Shoqëria Kulturore e Artistike “Bresana” nga Bresana, ndër dekada kultivon dhe prezanton vlerat tradicionale opojane

Kultura

Shoqëria Kulturore e Artistike “Bresana” nga Bresana, ndër dekada kultivon dhe prezanton vlerat tradicionale opojane

Nga: Muharrem Qafleshi Më: 9 korrik 2022 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Me themelimin e Shoqërisë Kulturore e Artistike “Bresana” nga Bresana, dy dekada më parë, iu kthye imazhi muzikor i trevës së Opojës, që e kishte dikur, nga disa shoqëri që tani më, ose nuk ekzistojnë apo frymojnë në saje të sukseseve të viteve të shkuara.

Ndaj edhe kjo gjendje, na inkurajoi që për lexuesit e së përditshmes kombëtare “Bota Sot”, ta zhvillojmë një bisedë me z. Fejsal Shaqiri, drejtor dhe koreograf i Shoqërisë Kulturore e Artistike “Bresana” nga Bresana”, për të mësuar diç më tepër rreth të arriturave të këtij subjekti të muzikës dhe të folklorit popullor shqiptar.

Fejsal Shaqiri, në mes tjerash ka vënë në spikamë faktin se që nga themelimi i SHKA “Bresana”, të gjithë anëtarët janë angazhuar me një përkushtim të madh dhe me një motiv, që nuk e kemi parë ndonjëherë me aktivitete kaq të mëdha, arriti që të sistemohet në radhën e grupeve dhe SHKA-ve më eminente të komunës së Dragashit dhe rajonit.

Në suazat e këtij subjekti muzikor kultivohen të gjitha vlerat e brezave duke filluar nga moshat më të reja e deri të veteranët e kësaj SHKA-je, te cilit kultivojnë vallet autentike të zonës së Opojës duke përfshirë motive nga tradita ose nga trashëgimia kulturore-shpirtërore, si festat e motmotit, dasmat opojane, këngët dhe vallet me motive pune, të kurbetit etj.

Pastaj në funksion të sukseseve, janë edhe instrumentet karakteristike lodra (tupani) dhe cyrla, orkestra folklorike dhe ajo popullore si dhe solistët shumë të talentuar siç është Masar Sinani, Asllan Ahmeti etj., të cilët në secilin festival apo koncert magjepsin publikun me paraqitjet e tyre dhe vlerat që prezantojnë.

Që nga themelimi e deri me tani kanë marrë pjesë në shumë festivale dhe koncerte në Kosovë dhe jashtë saj, duke sjell shumë çmime dhe kanë arritur në nivel shumë të lartë artistik.

Gjithashtu vlen të theksohet se tri viteve më parë, kryetari i komunës në atë kohë z. Shaban Shabani, drejtori i Shoqërisë Kulturore e Artistike “Bresana” nga Bresana, Fejsal Shaqiri dhe koreografi i mirënjohur kosovar Dilaver Kryeziu, organizuan me shumë suksese festivalin folkoriko-burimor “Opoja vallëzon”.

Festivali me vlera mbarëkombëtare mbahet për ndër të diasporës, që është emërtuar edhe si “Ditët e diasporës”, ky festival tubon asamble, SH.K.A dhe Grupe artistike nga të gjitha trevat shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vendeve e tjera të Ballkanit.

Këtë vit mbahet edicioni i katërt, ku sipas drejtorit Shaqiri do të marrin pjesë shoqëritë me të mira artistike nga të gjithë trevat shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat