Një vijë, shumë shpirtra

Kultura

Një vijë, shumë shpirtra

Nga: Ilir Muharremi, kurator i ekspozitës Më: 21 prill 2022 Në ora: 15:40
Pamje nga ekspozita

Fillon nga ideja, niset nga më e thjeshta, nga kreativiteti, pastaj lëkund dorën drejt një forme minimaliste e që duket e përgatitur, e ngjeshur nga shpirti, e kontrolluar nga mendja dhe e spikatur nga ndjenja. Portreti çveshët nga çdo ngjyrë, tonalitet, nuancë, perpesktivë, hije, dritë, nga çdo ngarkesë, vazhdohet vetëm në domosdoshmën dhe  më të thjeshtën. Linjat kur tërhiqen, vazhdojnë brenda ritmit të rregullt, përkufizojnë formën me ngjashmërinë, pra karakterin e personazhit, psikologjinë, zë gjestin e tij, gjithmonë duke përdorur hapësirën si plotësim, komunikim të portretit dhe gjysmë portretit.

Artisti Visar Kryeziu shprehë atë unitetin dhe veçantin e veprës së artit, detyrën më të rëndë, atë që i pushon brenda vetes, që është e thjeshtë, e veçantë, si skicë e shpirtit e plotësim i mendjes. Në vete dhe në paraqitje veprat duken si një Fidia poet me forcë dhe ide moderne. Ai bënë një lëvizje prapa në histori pra shfaq portretin e Mbretëreshës Teutë, Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogadanit, Gjergj Fishtës, Pandeli Sotirit, Shote Galicës, Nënë Terezën, Marie  Shllakun, Adem Jasharit. Jetës së re i jep gjendje të zbukuruar të përsëritjes, rikujtimit shpirtëror, është një rizgjim që mbartë joshjen e dëshirës nostalgjike që ka humbur shumë te ne, që duket si një përqafim që zgjatë disa minuta, por gjysmë portretet e këtyre figurave, anfaz, profil, portret i kompletuar, peshojnë në një vijë, në një shpirt, në një pjalmë e magmë energjie nga bërthama e shpirtit dhe mendjes e triumfit që rritet brenda unit tonë. Pra një shenjë revolte për rikujtim të këtyre figurave të përjetshme që përmenden vetëm në faqe librash, mbas shkronjave, ndërsa imazhi i thjeshtësuar i këtij koncepti që paraprihet nga ideja, zgjon nostalgji figurative, estetike shumë shekullore.

Klithma e karakterit dhe pozicioni kompozicional i gjestit, është shumë origjinal, ngritët mbi ngjashmërinë, sikur artisti gërmon dhe gërmon drejt pozicionit si reflektim i shpirtërores, Gjergji, shfaqet profil, me mjekër, gjysmë portreti i Adem Jashari shfaqet anfaz me mjekër dhe me plis në kokë, është madhështia dhe fuqia e Gjergjit, është trimëria, epoka historike e Jasharit. Mbretëresha Tetutë qëndron anfaz, na shikon drejt e në sy, e krijuar me një linjë të thjeshtë e të hollë, me forcë shpirtërore, sikur dora e artistit lëkundet përballë një fakti historik, porse lufton me këtë  heroinë, me kokë përpjetë, brenda një portreti të minimizuar, shfaqet një shpirt Akili i fiksuar drejt qiellit të pafajësisë.

Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Anton Çetta, Leze Qena, Cima & Leci, personazhe tjera që jetësohen në këtë vepër. Nga një vështrim i shpejt, ose i zgjatur, këto portrete, të bëjnë t’i duash, dhe të përplasesh më të bukurën, sidomos me pjesën kompozicionale, me sfondin e bardh që i jep plotësim formës, pra përtej pjesëve të syrit, ballit, flokëve, e bardh në prapavijë dhe linja, plotësohen, bën të mundur gjestin, dhe këta njerëz pa ju ndez fenerin, duken të përsosur, shihet që janë bërë me kujdes, duke tërhequr lehtë linjën mbi sipërfaqen e bardh.

Sapo përhumbesh në këto kompozcione, ndjen rëndesën e historisë, pra mendimi i kthimit, jetësohet, ndizet ajo drita e cila vërtetë qëndron e shuar, ajo dritë ilire, pastaj barka lëkundet drejt mesjetës, fillojnë të shfaqen shkollat dhe edukata jonë e shquar dhe e pasur, jetësohet imazhi  i burgjeve, rrënkimeve të popullit tonë. Aktualizohet  plaga e hapur e luftës së fundit dhe lundrohet e lundrohet drejt artit, aktrimit, humorit, satirës dhe parodisë. I gjithë ky vizion, horizont, shtegtim, kronologji ngjarjesh dhe kohërash të përfaqësuar nga figuara të shquara, tregon një thesar të pastër kulturor, shkencor, luftarak dhe artistik. Arti i shërben historisë, ndërsa historia të vërtetës. Këto figura, reflektojnë më ndryshe janë të çveshura nga çdo petkë, bojë, porse nuanca shpirtërore mbetet e njëjtë.

“Nuk jam një person që flas shumë dhe pikërisht arti më plotëson, në njëfar mënyre je në ishullin tënd ku rregullat i bën ashtu si dëshiron ti”, shprehet Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat