ku përfundojnë.

Mos të keqkuptohemi, libri shqip duhet të përkrahet ashtu siç e meriton, e jo të nënçmohet nga disa tregtarë të imtë që shiten si botues dhe nga sekserë. Duhet të përkrahet ashtu siç përkrahet libri i botuesve maqedonas, të cilët, megjithatë, në këtë drejtim janë shumë më serioz. Praktika e deritanishme e mbrapshtë e politikës shqiptare që të insistohet si e si në sasi, ka bërë që cilësia të ngelë në pikën zero.

Duhet theksuar edhe faktin se rreth këtyre çështjeve me vite flitet dy –tre ditë, edhe atë në mënyrë sipërfaqësore dhe pastaj gjithçka heshtet. Meqë u përmend heshtja, atëherë është mirë të heshtin edhe ata individë që janë të përlyer mirë e mirë me yndyrën e lekëve dhe mos të shiten se janë të brengosur me këtë çështje që shkaktojnë shumë pakënaqësi. Të heshtin, sepse bëhen qesharak.../ HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat