Ëndrra

Kultura

Ëndrra

Nga: Lulzim Logu Më: 29 maj 2022 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Qytetin së pari e braktisën mendimtarët…


Kjo u kuptua nga vetmia e froneve të tyre boshe, në sfondin e gjelbërimit gufues të kodrave përmbi, ku ata shpesh shiheshin ndërsa dialogonin me veten apo me zotat dhe kur më së shumti duhej, shfaqnin përpara kuvendit të popullit të mbledhur në shesh alternativën e duhur të vazhdimit. Dhe adhuroheshin në një heshtje të hijshme, e cila ndjehej natyrshëm tek të gjithë, pa u shpjeguar asnjëherë.


Ardhacakët e beftë, që u shfaqën menjëherë pas ikjes së tyre, u përpoqën tju zënë shpejt fronet, nuk mundën kurrësesi të ulen, asgjë e tyre nuk përshtatej në madhësinë, elasticitetin dhe formën sesi ishin ndërtuar, por as me pozicionin sesi ishin vendosur në kodrat dominuese të qytetit, ku kryet të prekte siluetën e ngrohtë të diellit, të lodhur në rreknimin e tij ose fytyrën e trishtë të hënës, e cila skajohej diku, duke humbur vazhdimisht trajtën dhe përmasat e saj.


Ndryshe nga mendimtarët, fytyrëbutë, me shtigjet e dukshme të brengës dhe lotit në portretin e tyre, me mjekra të bardha dhe tisin qumështor të fjalës në buzët e rreshkëta, ardhacakët kishin turr të çuditshëm të ngjitjes në kodra, shkelnin pamëshirshëm barin dhe lulet, qimet e tyre në mjekrra ishin pis të zeza dhe të ngritura përpjetë, toni i zërit të tyre e trembte mengjesin që po lindte dhe trenonte çdo mbrëmje që binte mbi qytet, frikshëm. 
Dhe jargonin neveritshëm ndërsa shpallnin traktatin e tyre të së ardhmes, ku të binte në sy mohimi absolut i asaj çfarë kishte kaluar qyteti kohët e mendimtarëve, shlyerja e tyre nga kujtesa e tij dhe shkulja e froneve më pas, pasi nuk munden për asnjë çast të shijojnë ndjesinë e tyre…
Pastaj ikën idealistët…


Humbën shpejt, me një re të ndotur pluhuri që i përcolli deri pas qafës së malit, si të mos kishin ekzistuar kurrë, fjalët e ngrohta dhe letrat ku shkruanin si fatthënës ekzistencën e sigurtë dhe të lumnueme të qytetit dhe banorëve të tij, i fshiu një shi kokërrmadh, i cili nuk vonoi dhe përmbylli ujshëm fundin e tyre, si një gjamë e dikurshme burrash…


Ja mbrrinë shpejt, duke dalë nga vrimat e fshehta të nëntokës dhe kujtesëhumbjes dallkaukët, aventurierët, hajdutët e vegjël dhe kandidatët për vrasës, që testonin skutave reagimin e mundshëm të të urtëve të qytetit, të cilët në fakt u mblodhen shpejt në këshillin e tyre, por pa gardën mbrojtëse të djemve, që mbeten në kurthet e pabesa që u ngritën netve, ndërsa brofnin rrëmujshëm nga kalbësirat soji i njerëzve që mendoheshin të pakthyeshëm ndonjëherë në qytet…


Të dashuruarit nuk u panë tjetër…


Mungonin përditë dhe më shumë në urën e lakuar si hark triumfi mbi lumin e ngushtuar grykës së shtrejtë, puthjet dhe jehona e fjalëve që shkembenin muzgjeve deri në mesnatë humbën si çelësat e një kulle, e cila ndoshta ishte mbyllur përjetë, dashnorët më guximtarë u gjetën ditë me rradhë të mbytur, ndërsa i rrëmbente vala e egërsuar e lumit pas stuhive me erë dhe shi, vajzat e mbetura gjallë u mbyllën në kasollet e rralla në periferitë e qytetit, gratë e konsideruara më të bukurat e vendit grabiteshin nga shtëpitë e tyre dhe burrat që kundërshtonin, të nesërmen gjendeshin në pyjet e mëdha, të copëtuar nga egërsirat, pasi ishin groposur nxitimthi, të mbytur, por shpesh edhe të plagosur dhe të mbetur akoma gjallë…


U shfaqën tradhëtarët dhe mosmirënjohësit, shpërthyen dyert e pushtetit dhe të vendosur në poltronat dhe karrigat e zyrave veshën kostume të pahekurosuara dhe kollare të lira dhe ngjanin si dordolecë përballë stemës gjigande, e cila simbolizonte vendin, një lahutë gjigande, dy shqipe të rralla krah saj dhe  lumi në mes, me një blu të thellë, që ndryshonte vazhdimisht sipas motit apo llojit të pëlhurës ku ishte vizatuar…


E vetmja nevojtore e qytetit u mbulua një natë me dhe’, të shkarkuar nga një kamion i mbuluar dhe gjethe të thara gështenjash, psherëtinë çuditshëm adoloshentë që u ndodhen aty pranë dhe kuriozë se përse duhej mbuluar dhe mbyllur një nevojtore e vjetër dhe e gurtë, ku perveç nevojave të ditës, ata e shfrytëzonin edhe për tu masturbuar dhe për të rrëfyer ndodhitë mes tyre dhe mëkatet hormonale, ndërsa shtati i tyre rritej me ritmin e rritjes së shtogut, por dhe me shkelqimin si lulet e bardha të tij…


Në lokalet e pakta, të ngushta , por gjithësesi romantike humbi fjala, askush nuk fliste, dëgjohej vetëm zhurma e buzëve teksa rrufisnin kafetë turke dhe ndonjë teke raki, shpeshherë përzier me llokum dinamiti apo hekur…


Çdo fjalè e dalë çuditshëm sillej në ajër dhe pa ardhur mbrëmja përfundonte e tjetërsuar apo keqpërdorur, duke motivuar dhunimet dhe vrasjet e natës, por edhe shpërthimet e tritolit si mesazhe apo dënime të tmerrshme në dyert dhe dritaret e banesave…


Tokat u braktisën, bari i keq u harlis pafund, duke humbur konceptin e të qënit bukë dhe shpresë, pronarët e tyre largoheshin tinëz, pa lënë gjurmë dhe pusullë, kuajt u bënë si të egër në trokthin e tyre, kundrejt hënës, asaj i lehnin trishtueshëm dhe qentë endacakë, të bërë bashkë me qentë e lëshuar të shtëpive dhe njerëzit kishin frikë të dilnin, zgjodhën të mbijetonin pa fjalë, ndoshta pa ushqim dhe ujë, identifikuar dhe bërë një me hijet e rënda të mureve, që rriteshin dhe përmbi to shfaqeshin papritur hekura, rrjeta sa më të larta, që u jepni detyrimisht pamjen e burgjeve të dikurshme, kur ishte gjallë diktatori…


Të fundit, më të fundit, më të dëshpëruarit dhe më rebelët, u larguan nga qyteti poetët, pas tyre mjegulla e vjeshtës sillej si një rrobë dalëboje apo strajsë e leckosur, e cila mbarte vargjet e tyre të vjetra dhe të reja, pjesa më e madhe e tyre dukej se jehonte si këngë apo baladë, përzier me ritmin e shfrenuar të veriut dhe angullimën e trishtë të dhimbjes…


Pastaj të fundit, po krejt të fundit shkuan prostitutat…


Duke sfiduar rrezikun dhe motin e vështirë, me rroba gjysmëndjellëse akoma, me parfum lotësh dhe sperme, por me guxim të dukshëm përballë vdekjes ato u panë ndërsa zhdukeshin nëpër zinxhirin gjarpërues të qendrave të zjarrit, të cilat po thyheshin tashmë për hekur…


Mbeti vetëm një i marrë, i cili kurrë nuk bezdiste njeri, pinte dhe parathonte gjithmonë se koha do të ndryshojë dhe se ai do ti hipte asaj si kalë dhe do tu tregonte njerëzve pamjen e rrallë, nga qiejt e largët dhe prapë mundësitë e ndryshimit…


Kësaj here nuk mundi, ndërsa ironizonte valën e marrë të dallkaukëve,aventurierëve, hajdutëve, vrasësve, tradhëtarëve dhe mosmirënjohësve, tashmë të veshur me pushtet, u gjet një mëngjes i vdekur , i qëlluar në krahëror, por me atë buzëqeshjen e tij të pandryshuar në fytyrën prej shenjti…
Mbetën vetëm varret, varret s’mund të ikin apo të merren me vete. Dhe lulet e fishkura mbi pllakat e mermerta apo shtresat e dëndura të dheut, ku thuhej se bolla gjigande dhe nëpërka të shumta luftonin për territor me milingonat. 


Koka po i dhimbte së tepërmi rojtarit të varrezave, kishte pirë shumë mbrëmjen e kaluar, por në vend se ti nënshtrohej si zakonisht valëve të egra të gjumit alkoolik, befas u gjend në hylli të çuditshme mendimi dhe dilemash, ku kohët zgjedhoheshin dhe shndrroheshin aq shpejt në njera tjetrën dhe ai mundi të shohë dhe ndjejë pamje dhe personazhe që dukej se kishin humbur përjetësisht në harresën shpetimtare të kohës…
Dikur kjo… 
Vetëtiu në trurin e tij dhe ai u ngrit rrëmbimthi të kthehej në detyrën e tij, pas kësaj ëndrre, e cila gati ja kishte shembur gjunjët. Por ja kishte tronditur mbamendjen dhe gjykimin dhe ngjallur kujtimet, që duhet ti ndante sa më pare me të tjerët. Duke filluar nga të rënët…

Maj 2022

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat