Antologjitë shqiptare në librin e Ginisti!

Kultura

Antologjitë shqiptare në librin e Ginisti!

Nga: Hejza Art Më: 9 korrik 2022 Në ora: 18:31
Foto ilustrim

Autori i një antologjie të re poetike, e cila pritet të dalë në fillim e vjeshtës që vjen, Rudolf Marku, ka bërë të ditur se, sipas Bibliotekës Kombëtare (Tiranë), në 30 vitet e fundit janë botuar as më pak e as më shumë se 378 antologji, pa përfshirë, gjithsesi, edhe ato të botuara në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, por edhe jashtë hapësirave shqiptare. Pra, bëhet fjalë për një numër akoma më të madh nga ajo që ka prezantuar Marku e që pa hamendje do të mund të përfshihej në Librin e Ginisit të Rekordeve.

Është pikërisht HEJZA që muajve të fundit disa herë ka shkruar për sëmundjen e quajtur “përpilim i antologjive poetike”, dukë vënë theksin në mungesën e kritereve elementare profesionale, por edhe në shumë dukuri tjera të shëmtuara. Asnjë antologji e deritanishme nuk është hartuar në bazë të parimeve estetike, por kanë dominuar parimet klanore, provinciale, grupore e miqësore, përfshi edhe parimin e lekut, por edhe parimin e krevatit. Kjo është e dhimbshme, por ja që edhe kjo ka ndodhur, ndërkaq këtë e tregojnë vetë antologjitë dhe emrat (e shumë anonimëve) e autorëve.

Vetëm te antologjitë shqiptare ka ndodhur që autori për herë të parë në jetën e tij të prezantohet si poet dhe të “legjitimohet si poet”, pa botuar kurrë më parë. Kjo tregon se bëhet fjalë për disa parime, të cilat janë aq devalvuese, sa që të detyrojnë thjeshtë të trishtohet nga fjala antologji.

HEJZA ka mësuar se në ndërkohë do të botohet edhe një antologji, për të cilin mjete ka ndarë Ministria shqiptare e Kulturës. Pra, krahas antologjisë së hartuar nga Marku, do të kemi edhe një antologji tjetër që pritet të dalë së shpejti. Është e qartë se, siç thekson edhe Rudolf Marku në një shkrim të tij, kësaj shëmtie po i ndihmon edhe shteti dhe kjo duhet të trajtohet si problem brengosës.

Është për t’u habitur me heshtjen e instancave relevante, mbase më të thirrura për mbrojtjen e letërsisë shqiptare nga brutaliteti i këtillë. Heshtin shoqatat e shkrimtarëve, heshtin akademitë shqiptare, heshtin katedrat e letërsisë, heshtin institutet. Kjo ka bërë që çështja e antologjive të banalizohet tej mase. Mbase, sot, poetët që janë dëshmuar me vlera konkrete, duhet të jenë të lumtur nëse nuk e shohin veten në ndonjë antologji.

Ndoshta është mirë që edhe Rudolf Marku, për shkak të shijes së keqe që kanë lënë “antologjitë” shqiptare, ta stopojë projektin dhe të lë për një kohë më të volitshme, thjeshtë derisa të pushojë vala e “antologjive”, siç thotë vetë ai, amatoreske dhe e hartuesve të tredhur...

/HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat