Intelektualët dhe modeli kulturor

Kultura

Intelektualët dhe modeli kulturor

Nga: Hejza Art Më: 9 prill 2022 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

A kanë ditur të gjithë pushtetet dhe subjektet politike shqiptare që të bëjnë dallimin në mes të modelit në kulturë dhe modelit kulturor?! Modeli në kulturë është formë e veprimit, prezantimit, mënyrë e jetesës që zgjedh një komunitet në një hapësirë ku ka më shumë modalitete kulturore. Ky komunitet mund të posedojë edhe vlera universale, porse më të rëndësishmet janë vlerat nacionale që flasin po me të njëjtën gjuhën amë.

Ndërsa modeli kulturor është produkt i qëndrimit dhe veprimit të planifikuar në kuadër të politikave kulturore të shtetit. Në modelin kulturor (të zhveshur nga nacionalizmi primitiv) dominojnë të gjitha vlerat universale, çdo model i kulturës trajtohet si pasuri e veçantë në sistemin e vlerave universale. Modeli kulturor shpreh respekt të njëjtë për të gjitha vlerat kulturore e shpirtërore që dalin nga modeli i kulturës të një komuniteti, të një populli, të një shoqërie shumetnike dhe, tërë kjo, përforcohet duke e bërë të ligjshëm sistemin e vlerësimit të njëjtë të këtyre pasurive të trashëguara.

Nëse trashëgimia materiale, e përfaqësuar përmes objekteve si institucione nacionale, ngelë pa esencën e vet shpirtërore, atëherë shfaqen problemet, hasmëritë, urrejtjet deri në përmasa të sjelljeve antinjerëzore (konflikte, luftëra)! Për shembull, Opera maqedonase, nuk guxon të trajtohet si vlerë historiko-kulturore kombëtare dhe nëse aty do të prezantohej një operë shqipe, kjo nuk duhet të kuptohet nga masa si “kapitullim kombëtar”, si “zhvlerësim” të një trashëgimie materiale kombëtare. Ky do të ishte “modeli shovinist” në kulturë!

Që nga shpallja e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar (e kjo po e ndjek edhe Shtetin e Kosovës), shqiptarët asnjëherë nuk patën të zhvilluar model kulturor, me përjashtim të periudhës kur Shteti Shqiptar komunist zgjodhi të modelohet kulturalisht bazuar në modelin socrealist ruso-kinez. Sado që arriti suksese të padiskutueshme në aspektin kulturor, megjithatë ishte përjashtuese e çdo vlere kulturore të jashtme dhe ky qëndrim akulturor, gjithsesi që ndikoi edhe te shqiptarët e tjerë të viseve etnike që merreshin me “sistemimin” dhe “rangimin” e këtyre vlerave. Hapja e Arkivit të Shtetit kohëve të fundit po dëshmon për një “intelektualitet katastrofal” të kastës udhëheqëse që na drejtonin, veç tjerash, edhe në kulturë!

Në asnjë periudhë intelektualët shqiptarë nuk arritën që të përfshihen në hartimin e modelit kulturor shqiptar, sepse intelektualët e mirëfilltë vazhdimisht ishin në “konflikt” me pushtetin dhe me pseudo-intelektualët aparatçikë që përpiqeshin të paraqiten si “pronarë” të intelektualizmit shqiptar. Intelektualët e mirëfilltë gjithnjë janë shpallur si “armiq të popullit”, si “spiunë”, si “kolaboracionistë” dhe, si të tillë, aspak të denjë për të kontribuar në vënien në shina të një “lokomotive kulturore”. Kjo është karakteristikë e shteteve autoritare, të cilët “rriten” mbi kufizimin e lirive dhe të të drejtave të qytetarëve, sidomos të intelektualëve të vërtetë. Jo rrallë herë kemi raste kur shohim se si ky pushtet ia ka arritur që ta përçajë kapacitetin intelektual dhe t’i fusë në luftë në mes vete intelektualët kombëtarë, me ç’rast ka siguruar pushtet të rehatshëm dhe sa më të gjatë. Konfliktet ndërintelektuale ne mesin e popullit tonë janë të shumtë, madje me pasoja katastrofale për qenien tonë kombëtare. Dhe gjithnjë janë “shuar” pa ndonjë produkt final!

Mos ta përfshish (nga respekti i padiskutueshëm) intelektualin në administratën shtetërore për ta zhvilluar strategjinë nacionale për kulturë është tjetër gjë dhe krejt tjetër gjë është mos ta përfshish intelektualin në bërjen e një modeli kulturor kombëtar. Madje, është edhe më e trishtë kur kjo këmbëngulje për mospërfshirje vjen nga gjysmë-intelektualët, të cilët “shkrihen” për të mirat e pushtetit, por jo dhe për të mirat e kombit. Përcaktimi i shqiptarëve për model kulturor properëndimor është në përputhje të plotë me idetë, vizionet e Rilindësve tanë si dhe me idealet kombëtare! Por, me gjasë, shqiptarët akoma nuk e kanë mësuar, nuk e dinë dhe nuk e njohin modelin kulturor të perëndimorëve, nuk dinë cili është ai model dhe si ta zhvillojnë atë model, madje as që angazhohen për ta mësuar, për ta njohur. Ky model kulturor mbi të gjitha është LIGJ, është themel i demokracisë si dhe është mosmirënjohëse dhe mosfalëse e përjetshme e anarkisë si vrasëse e pashpirt e vlerave kulturore. Modeli në kulturë është diversitet, modeli kulturor është seriozitet! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat