Zhvillimi kulturor jashtë-institucional!

Kultura

Zhvillimi kulturor jashtë-institucional!

Nga: Hejza Art Më: 7 prill 2022 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Pas demokratizimit të shoqërive në hapësirat ballkanike, të cilat kaluan një gjysmë shekulli nën pushtetin centralizues dhe diktatorial, do të nisë lulëzimi i OJQ-ve si dhe i qendrave dhe institucioneve të ndryshme private nëpër sfera të ndryshme. Shumë shpejt do të nisin edhe qendrat kulturore me karakter nacional, por edhe më gjerë. Një “Ballkan të Hapur” si ky i sotshmi, e kemi hasur dekada më parë edhe në kulturë, të motivuar kryesisht sa për ta zbutur jugo-nostalgjinë. Takime teatrale, takime poetike, takime shkrimtarësh, piktorësh, filmaxhinjësh, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, në të cilat përfshihen ekskluzivisht artistët serbë, maqedonas, malazezë, boshnjakë, aty-këtu edhe kroatë e sllovenë, por në të cilat artistët dhe krijuesit shqiptarë nuk janë të mirëseardhur!

Dy janë arsyet:

1. lidhjet e hershme antishqiptare bazuar në një urrejtje nacionale të institucionalizuar kundër çdo gjëje shqiptare, pra edhe kundër kulturës shqiptare dhe,

2. mungesa serioze e vullnetit për t’u angazhuar në lëvizje dhe zhvillim kulturor jashtë-institucional tek shqiptarët.

Kjo e dyta nuk përkon me shqiptarët e Kosovës, sepse ata qysh herët kishin ngritur platformë kombëtare, strategji për angazhim politike e kulturore që i duhet një shteti të pavarur! Ata synuan tregje botërore për ta plasuar prodhimin e vet kulturor dhe, pa dyshim, në këtë plan ia dolën me sukses!

Shqiptarët e viseve të tjera etnike u detyruan në “angazhim kombëtar” për përfshirje proporcionale në të gjitha institucionet shtetërore dhe rezistenca nacionale kundër kërkesave të shqiptarëve rezultoi edhe me konflikt të armatosur (Maqedoni e Veriut, 2001)!

Si u organizuan kulturalisht (përtej institucioneve nacionale) shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Pa dyshim, organizmi kulturor qe shumë i vakët, më tepër individual ose në ortakëri sa për të ndarë përfitimet materiale nga “aktiviteti kulturor”! Nuk pati strategji të angazhimit kulturor, nuk pati ideal në atë “angazhim”, nuk u ngjall debati, nuk mori shpirt rezistenca kundër diskriminimit shtetëror në kulturë, nuk erdhi deri te ndonjë lëvizje nacionale kulturore. Kjo për faktin se mungonin financimet, por, çuditërisht, nuk mungonin direktivat dhe sugjerimet për të ardhur deri te ndonjë burim që rrjedh vetëm drejt projekteve që promovojnë “multi-kulti”, një “dukuri” aspak korrekte në raport me produksionet, artistët, krijuesit, asociacionet kulturore shqiptare.

Cilido prej shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që kërkonte ndihmë nga institucionet shtetërore apo nga fondacionet ndërkombëtare, duhej që të ofronte projekte që do ta pasqyronin “vëllazërim-bashkimin” komunist! Projektet kulturore shqiptare nuk mund të zbatoheshin “etnikisht të pastër”, por patjetër duhej të përfshinin pak kulturë maqedonase, pak shpirt maqedonas, pak kuadër maqedonas. Asnjë produksioni maqedonas, asnjë projekti maqedonas nuk i kushtëzohej sponsorimi apo donimi me përfshirjen e shqiptarëve, të shpirtit artistik e krijues shqiptar, në aktivitetet e tyre kulturore!

Përfshirja e maqedonasve, të maqedonizmës, në projektet dhe produksionet shqiptare nuk ishte për kontribut profesional në zhvillime kulturore, apo për përafrim sa më të madh të kulturave të ndryshme, por, thjesht, sa për të mos ngecur maqedonasit jashtë përfitimeve që vijnë nga donacionet e jashtme. Shqiptarëve, thjesht u thuhej: “mjaft po fitojnë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës prej donacioneve të huaja”! Nisur nga kjo logjikë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut u përjashtuan nga projekti evropian për përkthimin e autorëve shqiptar vendas në gjuhë të huaja, apo për përkthimin në shqip të letërsisë evropiane për shqiptarët rezidentë!

Kjo politikë diskriminuese për gjithë këtë kohë çka nuk arriti të kuptojë një gjë shumë domethënëse! Pse sot nuk ekziston asnjë studim, asnjë analizë, asnjë hulumtim, as prej intelektualëve dhe opinionistëve maqedonas, por as prej asociacioneve vendorë e ndërkombëtarë, mbi mos-zhvillimin kulturor institucional të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut?

A janë detektuar deri më sot problemet kulturore me të cilat përballen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Cili është niveli i tyre kulturor dhe nëse është i ulët, ku janë arsyet, kush janë shkaqet, faktorët, rrethanat? Sa e kuptojnë kulturën shqiptare maqedonasit. Cila është përfshirja e artistëve shqiptarë, kontributi i tyre në zhvillimin kulturor të maqedonasve. Pse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si pjesëtarë të një identiteti kulturor të pranueshëm botërisht, nuk e kanë mundësinë e zhvillimit kulturor institucional!

Kohë më parë, në këtë plan shteti tentoi të “shpëlahet” dhe të dalë i pamëkatshëm! Shqiptarët dikur arritën të krijojnë një qendër solide kulturore, të themelojnë një Teatër privat për fëmijë dhe të rinj. Ia dolën të marrin edhe objekt, madje të investojnë majmë në aftësimin dedikues të objektit. Ish-kinemanë “Napredok” e shndërruan në qendër kulturore, Teatri për fëmijë, të udhëhequr nga artistë shqiptarë. Pasi u institucionalizua, u bë me seli dhe adresë, shteti e la pa objekt, sepse qenka denacionalizuar, pasi “pronari” i tij paskësh shtruar kërkesë për kthim të pronës.

Të gjitha pronat e vakëfit të nacionalizuar, që sot paraqesin interes nacional për shtetin dhe shoqërinë, nuk janë denacionalizuar, asnjëra, por janë shpaguar me letra në vlerë, sipas ligjeve në fuqi. Tani, i kujt është faji që shqiptarët ngelën pa “selinë” e Teatrit për fëmijë dhe të rinj: i shtetit që obligohet të kujdeset për kulturë nacionale apo “i pronarit” që nuk e ka haberin e kulturës! Zhvillimet kulturore jashtë-institucionale pothuajse asnjëherë nuk konsiderohen si lëvizje serioze, por si entuziazëm që nuk provon jetëgjatësi! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat