Nëpër faqet e librit “Shkolla shqipe në Gjenevë”

Kultura

Nëpër faqet e librit “Shkolla shqipe në Gjenevë”

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 29 maj 2022 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Doli në qarkullim libri « Shkolla shqipe në Gjenevë » nga mësuesi i historisë Agim Paçarizi.


Në të 250 faqet e librit trajtohet historia e organizimit të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Gjenevë të Zvicrës përkundër vështirësive të panumërta. 


Libri trajton historinë dhe zanafillën e organizimit të shkollës shqipe të më mësimit plotësues. Gjeneva është qyteti dhe Kantoni ku u hap shkolla e parë shqipe e pavarur në shtator të vitit 1987 falë kontributit të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, ish Ministrit të Qeverisë së Kosovës z. Xhafer Shatrit. Mësimin e mbajtën mësueset vullnetare Remzie Selimi – Zymeri, Hidajete Dërmaku dhe mësuesi Sejdi Sopi. Në faqet e librit “Shkolla shqipe në Gjenevë” përmenden edhe shumë emra tjera të mësimdhënësve të përkushtuar që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në arsimin shqiptar.  
Hapja e shkollës shqipe paraprihej dhe shoqërohej nga pengesa të panumërta të karakterit juridik, ekonomik-financiar, organizativ dhe pedagogjik. Në ketë drejtim një rol të rëndësishëm luajti Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “ Naim Frashëri” që qe themeluar në vitin 1990 në Zvicër. Ketë rol ka luajtur edhe Këshilli Kantonal e LAPSH-ës në Gjenevë, pjesë e së cilës ka qenë edhe vet autori i librit Agim Paçarizi për disa mandate Kryetar i LAPSH në Gjenevë dhe mësues shumë vjeçar i shkollës shqipe të mësimit plotësues. 


Në librin monografik paraqitet përvoja organizative e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, përvoja e mësuesve të shqipes në hapësirën zvicerane dhe problemet me të cilët përballet shoqëria shqiptare në mërgim përballë asimilimit tepër të shpejtë që po ndodh në Zvicër, si pasojë e mos shkollimit shqip të fëmijëve të lindur në vend të huaj.


Libri trajton probleme të kësaj natyre, shqetësime të mësuesve dhe prindërve në kantonin e Gjenevës si dhe mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur, në mënyrë që gjuha shqip të mësohet në shkollë nga të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë.


Libri, nga ana tjetër, është një nderim i veçantë për të gjithë mësuesit dhe prindërit shqiptarë në përgjithësi dhe në veçanti për ata të Gjenevës të cilët edhe pas punës së rëndë e të përditshme në mërgim gjejnë kohën dhe përpiqen që të ua ruajnë gjuhën shqipe fëmijëve, brezit më të ri që po rritet larg atdheut.


Libri është një dëshmi se si mësuesit dhe prindërit shqiptarë  në Zvicër kanë marrë iniciativën dhe organizojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe edhe pa mbështetjen e shtetit të Kosovës. Në mënyrë që fëmijët të kenë mundësinë të mësojnë shqip.


Libri, nga ana tjetër, është një udhërrëfyes për autoritetet e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, për mënyrën dhe rrugën se si mund të ndërtohen politika arsimore në ndihmë të mërgimtarëve.


Në libër ballafaqohet përvoja mjaftë pozitive e organizimit të mësimit shqip përmes LAPSH ” Naim Frashëri” në Zvicër dhe indiferentizmi i shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj mësimit plotësues të gjuhës shqipe. 


Dhe ketë shtator fillimi i vitit shkollor përkon me 35 vjetorin e kryerjes së këtij misioni fisnik ku ndjekin mësimin rreth 200 fëmijë të moshave të ndryshme nën udhëheqjen kryetarit aktual të LAPSH në Gjenevë avokatit Liburn Mehmetaj dhe mësueseve plot zell e dashuri: Lumnije Emini, Hyrije Kurteshi, Fatime Bllaca, Brikena Osmani, Alban Kryeziu dhe Hana Bilalli.  


Libri është botuar nga shtëpia botuese “ Lena  Grafik”.


Gjenevë , 29.05. 2022                                        Nexhmije Mehmetaj

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat