Libri dhe vlerat letrare të një mërgimtari

Kultura

Libri dhe vlerat letrare të një mërgimtari

Nga: Remzi Basha Më: 29 maj 2022 Në ora: 17:57
Foto ilustrim

Libri është mrekullia e një tempulli të përfunduar. Ai është gjithmonë i mbështjellë me diçka të fshehtë, sepse është thesari i shpirtit. Libri është kroi i ilaçit që e shuan etjen për dije, për ide, për risi, për bukuri. Libri për Halit Halitin është një rreze drite, e cila drejton hapat e tij drejt universit të dijes. Për te dhe për ne e për ju, libri është krijesa më e mirë që na këshillon dhe na e tregon rrugën drejt së vërtetës. Shqiptari ngado që shkon, vendin e vet s’e harron. I këtillë është edhe mërgimtari ynë me banim në Gjermani, Zt. Halit Haliti, poet dhe patriot, autor i librit ”Edhe Sonte”, që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht.

Libri është një ëndërr e shkruar me krahët e mendimit, drita dhe fuqia e mendjes. Libri është një mik besnik që nuk të tradhton kurrë, një mik që të mëson të zgjedhësh të mirën nga e keqja. Libri është miku më i dashur i shqiptarit të Gjermanisë. Shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore. Kurrë s’trembet shqipëtari, që ka në zemër gjak si zjarri. Me ndihmën e një libri mund të t’i kuptojmë copëzat e jetës dhe mund të arrijmë në të gjitha cepat e botës. : Në kutinë e mbyllur/ Depërton shumë pak dritë/ Hape e mos ngurrto/ Ta kujtosh një ditë.// Ajo kuti është një histori/ Herë të ëmbla e herë të bukura/ Plot mall e nostalgji/ Të lëna pas dore n’pluhur e hi. (Copëza jete). Duke deshifruar mendimet e Halitit, kuptojmë se libri është kutia magjike e dashurisë sonë.

Ai na mëson se si të sillemi më mirë, se si të bëhemi më të ndershëm dhe më të respektueshëm. Asnjë lojë në botë nuk krahasohet me leximin e një libri. Libri është një filxhan plot nektar, nga i cili, duke e provuar çdo ditë, i shijojmë të gjitha gjërat e mrekullueshme në botë. Halit Haliti shkruan sipas rekomandimeve të shpirtit. Shpirti është shkenca e shkencave, ndërsa nëna ikona jonë dhe qenja më e shenjtë në botë: Dua të kacavirrem në grep të hënës/ Kur të zbardhë dita dua të jem aty/ Të zgjohem nga gjumi ne ninullat e Nënës/ Bjeshkëve të vendlindjes të mrizoj me sy. (Nomad i shpirtit). Pa një libër një njeri nuk mund të ekzistojë.

Libri është gjëja më e shenjtë që na mëson të jemi më të mirë, në të sinqertë dhe më të zgjuar. Libri është një burim i pasurimit shpirtëror që na ndihmon, që na jep gëzim, kënaqësi dhe nevojën për të lexuar. Libri i mirë na ndihmon të komunikojmë me të tjerët. Me një fjalë, libri na ndihmon të formohemi si qenie njerëzore. Për Halit Halitin libri don të thotë dritë, sepse na jep dritë dhe hap dritare në horizonte të reja të dijes. Libri është një thesar i paçmuar, në të cilin disa mbledhin mendimet më të bukura, në mënyrë që të tjerët t`i përdorin ato sipas dëshirës.

Në vargjet e autorit defilojnë ëndërrat dhe drita e dashurisë: Do të vërshëllej e trokas të më ndjesh/ Në gjumë, në ëndërr të më ndjesh/ Bukurinë tënde dielli e ka vrarë/ Heshtja po më shtyp, me ty dua të qesh. (Një ditë) Libri pasqyron gjatë shekujve të jetës njerëzore, historinë e luftës së tij për ekzistencë, për një të ardhme më të ndritur. Libri është miku ynë besnik dhe i sinqertë. As kompjuteri dhe as televizori nuk do të çojnë në zhdukjen e librit, sepse leximi do të vazhdojë të luajë një rol primordial në jetën e njerëzve.

Përshpejtimi i progresit teknik do të shoqërohet gjithmonë me sanimin kompensues të një hapësire të lirë për imagjinatë, duke ëndërruar, duke pyetur, duke kërkuar dashuri, kuptim dhe mirëluptim: Melodinë e zërit tënd e ndjej/ Edhe atëherë kur nuk je me mua/ Shpirti m’trazohet si deti valë-valë/ E pyes vetëveten: Ku je, a thua? (Zëri i humbur). Libri është një element qendror i krijimit të një psikike të shëndetshme të një kulture të përgjithshme, sepse me ndihmën e tij mund të zbulojmë gjëra të reja. Ai na bën më të mirë dhe na ndihmon të kapërcejmë vështirësitë e jetës.

Libri është një mënyrë komunikimi dhe përfaqëson një renditje të fjalëve në format e tyre më shprehëse. Libri na ndihmon të kuptojmë dhe depërtojmë në misteret e botës dhe të universit. Në faqet e librit të Zt. Halit Haliti zbulojmë këshilla dhe mbledhim mençuri. Autori din të demaskojmë maskarenjtë që nuk dinë të dashurojnë dhe të lexojnë: I shëmtuar në shpirt sa ta shtin frikën/ Pushtetin e do aq shumë sa sytë i kullojnë gjak/ Nuk dëshiron të dijë fare për etikën/ Është pa moral dhe fyen nga pak.

(Tjetër n jeri) Poezia është lëngu i jetës dhe mjalta e fjalëve. Poezia e Halit Halitit është pjesë përbërëse e qenies së tij. Poeti krijon një dialog permanent dhe të mrekullueshëm me vetëveten, me botën, me njerëzit. Me przencën e poezisë në shpirtin e tij, ai kurë nuk ndjehet i vetmuar. Autori vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ai i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë. Një libër i mirë është një rehati sepse na qetëson, na tërheq me temat e tij dhe na bën ta adhurojmë jetën e përditshme. Libri është një këshilltar i mirë, sepse duke lexuar do të jemi në gjendje të gjejmë përgjigje për pyetjet tona.

Libri na sugjeron të anashkalojmë gënjeshtrat, padrejtësitë dhe paragjykimet. Në faqet e librit të Zt. Haliti ballafaqohemi me kujtime dhe ëndrra, me lindje dhe perëndime, me ndjesi dhe përjetime: Për një çast m’u kujtua kënga e vjetër/ Ngjyra e zërit tënd nga të tjerët dallon/ Nuk të zëvendëson asnjë tjetër/ As në mbrëmje kur dielli perëndon. (Në zemrën time). Nga shënimet biografike për autorin, kuptojmë se Halit Haliti u lind më 10 Maj 1966 në Fshatin Mushtisht, Komuna e Therandës (ish Suhareka), ku e kreu shkollimin fillestar, ndërsa gjimnazin në Therandë.

Shkollën e Lartë Pedagogjike (degën Gjuhë dhe Letërsi) e kreu në Prizren. Me poezi ka filluar të merret qysh nga shkolla fillore. Disa poezi të tij e kanë parë dritën e botimit në gazetën ”Fjala” dhe ”Bujku”. Të gjitha poezitë që dikurë i kishte, i janë djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nga viti 1993, poeti jeton dhe punon në Gjermani. Shkurtimisht për vendlindjen e autorit Mushtishti i ka dhënë Kosovës dhe botës këngëtaret Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, motrat Mustafa, Remzie Osmani me vëllaun e saj, etj. Katundi shtrihet afro 10 km në juglindje të Therandës, në një luginë, rrëzë malit të Sharrit. Është një ndër fshatrat më të mëdha të Kosovës. Nëpër fshat kalojnë dy lumenj që në bazë të gurëve në shtratin e tyre të bardhë dhe të zi e kanë marrë emrin Lumi i Bardhë dhe Lumi i Zi. Ka katër gryka të bjeshkës nga ato degë formohen dy lumenj: Ka një sipërfaqe prej 3.450 hektarë. Në këtë lokalitet janë zbuluar gërmadhat e një vendbanimi të gjerë antik.

Është një nga lokalitetet më të lashta dardane. Gjatë vitit 1999, okupatori serb i ka shkatërruar, demoluar dhe djegur librat e bibliotekës së fshatit, dhe të shumë bibliotekave private. Në UÇK, nga Mushtishti ishin të angazhuar 84 luftëtarë, që kryesisht ishin të kyçur në Brigadën 123, batalioni i II Budakovë, dhe të shprëndarë nëpër njësite të ndryshme të Zonës Operative të Pashtrikut. Këta luftëtarë dhanë një kontribut të çmueshëm në periudhën e luftës, por edhe pas saj. Gjatë periudhës së luftës të vitit 1999, vriten 3 luftëtarë të UÇK-së, 12 civilë, 6 janë të zhdukur. Thuhet se mushticasit kanë qenë kultivues të hardhisë së rrushit, dhe sipas prodhimit të parë të verës (mushtës), nga e mori emrin vetë fshati. (Mallmo, Suedi, 25 Maj 2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat