135 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipet

Kultura

135 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipet

Nga: Rafail Lipi Më: 6 mars 2022 Në ora: 15:57
135 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipet

Arsimi si pjesë e superstruktures te shoqërisë në tërësi ka për funksion te pajisë me dije brezin e ri per ta bërë atë forcë lëvizëse per zhvillimin e gjithanshëm te vendit. Arsimimi i një populli është pjesë përbërëse e historisë së tij, i kushtëzuar nga rrethana të caktuara politike, shoqërore dhe ekonomike. Janë pikërisht këto rrethana që në vënde dhe popuj të ndryshëm të botës nuk kanë patur të njëjtin ritëm të zhvillimit arsimor si në kohë ashtu edhe në cilësi.

Shqipëria si pjesë përbërse e Evropës, me një pozitë të favorshme gjeografike, që njohu të gjitha rendet ekonomike-shoqërore nga bashkësia primitive, në atë skllavopronar, feudal, kapitalist e atë socialist, kryesisht për arsye politike, nuk eci me të njëjtin ritëm në drejtim të zhvillimit asimor në krahasim me vëndet e tjera. Kjo jo për arsyje se populli shqiptar nuk ka qënë arsimdashës, por duke u bërë shesh luftrash dhe duke njohur pushtues të një pas njëshëm me qëndrime shekullore, u privua nga mundesitë reale per të patur nje arsim dhe shkollë kombëtare, ndërkohë që funksiononin shkolla në gjuhë të huaja.

PERPJEKJET E PARA PER SHKOLLAT DHE MESIMIN SHQIP

Përkujtojme sot 135 vjetorin e shkollës së parë kombëtare laike shqipe të hapur në Korcë më 7 mars të vitit 1887, ndërkohë që përpjekje për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe janë bërë edhe disa shekuj më parë.

Le të hedhim nje vështrim të shkurtër në të kaluarën e largët lidhur me çështjen në fjalë: Institucione edukimi kanë ekzistuar edhe në kohën e vonë antike dhe mesjetare të hershme si ato të edukimit fizik dhe ushtarak, të edukimit fetar etj. Periudha e sundimit romak ndikoi në futjen e elementeve të latinishtes se vjetër në gjuhën e popullsisë vëndase, në kulturën materiale dhe atë shpirtrore, por pa arritur të romanizohej sic ndodhi me ndonjë popull tjetër në Ballkan. Periudha bizantine dhe ajo e pushtimit bullgar ndikuan fuqishëm në përhapjen e institucioneve fetare të krishtera, megjithse periudha e lindjes së principatave feudale shqiptare në shek 12-14 po krijonin premisa per lavrimin e gjuhës, kulturës e artit me karakteristika vëndase, arbërore etj. Ajo që e ndërpreu këtë zhvillim ishte padyshim pushtimi osman me zgjatjen e tij 5 shekullore.

Sundimi osman shënoi periudhën më të errët në historinë e popullit shqiptar në të gjitha fushat e jetës. Përpjekjet për ekzistence, për ruajtjen e identitetit te gjuhës, kulturës etj, ndeshën në pengesa të mëdha. Të vetme institucione që mbijetuan në disa krahina te vëndit ishin kishat ortodokse dhe ato katolike, të cilat u vunë në vështiresi për shkak të politikës islamizuese që ndoqi pushtuesi osman. Ne veprën e saj "Brenga e Ballkanit" anglezja Mis Edith Durham duke folur për këtë proces midis të tjerave shkruan: "Islamizmi gjatë gjithë kohës ka zhvilluar një propogandë të pandërprerë...Metodat varfanjake të kristianizmit, të krahasuara me metodat bujare e dorëhapta te islamizmit, streha e mjeruar e kishës dhe xhamia e re, mjaftonin për të bindur një popull krejt te paditur se e para po vdiste ndërsa e dyta ishte ne lulëzim." (faqe 203). Megjithatë duhet të theksojmë që zonat e thella te Malësise në Shqipërinë e Veriut i rezistuan më mirë ketij fenomeni, duke ruajtur besimin e mëparshëm të fesë katolike, ndërsa në disa krahina të Shqipërisë së Jugut u ruajt besimi i mëparshëm ortodoks, i vënë në vartesi te Patrikanës Greke të Stambollit. Ndarja e popullit shqiptar në besime të ndryshme fetare (katolike, ortodokse e muslimane), e dëmtoi shumë unitetin e këtij populli si në aspektin politik, ekonomik e kulturor, duke e bërë më të lehtë nënshtrimin e tij.

Në rrethanat e një analfabetizmi total, të vetmit që dinin shkrim e këndim ishin priftërinjtë, të cilët edhe pse në gjuhë të huaj luajtën rol pozitiv në mbajtjen gjallë të kombësise shqiptare. U shquan në vecanti priftërinjtë katolikë, që në krahasim me ata ortodoksë, ishin më të përgatitur. Në gjirin e tyre pati shumë nga ata që shërbesat fetare i bënin në gjuhën amtare, apo në kolegjet dhe seminaret franceskane krahas gjuhëve te huaja, u mësonin nxënësve shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Ka mjaft të dhëna nga dokumentacioni i shek 17 dhe 18 mbi funksionimin pranë kishave katolike të shkollave me kararerit fetar ku gjuha bazë ishte latinishtja, por në të njëjtën kohë nga klerikë të vecantë shfrytëzoheshin edhe për mësimin e gjuhës dhe gramatikës shqipe. Si tekste mësimore u përdorën veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit etj. Te tilla shkolla ishin me dhjetra, ku ndër më të njohura ishin ato te shek. XVII, ne Velë e hapur nga ipeshkvi i Lezhës, në Kurbin të Mirditës (1632), në Pllanë dhe Blinisht (1638), Himarë, Shkodër, Kosovë etj etj.

Eshtë e vërtetë që gjatë periudhes të socializmit nuk iu dha vendi i merituar përpjekjeve per mësimin e shqipes ne shkollat fetare si dhe kontributit që mund të kenë dhënë shumë nga klerikët e kohës, por të flasësh për shkolla kombëtare në kuptimin e saktë të këtij koncepti që në fillimet e shek.17, nuk është shumë e argumentuar. Gjithashtu ti quash autorët e parë që filluan botimin e veprave të tyre në gjuhën shqipe si iluministë, apo si rilindas të parë ata që hapën këto shkolla, është e parakohshme për faktin se akoma iluminizmi evropjan ishte në fazën fillestare te tij. Fillimi i iluminizmit dhe i Rilindjes Kombëtare është i lidhur me rrethana te caktuara ekonomike e shoqërore, pikërisht me fillimin e lindjes së marrëdhenive kapitaliste në prodhim dhe borgjezisë së re.

Kjo situatë pak a shumë e ngjashme, lidhur me shkollat dhe mësimin e gjuhës shqipe, vazhdoi deri në vitet para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur mësimi bëhej fshehurazi, me libra dhe pa libra, në dyqane e bodrume, në shtëpira ose shkolla te huaja. Vetëm në Shkodër dhe Manastir funksiononin disa shkolla private për djem dhe vajza, të një niveli të ulët si nga pikpamja e programit ashtu dhe nga ana metodike e pedagogjike.

(H. Myzyri, "Shkollat e para kombëtare shqipe", fq.39-40.) Megjithatë përpjekjet e mësipërme kanë rëndësi të vecantë historike dhe duhen vlerësuar pozitivisht sepse ato shërbuen si nxitje për patriotët shqiptarë brenda dhe jashtë vëndit për të kordinuar më mirë veprimtarinë e tyre dhe për ta detyruar Portën e Lartë që të njihte zyrtarisht hapjen e shkollave kombëtare në gjuhën shqipe.

SHKOLLA DHE ARSIMI SHQIP DETYRE KRYESORE E RILINDJES KOMBETARE

Iluminizmi ishte ideologjia e re që lindi ne Evropë kundër errësirës dhe prapambetjes mesjetare në fillimet e shek të shek. 18. Si një lëvizje e borgjezisë së re ajo përgatiti terrenin për fillimin e revolucioneve kundër rendit feudal, për ti hapur rrugë zhvillimit dhe përparimit shoqëror. Si në të gjitha vëndet evropjane kjo ideologji ndikoi edhe në Shqipëri. Ajo u pasqyrua në programin e Rilindjes Kombëtare të mesit të shek 19, nga përfaqësuesit e parë te saj , N. Veqilharxhi, Jeronim de Rada etj. Duke qënë se levizja kombëtare shqiptare fillimit në rrethanat e pushtimit të huaj osman, përpara saj dilnin detyra më të vështira sic ishte ajo luftës për çlirim, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet autonom ose të pavarur, zhvillimin e arsimit, shkollës dhe kultures kombëtare. Realizimi i tyre kërkonte bashkimin e popullit në luftë dhe sidomos kapërximin e përçarjes fetare. Ky bashkim mund të bëhej vetëm duke rritur ndërgjegjen kombëtare duke vënë patriotizmin mbi ndjenjat fetare. Këtij qëllimi i shërbeu parrulla e njohur e Pashko Vasës se "Feja e shqiptarit është shqiptaria".

Për rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe të ndjenjave patriotike u shrytëzua edhe trashëgimnia historike si psh origjina e lashtë pellazgjike e popullit shqiptar, luftrat heroike të udhëhequra prej Skënderbeut, lavrimi i letërsise shqipe ku në poezitë lirike e patriotike i bëhej jehonë bukurisë së natyrës dhe patriotizmit te popullit shqiptar etj. U shquan në këtë drejtim patriotët si Zef Skiroi, Jeronim de Rada, vellezerit Frasheri, Ndre Mjeda, A. Z. Cajupi, etj.

Detyrë e rëndesishme e Rilindjes Kombëtare ishte lufta për shkrimin dhe shkollën shqipe, e pare kjo jo vetëm ne planin kulturor, por edhe në atë ideopolitik. U desh një angazhim i madh për arritjen e suksesit në këtë fushë, duke filluar që nga botimi i abetareve dhe të librave në gjuhen amëtare, te përdorimit të një alfabeti të përbashkët, ngritja e ndonjë shtypshkronje, dhe sidomos për nxjerrjen e lejës për botim e librave dhe më vonë për hapjen e shkollave. Meritë të veçantë në këto drejtime pati diaspora shqiptare me shoqërite patriotike, sidomos ato të Stambollit dhe të Rumanisë. Ndër patriotët e parë që u shquan në këtë fushë ishin N. Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi , Thimi Mitko, Vëllezërit Frashëri etj, etj.

Periudha pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare te Prizrenit shënoi një rënie te përkoheshme ne luftën e armatosur per liri, por i dha një shtytje pozitive lëvizjes për hapjen e shkollave shqipe. U shquan në këtë drejtim përveç Vëllezërve Frashëri edhe Jani Vrejto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini e Koto Hoxhi. Ata botuan një seri librash të tjera shkollore, si Gramatikën, Gjeografinë, Historinë e Përgjithshme, Dituritë, Vjershat dhe mësonjetoret e para, Arithmetikën, Mirëvetinë (mësime morali) etj. (H. Myzyri "Shkollat e para kombëtare shqipe", f 46-47.) Ndërkohë që në Shqipëri funksionin një numër i konsiderueshëm shkollash në gjuhën turke, greke dhe latine, u rrit presioni nga ana e patrioteve rilindas për ta berë legale futjen e gjuhës shqipe në këto shkolla, kërkesë e cila ose u la pa përgjigje ose u refuzua si nga Porta e Lartë, ashtu edhe nga Patrikana Greke e Stambollit dhe Pleqësia e Mitropolisë së Korcës. Ishte pikërisht ky presion në rritje si nga patriotët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, ashtu edhe nga mbështetja që ata gjetën nga popullsia arsimdashëse, që Porta e Lartë, të detyrohej të jepte lejen per hapjen e shkolles se parë shqipe në qytetin e Korcës.

ÇELJA E SHKOLLES SE PARE SHQIPE NE QYTETIN E KORCES.

Çelja e shkollës së parë shqipe në qytetin e Korcës nuk ishte as veprim i çastit as edhe dëshirë e një personi te vetem. Çelja e saj ishte rrjedhim llogjik i të gjitha përpjekjeve që patriotet brenda dhe jashtë vendit bënë që në mesin e shek. te 19. Mund te lindë pyetja : Pse pikërisht ne Korcë u dha leja për hapjen e shkolles shqipe, kur dëshira dhe pëtpjekje për mësimin e gjuhës amtare eksistonte në të gjitha krahinat nga veriu deri në jugë te Shqiperisë?

Korça ishte qyteti i dytë me rëndësi ne Vilajetin e Manastirit në fundin e shek te 19, qëndër e rëndësishme tregtare, ku dy të tretat e popullsisë ishte ortodokse. Në këtë qytet kishte 3 shkolla në gjuhën turke dhe katër shkolla në gjuhën greke. Shkollat greke nga njera anë dhe kleri grek ortodoks nga ana tjeter krijuan një atmosferë helenizimi, gjë të cilën nuk e dëshironin as popullsia vendase dhe as Porta e Lartë. Pavarsisht nga presioni dhe efektet negative te politikes shkombëtarizuese, popullsia qytetare dhe sidomos ajo fshatare e Qarkut te Korçës (Kolonje, Pogradec, Bilisht), ruajtën gjuhën, zakonet e traditat tradicionale amëtare.

Gjithashtu nga Korca dhe qarku i saj pati shumë atdhetarë në kolonitë shqiptare te mërgimit, sidomos në Rumani, Bullgari dhe gjetkë, të cilët i ruajtën lidhjet me vendlindjen. Ishte pozitive fakti qe patriotët rilindas përveç popullsisë të krishterë gjetën mbështetje edhe tek ajo muslimane nga radhët e të cileve pati patriotë si Ohran Pojani dhe Alo Dishnica, që përveç se kontribuan financiarisht, morën pjesë edhe në komitetin e fshehtë kombëtar të ngritur në qytet, krahas Jovan Kosturit dhe Thimi Mitkos, komitet i cili u angazhua në përgatitjen e kushteve materiale dhe financiare per hapjen e shkolles shqipe.

Në përgjigje të kerkesave te këtij komiteti, u mblodhën vullnetarisht nga popullsia vendase dhe patriotët e shoqërisë së Bukureshtit një sasi të hollash si dhe godinën ku do hapej kjo shkollë, pikërisht në shtëpinë e bërë dhuratë nga Diamandi Terpo, anëtar i shoqerisë së Bukureshtit. Po kjo shoqëri dërgoi edhe një kontigjent të librave shkollorë. Nga ana tjetër patriotët shqiptarë në Stamboll, veçanërisht vëllezrit Frasheri, pas disa përpjekjeve të përseritura nxorën lejën për hapjen e shkollës shqipe nën emrin e Pandeli Sotirit dhe dërguan në Korçë mësues për dhënie mësimi.. Kështu, pas një përpjekje dy vjecare më 7 mars të vitit 1887 u cel shkolla e parë kombëtare laike në Korçë. Hapja e kësaj shkolle u vlerësua si një fitore e madhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo u prit me entusiazëm nga banorët vendas, ashtu. sic pati edhe reagime jo pozitive nga rrethe tëcaktuara! Te gjithë patriotët përshëndetën njëri tjetrin per fitoren e arritur. Thimi Marko në letrën që i shkruante V. Dodanit shprehej: " Dëshira jonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet ketu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla..." ( H. Myzyri vep. e cituar, fq 60.), ndërsa poeti i shquar N. Frashëri i kushtoi Mësonjtores se parë një poezi, ku midis te tjerave thote:

"Lumja ti! moj Korç'o lule!

Q'i le pas shoqet e tua

Si trimi në ball'u sule,

Ta paçm për jetë hua."

poezi të cilën e recitoi në sokaket e këtij qyteti pak kohë më parë edhe Presidenti i ynë, i frymëzuar nga

ledhatimi i flokëve te dëborës që i binin mbi supe!!!

Nën shëmbullin e shkollës së Korçës, disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë dhe Ohër dhe u bënë përgatitje në Ersekë, Leskovik, Elbasan etj. Disa vite më vonë me kontributin e familjes së Qirjazëve u hap edhe shkolla e parë për vajza (23 tetor 1891) me mësuese Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Fanka Eftimiu, Polikseni Luarasi etj. Funksionimi i këtyre shkollave ndeshi ne vështiresi nga qëndrimi jo mirëdashës i qeveritarëve turq apo e klerit orthodoks. Shumë nga partiotët u persekutuan dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre per çështjen e arsimit kombëtar si P. Sotiri, P. K. Negovani, P. N. Luarasi, Mati Logoreci, Gjecovi etj..

Populli shqiptar, si një nga popujt më të vjetër ne Ballkan, vitalitetin e vet e tregoi me ruajtjen bres pas brezi te gjuhës amtare si gjuhë e folur. Pushtuesit shekullorë i imponuan asaj mjaft huazime, shkrime me analfabetet e tyre, por nuk arritën ta asimilonin atë. Në kushtet e një analfabetizmi te plotë u takonte bijve të saj të pakët, që kishin kryer shkollat e huaja, të viheshin në drejtim të perpjekjeve për çeljen e shkollave amtare, duke i konsideruar ato si pjeseë të pandaë të luftës për liri e pavarësi. Edhe pse te kufizuara në numër ato që në fillim ndikuan në rritjen e ndërgjegjes kombëtare.

Problem që duhej zgjidhur për funksionimin normal të shkollave shqipe ishte edhe çështja e alfabetit. Ishin në përdorim më shumë se 3-4 të tilla, gjë që nuk i shërbente çështjes se unitetit kombëtar dhe lavrimit të gjuhës shqipe. Ky shqetësim u kapërxye me mbledhjen e Kongresit te Manastirit në nëntor 1908, ku pas diskutimeve të gjata u vendos përdorimi i alfabeteve të shoqerisë Bashkimi të Shkodrës dhe ai i shoqërise së Stambollit, duke i lënë rrugë të hapur alfabetit te tanishëm të shqipes, bazuar në shkronjat latine. Me të u hodhën bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe, gjuhë e cila u sanksionua me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit te Gjuhës Shqipe në nëntor të vitit 1972 në Tiranë.

GURI I THEMELIT TË ARSIMIT SHQIP

Eshtë fakt i pamohueshem historik, ashtu siç trajtuam me sipër, që shkolla shqipe e Korçës nuk ishte shkolla e parë shqipe në historinë e arsimit shqiptar, por përcaktimi i datës 7 Mars si Dita e Mësuesit dhe e festës kombëtare të arsimit është e llogjikshme. Nuk e vë në diskutim këtë çështje, pavarsisht se kohët e fundit ka patur pretendime nga studiues të ndryshëm që data perkujtimore e arsimit kombëtar të rishikohet, me pretendimin se shkolla ka patur edhe para asaj të 7 Marsit te vitit 1887. Eshtë e pranueshme që historia e popullit shqiptar ka nevojë të rishikohet për rivlerësimin objektiv të ngjarjeve dhe te figurave jashtë cdo paragjykimi dhe politizimi te saj, por për rastin konkret nuk ka të dhëna më bindëse se ato qe po praqesim më poshtë:

Duke mbështetur argumentat që historiani H. Myzyri sjell në veprën e tij te cituar, fq 61, theksoj se shkolla e Korçës në ndryshim me ato pararendëse i plotësonte kriteret që përmban koncepti "shkollë" si intitucion arsimor, ku mësohet dhe edukohet në mënyrë të organizuar me program dhe tekste mësimore, në një ndërtesë që i takon këtij institucioni. Së dyti, ajo ishte një shkollë kombëtare dhe laike që i përgjigjej idealeve që i kishin vënë përpara vehtes patriotet rilindas brënda dhe jashtë vendit. Çelja e saj ishte rezultat i përpjekjeve të përbashkëta duke kapërxyer dallimet fetare, pra në këtë aksion kontribuan ortodoksë, muslimanë e katolikë.

Së treti, mësonjtorja e Korçës ishte shkollë ku në themel te saj ishte gjuha shqipe, e cila qëndronte zonjë në vënd të vet dhe jo shërbëtore e ndonjë gjuhë të huaj. së katërti, për hapjen e shkollës shqipe në Korçë u dha për herë të parë leja zyrtare nga Porta e Lartë, gjë që indirekt e detyroi atedetyroi atë të njohë ekzistencen e kombesise shqiptare pavaresisht përkatesise fetare te saj, sidomos për krahinat e Shqiperisë së Jugut ku pretendimet ishin tri demensinale! së pesti, në mësonjtoren e Korçës, i gjithë personeli mësimdhënes ishin laikë dhe nxënësit djem dhe vajza i përkisnin të dy besimeve fetare të krahinës, duke vënë në bazë parimin e kombësisë mbi fenë. së gjashti, programi mësimor përvec gjuhës dhe letërsisë shqipe, kishte edhe lëndë plotësuese të njohurive si histori, gjeografi, dituri natyre dhe morali , mësime që ndikonin në formimin dhe rritjen e ndërgjegjes kombetare si dhe në bashkimin e vëllazerimin jo vetëm të nxënësve por edhe të prindërve të tyre. së fundi, shkolla e Korçës nuk ishte vepër apo dëshirë e një personi të vetem, por ishte rrjedhim i një angazhi total të patrioteve brënda dhe jashtë vendit, shkollë e cila hapi rrugën për një sistem masiv arsimor laik e demokratik, aq i dëshirueshëm nga masat e gjëra, barierë ndaj shkollave të huaja.

Pra si konkluzion njohja zyrtare e 7 Marsit të vitit 1887, si data e festimit të shkollës së parë shqipe, jo vetëm që nuk i mohon përpjekjet që u bënë ndër shekuj për arritjen e kësaj dite të shënuar, por ajo ishte kurorëzim i tyre. Kjo datë simbolizon paraardhjen dhe mbasardhjen e të gjitha sukseve që arritën patriotët dhe laike për çështjen e shënjtë të arsimit kombeëtar, prandaj duke përkujtuar dhe festuar këtë ngjarje ne përkulemi me respekt para veprës së tyre, vepër që shërben si gur themeli për arsimin e sotëm në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat