Shfaqjeve që u shteret zëri

Kultura

Shfaqjeve që u shteret zëri

Nga: Hejza Art Më: 25 prill 2022 Në ora: 19:36
Foto ilustrim

Lëvizje politike të iniciuara dhe të zhvilluara nga artistë ka pasur vazhdimisht që kur arti është përdorur si formë proteste dhe rebelimi. Natyrisht, këto lëvizje kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, madje duke sjellë stile, rryma, filozofi duke ndikuar dukshëm edhe nëpër sistemet politike gjithandej në botë.

Shfaqjet teatrale rëndësinë e vet e morën që kur Aristoteli këmbënguli në atë se, vetëm ky lloj arti e ka fuqinë e katarsisit, i cili i duhet natë e ditë një shoqërie të drejtë dhe të moralshme. Pra, Aristoteli ftonte që shpëlarja e mëkateve, e gabimeve, e veseve të bëhet vetëm përmes artit dramatik.

Shfaqjet shpesh janë ndërprerë, qoftë për shkak të nervozizmit të pushtetit diktatorial, qoftë për shkak të shprehjes së revoltës përmes artit kundër pushtetit diktatorial. Lëvizjet teatrale, aktivitetet alternative teatrale, nëpër shoqëri të ndryshme kanë shërbyer si xixë e fuqishme për rebelim kundër pushteteve. Ajka e inteligjencies zbërthimin e problemit shpesh e kanë gjetur në përfundim të një shfaqje.

Teatrot janë mbyllur, artistët janë përndjekur, teatrot janë rebeluar, aktivitetin e vet e kanë vazhduar duke qenë në lëvizje, duke ikur nga pushtetet autoritare lokale, gjithnjë në kërkim të masave rebeluese, gjithnjë në mision të dhënies shpresë, motiv dhe forcë për ta kërkuar më të mirën për shoqërinë e vet. Shfaqjet teatrale kanë rrahur probleme nga e përditshmja, me heronj nga tradita, historia, nga rrëfimet bibliko-mitologjike. Ka pasur edhe nga ato shfaqje me palaço në rolin e budallenjve oborrtarë sa për ta dëfryer mbretin e pushtetin. Por, fuqia e tyre nuk ka mundur të prekë masën e gjerë, sepse nuk ka pasur forcë të dalë përtej mureve të pallateve mbretërorë apo të pushteteve.

A njohin shqiptarët ndonjë ndikim të artit që ka ngacmuar revoltë, protestë apo ndonjë formë të rebelimit! A njohin shqiptarët ndonjë “lëvizje popullore” të inicuar nga ndonjë vepër teatrale? Sipas gjitha gjasave, shqiptarët, të përmalluar për Homerin e tyre, që nga Iliada dhe Odiseu, katarsisin, motivin, inspirimin, vrullin shpirtëror, rebelimin, kundërshtinë, luftën e kanë gjetur në këngët me lahutë, të cilat, për ta ruajtur pastërtinë dhe fuqinë e këngëve homerike, për autorësi kanë pasur “popullin”, ndaj janë quajtur këngë popullore-folklorike me të cilat i janë kënduar kreshnikëve, zanave, heronjve historikë. Kënga është përdorur si fuqi artit për ta dëshmuar gjallërinë dhe përjetësinë. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, gjatë luftimit me okupatorët serb, në situatën më të vështirë do t’ia krisë këngës! Vetëm kur “u hesht” kënga, engjëjt kumtuan se trimin e kishin kapur plumbat e armikut!

Viteve nëntëdhjeta të shekulli njëzet, teatri e mori rolin që ia ka përcaktuar Perëndia Talia! Shfaqjet vizitoheshin gjithnjë e më shumë. Për studentët hyrja ishte më lirë, por edhe falas! U krijua publiku, u hap debati joinstitucional! Nëpër tavolina të lokaleve bisedohej për shfaqjet dhe mbi mesazhet e shfaqjes, dekodifikoheshin porositë e dramaturgut dhe të regjisorit shqiptar! Pra, ndikimi në sensibilizimin e opinionit nga arti teatral erdhi vetëm atëherë kur teatri kombëtar u bë, qind për qind, shqiptar!

Shfaqjeve teatrale, me autorë e regjisorë të huaj apo edhe me shqipfolës, gjithmonë u shteret zëri. Shfaqet e tilla, sapo të bie perdja, “vdesin”! Për shfaqjet nga dramat e Anton Pashkut, të Ymer Shkrelit, të Beqir Musliut, të Teki Dërvishit flitet edhe sot e kësaj dite.

Me shfaqjet e huaja si dhe me shfaqjet nga “artistët oborrtarë” nuk ka mbresa, nuk ka ndërgjegjësim, mund të ketë “teatër alternativ”, por jo në funksion të rebelimit, por vetëm sa për ta gjetur atë paqe që i duhet “artistëve” mediokër që parapëlqejnë të bashkëjetojnë me pushtetin! Arti dhe pushteti as në botën e përtejme nuk mund të gjejnë paqe! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat