Poemë dardane

Kultura

Poemë dardane

Nga: Jan A Kosova Më: 20 qershor 2022 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

S'e di ku e kam dëgjuar: "Lotin e vërtetë duhet fshehur
E edhe lumi ka vajtuar kur qytetin tim e kam braktisur
Ndoshta nuk e hetoja lotin tim se isha gjysmë i dehur

Ishte jeta që më urdhëronte: "Hapin tjetër duhet nisur"
E unë nuk e dija fare se si do të dukej rruga ime e re
Se nuk isha mësuar ende të vrapoj mbi xham të krisur

Dyshemeja e mbikalimit si të ishte goditur nga një rrufe
Poshtë vallëzonte elita, të paktën veten e quanin elitë
Lartë vrapoja unë, i vogël, i shkathët e i shpejtë si dre

Dhe derisa kisha vend për të fjetur nuk ëndërroja suitë
Se suitë ishin për mua sallat e biblotekës univerzitare
Ku mbetesha vonë në mbrëmje derisa fikej çdo dritë

Në dy ditët e fundit të javës punoja hamall në pazare
E qytetin tim tani të ndarë e vizitoja rrallë shumë rrallë
E kuptoja ngadalë se jeta mund të jetë shumë tinëzare

Qysh atëherë e kam kuptuar se s'ka jetë si në përrallë
Se brenga për të tjerët është më e rëndë se brenga për vetën
Dhe ashtu mbeti dhe do të mbetet derisa të jemi gjallë

Se buzëqeshja është e bukur por nganjëherë fsheh të vërtetën
E për mua shumë buzëqeshje enigmë mbeten deri sot
Por s'u dorëzova u mundova të mbetëm në hap me jetën

Edhe pse nganjëherë ishte vështirë e mundohesha kot
Sepse jeta kërcente edhe mbi pengesa të pakalueshme
Mbetesha duke kërkuar një shkallë dhe nuk e gjeja dot

Disa ëndrra mbetën një jetë përpjekje të vazhdueshme
Disa shumë kohë pasi kanë lindur me mund i realizova
Kurse e nesërmja ishte thjeshtë e paparashikueshme

Dhe s'ishte vëtëm rastësi pse zemrën ty ta dhurova
Se ndoshta me qindra herë ne të dy rrugës jemi takuar
Ndoshta nuk të kam parë, nga ëndrrat e jetës u hutova

Zemra ime nuk donte për të kaluar nëpër shumë duar
Dhe ndoshta është arsyeja pse zemra ime e re mbeti
Se erdhi njëherë tek ti dhe më kurrë nuk është larguar

Dhe mori plasaritje por nuk u largua as kur ra termeti
As kur malli i shkretë i shpirtit e mbulojë me vërshime
Nuk u largua as kur u lëkund toka, as kur u trazua deti

Kujtimet e zemrës më kthyen sonte në Dardaninë time
Rrugëve të errëta të Ulpianës, kam shetitur deri vonë
Me muret kam biseduar u tregoja për ëndrrën jetime

Edhe vargje u kam recituar poezinë për dashurinë tonë
Hëna fare nuk u shfaq, ndoshta me diellin pikëllohen
Pos buzëqeshjes edhe loti rrallë u nda nga dashuria jonë

Çaste të vështira mbahen mend të bukurat shpesh harrohen
Por nuk pëndohem për asnjë çast të vështirë me ty
Se në dashuri edhe pengesat e pakalueshme, kalohen

Ani pse ka kujtime që mbeten në shpirt mbyllur me dry
Sonte ua hapa derën kujtimeve në Parkun e Germisë
Hëna doli pas mesnatës, mundohej ta fsheh lotin në sy

Ia lexova sonte edhe hënës poezinë time të dashurisë
Vargjet që i kam shkruar rrugëve të botës duke bredhur
Një poemë të shpirtit tim për bukuroshen e Dardanisë

Që zemrën time të dashuruar fshehurazi ma pat vjedhur
Edhe kur malli i zjarrtë zemrën me thatësi e ka kanosur
E ujit me dashuri si ujitet me ujë një fidane e mbjellur

Që e trazon dhe prap e shëron zemrën time të plagosur
Që e ngulfat me dashuri dhe me dashuri e ringjallë prap
E ledhaton me butësi edhe kur jeta për toke e ka plandosur

E ngushëllon pas çdo dënesje pas çdo loti, në çdo hap
Mbrëmjeve të mija pa gjumë, netëve deri para agimit
Deri kur kthjellet qielli e rrezet e diellit prap marrin vrap

E unë besoj në çdo ditë, besoj edhe në ditën e kthimit
Edhe pse Lulet e mia ndoshta skajeve të botës mbesin
Mua më keni një ditë te kalaja, në Krujen e kryetrimit

Do të kthehem si Dragua, Zanat e malit le t'më presin
Jo nuk vdesë kurrë dashuria për bjeshkën time atje larg
Se ëndrrat nuk zhduken, dashuritë e vërteta nuk vdesin

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat