Në mjegulla tragjedish

Kultura

Në mjegulla tragjedish

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 22 mars 2022 Në ora: 13:50
Agim Xh. Dëshnica

Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,

Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon.

Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta.

Shfaqet lart nën hije resh të murme,

në kulla, bedena këshjellash tragjike.

Në pallatet e ngrysur hyn,

shkel në gjurmë,

mbretërish e mbretëresash,

princash e princesash,

kalorësish hijerëndë.

Heton me radhë intrigantë,

hapa besnikësh e rojesh,

Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;

qan të dashuruarët e pafaj;

ndëshkon vrasës të pabesë.

Në kulla, bedena e shkallë të gurta,

veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.

Ndër sallat mister, hijet sillen qark,

pa shenjë, pa fjalë, veç heshtja flet,

nga thellësi e mjegullt e kohrave.

Kupolat kumbojnë,

nga zëri titanik i perandorit:

Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!

Atëhere bjer o Qesar!

Në sallat e hollet e zymta,

ushton thirrja tragjike

e princit Hamlet:

Të rrosh a të mos rrosh,

kjo është çeshtja!

O prapësi o dreq,

që unë paskam lindur të të ndreq!

Makbeth! Makbeth!

Më kot! Më kot! lan duart e krimit;

Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!

Bujar Makdafi, vjen për ndëshkim!

Shekspiri kundron trishtueshëm,

sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.

U qetëson plagët trimave të drejtësisë,

përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;

gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;

kumte të ndritur, lë për njerëzimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat