Kulturimi i mediave dhe bizneseve

Kultura

Kulturimi i mediave dhe bizneseve

Nga: Hejza Art Më: 20 qershor 2022 Në ora: 20:12
Foto ilustrim

Mediat vizive janë një nga mjetet më të përshtatshëm për kulturimin e shoqërisë sonë, sepse përmes programeve të tyre depërtojnë në çdo shtëpi, në çdo familje. Sot kemi mjaft mjete që, përveç misionit informativ e argëtues, me sukses e kryejnë edhe misionin e tyre kulturor. Nga ana tjetër, kemi edhe media të atilla, ndonëse lokale dhe të karakterit show, të cilat janë për ibret dhe fare të padenja për të dalë ne etër! Janë pa kurrfarë skeme programore, pa kurrfarë profesionalizmi dhe koncepti kombëtar, që nuk përçojnë vlera qytetarie e aq me pak kulturo-edukative. E megjithatë, ia dalin të funksionojnë, madje të na strapacojnë me emisione e programe limonadë. Kjo falë pikërisht biznesit tonë që më me ëndje i sponsorizojnë produktet e tyre në të tilla media se sa në ato që ashiqare përçojnë synime dhe angazhime profesionale të një ekipi që e ka dert kulturën, ndërgjegjësimin e gjithanshëm të qytetarëve përmes informimit profesional dhe në kohë reale si dhe përmes materialeve vizive përplot me vlera.

Atëherë, a mund të konstatojmë se, mbi të gjitha, kemi nevojë për ta kulturuar biznesin tonë? Njëra mënyre e këtij kulturimi na ngelë ligji për sponsorizime, të cilin e kemi për ibret, me plotë deriçka për t'u futur në korrupsion e në krime financiare dhe, mënyra tjetër na ngelë përmes qëndrimeve kritike publike të sensibilizojmë biznesin se në organizatat e tyre janë të domosdoshëm përfshirja e personaliteteve të kulturës të cilët do të dinë që në mënyrë profesionale dhe të denjë ta orientojnë vullnetin e tyre për sponsorizim!

Është e pakuptueshme se si po ia dalin të na torturojnë shpirtërisht disa emisione dhe programe televizive që po zgjasin me sezona e dekada pikërisht falë sponsorëve të shumtë nga biznesi ynë kombëtar! Me decenie kemi emisione televizive që për mision të tyre kanë promovimin e shundit, kiçit, antivlerës, duke u mburrur edhe me "bllokun e marketingut" që është i begatë nga biznesi ynë kombëtar! Tmerri edhe më i madh na shfaqet kur i promovuari me zë dhe me klip nis e falënderon një duzinë biznenesh që ia kanë sponsorizuar tërë atë antivlerë dhe atë degjenerim që i serviret shoqërisë sonë! Natyrisht, një shumë bukur e madhe e sponsorizimit shkon edhe në xhepat e "moderatorëve" të cilët as që duan t'ia dinë për dëmin shoqëror kur është në pyetje paraja! Alamet gazetarësh televizivë, alamet moderatorësh, madje të dëshmuar në fushën e kulturës, në emisionet e tyre "kulturor" u japin hapësirë turlifarë injoranti e antitalenti që të promovojnë mjerimin "kulturor"!

Fatkeqësisht, mediave tona vizive edhe më tej u mungon "ora e kritikës letrare" emision ky që do t'ia jepte vizën një krijimi letrar apo do ta hidhte në vendin e vet! Mungon "ora e kritikës muzikore", minuta të konsiderueshëm për artin pamor, për baletin, operën, folklorin, vallen; edhe më tej mungojnë hapësirat për debatet kulturore, për tendencat e kulturimit të vlerave argëtuese që po dalin në opinion etj.

Koha e të bërit televizion duke kopjuar e imituar programe e emisione të huaja duhet të përfundojë, sepse çdo kopjim dhe imitim nuk përcjell kurrfarë mesazhi "autokton" e origjinal. Tashmë koha është për kulturim më të ngjeshur të mediave tona, si dhe për kulturim, mbi të gjitha, të biznesit tonë kombëtar. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat