Kritere maqedonase për botime shqiptare!?

Kultura

Kritere maqedonase për botime shqiptare!?

Më: 1 mars 2022 Në ora: 13:25
Ilustrim

Reagimet më të theksuara të shqiptarëve, sapo të publikohet Programi vjetor nacional i Ministrisë për Kulturë, janë sidomos në fushën e Letërsisë dhe veprimtarisë botuese. Dhe, fatkeqësisht, çdo vit luhet e njëjta lojë, ndërsa shqiptarët assesi ta kuptojnë hilenë! Kjo njësi e sektorit të Veprimtarisë Artistike është gjithnjë nën “mbrojtjen nacionale” maqedonase dhe, assesi të hiqet dorë nga truqet idiotike që pasqyrojnë urrejtje të ulët kundër kulturës, aktivitetit letrar e botues të shqiptarëve. Natyrisht, kjo ndodhë ekskluzivisht për shkak të vetë shqiptarëve, sepse ose korruptohen që në start të planifikimit të Programit, ose anëtarët shqiptarë të komisionit janë aq shumë të djallëzuar sa janë në gjendje që për një plesht ta djegin tërë jorganin.

Buxheti për Letërsi dhe veprimtari botuese është relativisht i madh, por qëllimisht i segmentarizuar në disa drejtime! Nga ky buxhet formohet një buxhet i veçantë për veprimtarinë përkatëse të institucioneve nacionale, një për manifestime dhe një për shfrytëzuesit e tjerë ku bëjnë pjesë subjektet fizike, subjektet juridike, festivalet dhe manifestimet e ndryshme letrare. Diferencën e theksuar e bëjnë sidomos manifestimet dhe institucionet nacionale, të cilat kanë buxhete pothuajse ekskluzivisht për projektet maqedonase. Është për t’u habitur me faktin që në këtë program kulturor përfshihen edhe institucione kulturore e arsimore, historike e arkivore, të cilët natyrisht që kanë buxhetin e vet vjetor për aktivitet, për mirëmbajtje e për funksionim normal nga vetë themeluesi i tyre. Kanë buxhet për aktivitete dhe, mbase, për të njëjtat aktivitete konkurrojnë edhe nëpër dikastere të tjera!

Prej 4.622.000 denarë apo 75.000 euro, të ndarë për projektet letrare dhe botuese të institucioneve nacionale vetëm 6 projekte me buxhet prej 640.000 den (10.300 euro) janë të institucioneve nacionale shqiptare, kurse 35 projekte me buxhet prej 4.622.000 (75.000 euro) i përkasin institucioneve nacionale maqedonase. Kurse për festivale dhe manifestime letrare kanë fituar 35 projekte me buxhet prej 7.258.928 den. Në këtë veprimtari shqiptarët kanë fituar 6 projekte me 1,008,238 den. ose 16,360 euro, kurse 29 projekte me buxhet prej mbi 100 mijë euro kanë shkuar për shoqatat dhe institucionet maqedonase. Shto këtu edhe 10 milion denarë apo 162 mijë euro për Manifestimin Ndërkombëtar “Netët Strugane të Poezisë”.

Këto fakte fare nuk u bëjnë përshtypje as funksionarëve shqiptarë në këtë dikaster, por as “komisionarëve injorantë”, të cilët, të ekzaltuar deri në delir nga fakti që partia i ka angazhuar në argatllëk konkret, duke përfituar nga rasti që t’i shërojnë frustrimet e akumuluara që kur për zeje shpirtërore kanë kuptuar diletantizmin, kryesisht përqendrohen në pjesën “Shfrytëzuesit e tjerë”, ku përfshihen subjektet juridike dhe fizike shqiptare dhe ku përqendrohen për ta nxjerrë 25 përqindëshin nga buxheti për veprimtarinë botuese të atyre që i përkasin “popullit 20 për qind”! “Shfrytëzuesit e tjerë” sivjet kanë pasur buxhet prej 58.975.008 den. ose 957.000 euro për gjithsej 430 projekte. Janë 17 subjekte juridike shqiptare që kanë fituar gjithsej 41 projekte me buxhet prej 6,291,974 den., ose 102,120 euro! Po ashtu kanë fituar edhe 50 subjekte fizike për të cilët është ndarë buxhet prej 7,959,213 den. ose 129,177 euro. Vlen të nënvizohen edhe këto të dhëna: prej mbi 90 tituj e projekte në shqip, rreth 50 janë monografi, studime, vepra shkencore, historike etj. Po ashtu, janë edhe nja 10 revista si dhe një faqe elektronike për kulturë, që i bie jo më shumë se nja 40 tituj janë (!!!) beletristikë.

Nga ana tjetër, subjektet juridike, fizike, manifestimet letrare, institucionet maqedonase kanë përfituar rreth 360 projekte me buxhet prej 43 milionë denare apo rreth 700 mij euro, plus 162 mijë euro për Netët Strugane të Poezisë, plus për 29 manifestime letrare në vlere prej 100 mijë euro si dhe 35 projekte për institucionet nacionale me buxhet mbi 3.800.000 den ose 62.000 euro. Gjithsej nga Programi nacional i vitit 2022 për krijues e botues maqedonas janë ndarë mbi 65,500,000 denarë apo mbi 1,063,055 euro.

Pra, buxheti i sivjetmë për njësinë Letërsi dhe veprimtari botuese ka qenë gjithsej 80,856.000 den. apo rreth 1,312,276 euro, prej të cilave 15,898,415 den. ose 258,030 euro kanë shkuar për projektet shqiptare dhe 65,500,000 ose 1.063.055 euro kanë shkuar për projektet maqedonase.

Për çudi, në këtë Program nacional vjetor mund të hasim edhe autorë nga Shqipëria, por vetëm të përkthyer në gjuhën maqedonase. Në gjuhën shqipe, edhe sivjet, autorët nga Shqipëria dhe Kosova nuk patën “të drejtë” të botohen nga asnjë botues shqiptar. Për pasojë, hiq nja 7-8 emra seriozë, komisioni kishte vendosur që kuotën me autorë shqiptarë ta mbushë me turlifarë emra të paverifikueshëm nga askush, madje duke mos shprehur as më të voglën indinjatë për mungesën e disa shtëpive botuese tashmë të profilizuar e me emër në fushën e veprimtarisë botuese. Natyrisht, një “protestë” është dashur të shprehet, nëse nuk ka qenë strategji eliminuese e vetë “komisionarëve”, me qëllim që t’i radhisin një duzinë anonimësh për interesa të tyre meskine! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat