Balada e aktit të flijimit

Kultura

Balada e aktit të flijimit

Mr. sci. Sylejman Salihu Nga Mr. sci. Sylejman Salihu Më 6 mars 2022 Në ora: 07:20
Kompleksi Memorial në Prekaz të Drenicës

Ndonëse betimi për flijim ishte dhënë më përpara, fillimmarsi po ia sillte Jasharajve para portave të mëdha aktin final të flijimit. Jo më si një mit apo legjendë, por si një realitet që po ndodhte në një kohë reale në fund të mileniumit të dytë.

Por ka edhe diçka të tillë që ngjanë me legjendën. Tri ditë e tri net, si në legjenda i duheshin këtij aktflijimi, për t' u bërë më i plotë, për t' u bërë më sublim, për t'u bërë i përjetshëm.

Ndaj edhe akti i parë nisi me numrin 5, për të marrë trajtën e  flijimit tragjiko- heroik, sërish si në legjendat e baladat tona me numrin 7 të po atij fillimmarsi. Premtimi po përmbushej: Ne do ta bëjmë vdekjen këtu, ndaj edhe kishte ardhur momenti që t' ia jepnin trajtën  finales së madhe. Edhe hapësira skenike mezi ishte e mjaftueshme për t' i zënë të gjithë.

Rrethimi tashmë ishte bërë me mjete të rënda artilerie. Mijëra kaska kishin rrethuar kullat gjithandej. Radarët punonin poashtu. Pastaj kishte ardhur edhe urdhri: Zjarr! Por Jasharajt nuk ishin trembur, sepse kjo tashmë ishte e ditur se do të ndodhte. Edukimi për flijim ishte bërë poashtu. Etika dhe estetika e flijimit real përplotësoheshin.

Nuk u menduan aspak dhe secili dinte detyrën e tij. Pasi kishin dhënë Besa-Besën, zunë pozitat mbrojtëse në istikame dhe ia kthyen edhe ata, po me zjarrin e tyre. Por ky ishte një zjarr më ndryshe. Një zjarr lirie. Për jetë, për dashuri. Me dinjitet dhe trimëri. Të gjithë pa dallim, burra e gra, djem e vajza, fëmijë e pleq. Sepse Liria kërkon dorën e secilit. Edhe gjakun po. Secili të japë veten e tij në atë gurthemel të madh, sa të gjerë e sa të thellë, që nëpër shekuj ishte nisur por s' ishte kryer kurrë.

Plumba, predha, gjyle, mina, raketa. Sa urdhra nga kampi i armikut për sulm, për zjarr. Tym i madh ishte ngritur si re në qiell dhe i kishte mbuluar kullat. Ç' nuk ishin kujtuar për të hedhur mbi kokat e tyre por ata vetëm shkundnin hirin dhe zjarrin që u binte mbi ta. Luftë dhe vetëm luftë. Breshëri plumbash, që marrin jetë njerëzish. Pafundësisht. Deri në liri!

Por edhe këngë. Këngë për lirinë, që ishte nisur dhe që po vinte. Pëllumbat e bardhë ishin nisur. Këndonin si në një kor edhe fëmijët, edhe gratë, edhe burrat dhe mbushnin e rimbushnin rrethatoret dhe karikatorët. Korifeu u printe dhe të tjerët i mbanin ison. Pastaj qitje, shënim dhe goditje drejt tankeve dhe uniformave vrastare. Zjarr, zjarr, zjarr!

Dita e shtatë e marsit shënon epilogun e dramës tragjike. Në asnjë tragjedi të luajtur që nga antika e deri atë natë, nuk kishte pasur kaq të vdekur në skenë. Bilanci: 52. Publiku ARMIK me tanke e mbi tanke e kishte parë krejt tragjedinë nga akti i parë, por pa e ndjerë katarsisin. Vetëm Besarta e vogël ishte strukur nën magje, që kur të kalojë stuhia, t' i numëronte dhe t' i vajtonte të dashurit e saj.

Ky ishte vullneti i hyjnive. Por ajo s'mund ta bënte këtë krejt e vetmuar. Ishte tepër e vogël. U deshtë të vinte  populli. Dhe populli erdhi. I vajtoi, i këndoi dhe  i mbuloi. Por edhe filluan t' i numërojnë ditët e lirisë, që ishte nisur të vinte dhe që po vinte, me shpejtësi, sepse flija tashmë ishte bërë.

Pastaj, lavdia u erdhi bashkë me lirinë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat