Bassano dhe integrimi kulturor i shqiptarëve në librin e Avdi Beqirit

Kultura

Bassano dhe integrimi kulturor i shqiptarëve në librin e Avdi Beqirit

Nga: Gëzim Muçolli Më: 11 qershor 2022 Në ora: 06:20
Kopertina e librit

Rrugët e jetës dhe fati i njeriut gërshetohen në dimensione kohe dhe shpirtërore duke qëndruar si element frymëzimi për kronika që përcjellin gjallimin dhe bëmat e kohës. E kjo nuk ndodh rastësisht apo për motive të arsyes te shtyrë nga fuqia e ndryshimit, por ndjek rregullin e ligjeve shoqërore dhe rrjedhën e natyrshme të përditshmërisë.

Kur hallet e jetës vëjnë në lëvizje mijëra njerës e sidomos pjesën më vitale e më produktive të popullit, duke marrë rrugën gati të pakthim të emigrimit, në vendet ku përfundon, mërgimtarit krahas luftës për ekzistencë imponohet edhe nevoja e ruajtjes së identitetit fizik dhe kulturor si dhe të elementeve të pastërta të substancës kombëtare.

E gjithë kjo mund të arrihet në shtegun e sigurtë të multikulturalitetit si platformë e ruajtjes së trashëgimisë pozitive të elementëve të kulturës shqiptare dhe nëpërmjet shkëmbimit të motiveve kulturore, artistike dhe ideore duke u bazuar edhe në kreativitet dhe mirëkuptimin për atë që i bënë të ndryshme dhe përpiqet ti bashkojë kulturat eduke krijuar projekte të veçanta që kanë për qëllim eliminimin e barrierave dhe largimin e urrejtjes si dhe emargjinalizimit të mërgimtarëve në shoqërinë vendëse.

Duket sikur pikërisht kjo ishte pikënisja dhe motivi kryesor i autorit Avdi Beqiri kur u nis të shkruante librin e tij të dytë që ia kushtoi aktiviteteve të mërgatës shqiptare në Bassano del Grappa në Itali. Ai kishte vite që me zell po përgatiste një libër i cili do të mbetej si udhërrëfues i të gjithë punëve të mira që mërgata shqiptare kishte zhvilluar deri më tash në Bassano.

Pas librit të parë “Kujtimet e një mërgimtari” të publikuar në vitin 2013, në formë jetëpërshkrimi me copëza të shkëputura nga ditari i jetës, Avdiu i kthehet lexuesit me monografinë me titull”Veprimtaria e Shoqatës Kulturore “Bashkimi Kombëtar” në Itali të publikuar në vitin 2020. Meqenëse ky ishte viti i zi i përhapjes së sëmundje s së Covid-19 e cila shpejt mori përmasa globale duke u shëndërruar në pandemi, edhe ky libër pati vështirësi ta takonte lexuesin për shkak të masave parandaluese të qeverisë italiane që ndalonin tubimet dhe aktivitetet me prezencë të grupeve të njerëzve. Vetëm me rastin e festës së flamurit dhe pavarsisë kombëtare pas lehtësimit të masave kufizuese me datë 27 nëntor 2021 në Romano d'Ezzelino u bë promovimi i këtij libri ku ishin prezentë edhe autoritetet e qytetit të Bassano del Grappa. Kjo ngjarje kaloi në shenjë të multikulturalitetit dhe të respektimit të kjenësisë kombëtare.

Autori i nderuar. z. Avdi Beqiri krahas përpjekjes së tij për të paraqitur me besnikëri kronologjinë e zhvillimeve branda komunitetit shqiptar të ardhur nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia ka për qëllim parësor që mos t'ia harrojë kontributin asnjë individi për realizimin e projektit kulturor të Shoqatës shqiptare në Bassano të cilën ai e udhëheq nga fillet e saj deri në ditë e sotit, krahas përmendjes së të gjitha provave konkrete të integrimit dhe të suksesit në atdheun e ri, atdheun e dytë ku tashmë shumë bashkatdhetarë kanë arritur të bëhen edhe shtetas të Republikës Italiane dhe ta kenë edhe të drejtën e votës.

Avdiu si veprimtar i madh i përfaqësimit të komunitetit në rrethanat lokale administrative e sociale të Bassano del Grappa ka pasur fatin e madh që me vendosshmëri ka zgjedhur bashkëpuntorët e tij si ata italianë poashtu edhe në mesin e mërgimtarëve tonë. Ai gjithëmonë duke i prirë veprimtarisë së shoqatës që filloi punën kombëtare nga 12 marsi i vitit 1995 i kishte pranë vetes më të mirët dhe mund të llogariste në suksesin e plotë, sepse ai nuk kishte për model punët mbi baza ideologjike apo militantizmi lokal partiak siq zhvillohen në viset shqiptare por me persona të pajisur me vetitë më të mira që i kanë marrë me veti kur kanë ardhur këtu në mërgim.

Moment i veçantë në mbarëvajtjen e kësaj shoqate ishte edhe njohja e hershme dhe miqësia e sinqertë e Avdiut me profesorin e çmuar (tashmë i ndjerë) Vittorio Andolfato i cili ishte dashamir i madh i komunitetit shqiptar dhe sponsor material i aktiviteteve mësimore të Shkollës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe e cila ka filluar nga viti shkollor 2001/2002.

Duke lexuar gati dyqind faqet e këtij libri lexuesi mund të bindet me qasjen serioze organizative dhe vazhdimësinë e realizimit të programeve të shoqatës si dhe procesit mësimor ku ai diti të kthente në rolin e nderuar dhe primar të mësuesit ata mësues e mësuese që kishin vite që kishin lënë ditarët në shkolla duke marrë udhët e kurbetit. Poashtu edhe për rezultatet e kësaj shoqata që janë kurora e suksesit dhe krenarisë duke sjellur faqe të tëra edhe me emrat e nxënësve që kaluan me sukses mësimin e gjuhës shqipe.

Në fund të këtij vlerësimi të sinqertë të librit monografik të Z. Avdi Beqiri na duhet të shprehim mirënjohjen për shtegun e hapur midis interkulturalitetit dhe multikulturalitetit si dy vlera që duke hequr paragjykimet e pritshme zakonisht në mesin e popullsisë vendëse jo gjithmonë të disponuar ndaj ardhacakve ballkanikë, arriti të bëjë diferencën duke promovuar sa më lart vlerat kombëtare që merituan respektin e një qyteti historik plot admirim për njerëz punëtorë njëkohësisht dashamirë të shkollës, sportit, artit dhe kulturës unike shqiptare.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat