E kujtojmë mësuesin atdhetar, Eset (Zahit) Zahiti, me rastin e përvjetorit të rënies

Kultura

E kujtojmë mësuesin atdhetar, Eset (Zahit) Zahiti, me rastin e përvjetorit të rënies

Nga: Zymer Mehani Më: 6 qershor 2022 Në ora: 14:04
Eset (Zahit) Zahiti

U lind më 10. 10. 1970 në Bistricë të Shalës, fshat që gjendet në pjesën veriore të komunës së Albanikut (ish-Leposaviqi). Ishte nipi i heroit dhe luftëtarit të shquar, Kadri Bistrica.

Eseti rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Ishte fëmija i shtatë në familje (katër vëllezër e tri motra) i baba Zahitit dhe i nënë Azemines.

Shkollën katërvjeçare e kreu në Kelmend (ish-Lipë), ndërsa prej klasës V gjer në klasën VIII mësimet i vazhdoi në Bistricë. Shkollën e mesme e vijoi në QAMO “Silvira Tomazini” të Mitrovicës, drejtimi Pedagogji. Për shkak të rrethanave poltiko-ekonomike të pavolitshme për familjen, si për të gjitha familjet e tjera shqiptare të viteve ’90, Eseti nuk arriti ta vazhdonte fakultetin.

Në dhjetor të vitit 1990 do t’i përgjigjet ftesës për të shërbyer në Armatën Jugosllave për 13 muaj, në Vis të Kroacisë.

Më 1 shtaor të vitit 1992 Eseti bashkë me bashkëshorten u punësua në Shkollën fillore “Kadri Bistrica” të Bistricës së Shalës. Si arsimtar i lëndëve: histori e gjeografi ai do të kontribuojë për 6 vjet e 9 muaj në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja, duke i frymëzuar edhe me atdhedashuri për mbrojtje të vendit e të lirisë. Në vend të pushkës, ai e pati armë të fortë penën dhe dijen.

Eseti ra në kurth të forcave paramilitare serbe dhe u vra më 06. 06. 1999 në kelmend (ish-Lipë) tek e motra.

Pas vetes la bashkëshorten, dy djemtë dhe vajzën.

Nëna, vëllezërit, motrat shokët, miqtë e nxënësit do ta përkujtojnë plot dhimbje e mall, por edhe me krenari djalin, vëllanë, prindin e denjë dhe mësimdhënësin e zellshëm Eset Zahiti. S’ka fjalë që do të mund ta përshkruante mungesën e tij.

Në korrik të vitit 1993 Eseti u rrah nga policia serbe, kur ata ishin futur në fshat duke bastisur e maltretuar banorët me pretekst të kërkimit të armëve. Edhe në vitin 1999 qe marrë nga ushtria serbe, në rrugën Bistricë-Mitrovicë, por fatmirësisht edhe pse qe maltretuar prej tyre, pat shpëtuar.

Gjatë kohës së luftës së UÇK-së (1997-1999) Eseti e pat ndihmuar ushtrinë. Në çdo tubim e mbledhje ai s’pushoi asnjëherë duke i ushtruar të rinjtë në përdorimin e armëve. Po ashtu, çdo natë ishte roje e fshatit, që ishte i rrezikuar nga policia, ushtria e formacionbet paramilitare serbo-çetnike.

Ky mësimdhënës me shpirt atdhetar u lind në Bistricë të komunës së Leposaviqit, më 10. 10. 1970 dhe është vrarë më 06. 06. 1999, në Lipë të Zveçanit.

Shpirti i bëftë dritë!

Mësuesit ESET ZAHITI

Si babëgjyshi, ashtu dhe nipi

nuk duruan dhun[n e sllavizmit

por me shpirt atdhetar,

amanet babgjyshi ja ka lanë...

Esetit plumat kur i ranë

gjamë po lshonin malet e Shal’s

nau nal dielli e nau nal hanë

Eset Zahitin, thanë e vranë...

Nxansit n’ shkollë kur janë tu shkue

me mall,mësuesin janë tu e kujtue

po p[r të ndihen krenarë

se per atdhe jetën ka dhanë

fotografin e tij e mbajnë në klasë

lotët e tyre nuk kanë të ndalë

çelu, tokë e të hyj mbrenda

s’di qysh ndryshe çahet zemra.

(Populli)

Shënimet biografike për arsimtarin martir Eset Zahiti, nga i biri, Edon Eset Zahiti dhënë publicistit Zymer Mehani, më 23 mars 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat