Mira - rusja

Kultura

Mira - rusja

Nga: Thanas Jorgji Më: 20 mars 2022 Në ora: 20:19
Thanas Jorgji

Prej ditësh nuk e kishim parë Mirën.

Mira është fqinja jonë dhe dyert e apartamenteve i kemi përballë.

Ajo është ruse, nga Moska. Mira (mir) në rusisht do të thotë: Paqe.

Me profesion ajo ka qënë mësuese, tashmë prej vitesh në pension.

Me të kemi fqinjësi të mirë. Shpesh në derë dëgjojmë trokitje të kujdesshme dhe e dimë cila është. Hapim derën dhe përtej pragut shikojmë Mirën me diçka të mbuluar në dorë.

– Sapo i bëra këto. Provojini! – na thotë duke na zgjatur pjatën me gatesa ruse.

Ose:

– Një mik/eshë më solli këto, por ishin shumë për mua. Merrini! – na thotë duke na dhënë ndonjë ushqim, perime apo fruta.

Por edhe ne nuk ia lëmë mangët. Sa herë gatuajmë diçka të kuzhinës sonë, gjithnjë do t'i japim edhe fqinjës sonë të mirë: byrek, qumështor, pengjir, speca të mbushura…

Sa herë takohemi në korridor me Mirën, ndalemi dhe flasim një copë herë. Flasim për shkrimtarët e mëdhenj rusë, për muzikën ruse, për folklorin e mrekullueshëm rus. Për liqenin e Bajkalit me ujin më të pastër në botë dhe për Vollgën-Nënë. Flasim për stepat ruse, për izbat dhe për balalajkat.

Me Mirën mbaj ende gjallë atë pak rusishte që më ka mbetur nga vitet e shkollës. Ia përmend rasat e gjuhës ruse: imenjitjelnij padjezh (rasa emërore), roditjelnij padjezh (rasa gjindore), datjelnij padjezh (rasa dhanore)…

I përmend titujt e mësimeve të dikurshme të gjuhës ruse të mësuara „raskaz“ (tregim me gojë): „Kak uçillsja Ljenin“ (Si mësonte Lenini)… „Kak zakaljallsa stal“ (Si u kalit çeliku)… „Pasllanie na Sibir“ (Internim në Siberi)…

Madje nganjëherë i këndoj nën zë këngët e famshme ruse „Pod Moskovje vjeçera“ (Mbi Moskë bie mbrëmja) ose „Oçij çjornije“ (Sy të zinj)

Unë i recitoj poezi të Pushkinit në shqip, Mira i reciton në rusisht. Fjalët janë të ndryshme, por zjarri dhe pasioni i dashurisë është po ai.

Mira habitet me njohuritë e mia mbi botën ruse dhe ndjen kënaqësi për këtë. Më rekomandon libra të shkrimtarëve të rinj rusë të cilët duhen lexuar patjetër. Më rekomandon filma rusë të cilët nuk duhen lënë pa u parë…

Si grua e thyer në moshë Mira mbahet hijshëm dhe gjithçka tek ajo dëshmon për shije të hollë e për kulturë qytetare, madje kryeqytetare. Gjithnjë me flokë të ngjyruar, të krehur me kujdes dhe të prerë bukur. Vishet shik sipas modës ruse, aq sa e vë në zili time shoqe.

– Shiko sa bukur vishet! – më thotë duke parë nga dritarja Mirën teksa kalon para nesh.

– Është moskovite, – i përgjigjem, duke besuar se e kam gjetur shkakun.

Mira ka një qen të vogël të cilin e nxjerr dy-tri herë në ditë për shëtitje dhe kjo e shton mundësinë e takimit tonë me të.

Por… ka ditë që nuk e kemi parë fqinjën tonë të mirë. Më saktë, që nga dita e parë e sulmit rus në Ukrainë.

– Nuk e kemi parë Mirën, – themi kur e kur ose unë ose ime shoqe.

– Vërtet, nuk e kemi parë prej ditësh, – thotë ose ajo, ose unë.

Dhe ja ku dje, në të perënduar të ditës u takuam në korridor me Mirën me rripin e qenit në dorë.

– Zdrastvujtje Mira! – e përshëndeta në rusisht si gjithnjë.

– Zdrastvujtje! – u përgjegj ajo me shikimin mënjanë, sikur të mos kish forcë të na shihte në sy.

– Kak djella? (rus. Si shkojnë punët?) – e pyeta sërish, duke u munduar të flas me të njëjtin ton si më parë.

Prisja të thoshte „harasho“ (rus. mirë) si gjithnjë, por nuk e tha.

– Eh, ja. Po dal pak të shëtis qenin, – u përgjegj ajo pa humor.

Në raste të tjerë, kur qeni deshte të vazhdonte rrugën drejt derës, Mira gjithnjë nxitonte ta ndalte duke e tërhequr nga rripi, për ta zgjatur pak bisedën duke i thënë:

– Varte! (gjerm. prit)

Por këtë herë nuk e bëri këtë. U shti sikur iu bind tërheqjes së rripit të qenit dhe nxitoi të largohej.

Ne qëndruam disa çaste në këmbë.

Mira, ajo moskovite e veshur me aq shije, e krehur me aq kujdes, ishte fryrë në fytyrë dhe rrudhur dukshëm.

– Si ishte bërë! – pëshpëriti me përshtypje të fortë ime shoqe.

– Po, – thashë me trishtim. – Brenda dy javësh duket sikur është plakur dhjetë vjet.

 

Mynih, 8.3.2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat