Zëri që mungon!

Kultura

Zëri që mungon!

Nga: Hejza Art Më: 28 prill 2022 Në ora: 13:28
Foto ilustrim

Midis nesh ZËRI QË MUNGON! Inteligjencia shqiptare akoma nuk ka arritur të dalë nga lëvozhga e “neutralitetit” absurd, duke qëndruar margjinave të të gjitha ndodhive që cenojnë shoqërinë shqiptare, me arsyetimin se në këtë mënyrë ruan profilin e saj nga ndikimi i politikës ditore. Ka kohë, mbase shumë kohë që nuk është evidentuar ndonjë kritikë, qoftë edhe sipërfaqësore, për kaq shumë anomali në politikat shqiptare. Akademitë shqiptare vazhdojnë të heshtin, siç heshtin edhe një mori shoqatash shqiptare, të cilat tashmë figurojnë vetëm në letër, për shkak të gjumit të “ëmbël” në djepin e partive që janë në pushtet.

Dhe, me të drejtë shumë kush pyet se a kemi inteligjencë apo shtiremi se kemi. Disa që në të kaluarën e afërt ishin kritik, shumë shpejtë u heshtën, sepse pushteti ua gjeti pikën e dobët dhe fare lehtë i përfitoi. Më nuk dëgjohet as zëri i arsyes. Dhe kur mungon ky zë, atëherë në sipërfaqe është e natyrshme të dalin disa “intelektualë”që janë ngatërrestarë, që turbullojnë dhe gjymtojnë perspektivën shqiptare.

Këto prapështi i bëjnë “intelektualët tregtarë” që shndërroheshin në historianë, “mësuesit” në zëdhënës partiak, injorantët në hoxhallarë e kështu me radhë. E dhimbshme është kjo përzierje fatkeqe, që ua hapi shtegun atyre që për interesa të ngushta ia mësynë ta rregullojnë shtratin për gjumin e thellë, për topitjen e mendimit shqiptar dhe për zymtësinë e realitetit. Injoranca, dredhia dhe mashtrimi janë karakteristikat identifikuese të “intelektualëve” maskarenj, të cilët, duke u fshehur prapa retorikës patriotike, mbajnë leksione atdhe-dashurie.

Edhe ashtu politika shqiptare i përngjan vetëm arenës së cirkut, në të cilën palaço janë “intelektualët” injorantë, që kanë zënë vendin e atyre intelektualëve që kanë zgjedhur të strehohen margjinave të shoqërisë shqiptare. Ndaj nuk është e qartë se përse janë kaq të trishtuar e të frikësuar... /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat