Pak fjalë për poeznë e poetit Hajrush Redenica-Kika

Kultura

Pak fjalë për poeznë e poetit Hajrush Redenica-Kika

Nga: Zymer Mehani Më: 12 korrik 2022 Në ora: 07:42
Foto ilustrim

Tanimë, emri i poetit Hajrush Redenica-Kika është i njohur për lexuesit tanë. Veprat e këtij poeti rrezatojnë vlera të rëndësishme edukative, arsimore, imagjinative, estetike e stilistike.

Poeti Redenica po dëshmohet i suksesshëm në fushën e trajtimit të botës komplekse të poezisë, të cilën ka arritur ta paraqesë në krijimet letrare që shquhen me vërtetësi të artit të përsosur.

Hajrush Redenica-Kika me vëllimet e tij poetike po dëshmon se ka prirje dhe zotësi për trajtimin e temave e të motiveve të ndryshme për dukuritë, fenomenet dhe për botën përgjithësisht.

Vetë subjekti i poezive të poezive të këtij autori flet për ngritjen e tij të sigurt prej artisti dhe për përkushtimin e kujdesin e treguar për konceptimin maksimal të mendimeve e të ngjarjeve dhe kapjen e aspekteve të veçanta të jetës, që janë karakteristike në të menduarit dhe imagjinatën tonë. Pikërisht kjo mënyrë e trajtimit të reales të gërshetuar kaq bukur edhe me fanatastiken, poezive të z. Redenica ua shton edhe më shumë vlerën, gjë që dëshmon vendosshmërinë dhe seriozitetin e vazhdueshëm të autorit për t`u falë lexuesve krijime artistike me përmbajtje të rëndësishme ideo-artistike.

Poezitë e poetit Hajrush Redenica-Kika i përshkon një laryshi motivesh dhe tematikash. Motivet e trajtuara në poezitë e tij janë jeta në fshat, marrëdhëniet në familje, bota shtazore, jeta në kurbet, natyra e vendlindjes etj.

Gjuha e poetit Redenica është e kulluar, e thjeshtë dhe e kuptueshme për lexuesit Edhe fjalori është i qartë. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me kërkesat e urdhrit teoriko-letrar.

II

T’jua rikujtojmë, të dashur lexues se poeti Redenica u lind më 15 shkurt 1961 në Kikën legjendare, aty ku më 26 korrik 1944 u mbrojt Shqipëria Natyrale.

Hajrushi u rrit në një familje të varfër, por bujare. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Skënderbeu” në Hogosht. Pas mbarimit të shkollës fillore u regjistrua në SHM “9 Maji” në Kamenicë në Gjimnaz degë e ndarë e Hogoshtit. Pas dy vitesh të gjimnazit u regjistrua dy vite të tjera në Shkollën Profesionale, dega e makinerisë. Pas diplomimit në Hogosht, shkoi në Mitrovicë në Shkollën e Lartë, dega e Makinerisë, por nuk arriti ta përfundojë.

Pasi e kreu shërbimin ushtarak në Rijekë të Kroacisë, më 6 mars 1986 u punësua në “Energoinvest” të Sarajevës, dega në Prishtinë. Punoi edhe si tregtar libërshitës.

Me shkrime filloi të merret që nga viti 1999.

Poeti Hajrush Redenica ka botuar këta libra:

“KIKA”(pjesa e parë, e dytë dhe e tretë). Ky libër shtjellon historikun e Kikës, pra të vendlindjes së tij.

Vëllimet poetike:

“Brengë e mall”, Prishtinë, 2017;

“Pluhuri i zemrës”, Prishtinë, 2017,

“Bukuri në atdheun tim”, Prishtinë, 2017;

“Urat e vendlindjes”, Prishtinë, 2018.

“Flakë lirie”, Prishtinë 2019

“Gurrat e vendit tim”, Prishtinë 2019.

“Rrugët e jetës” , 2019.

“Pula në hotel”, 2021;

“Nën hije te kroi” (roman);

“Kam shumë emra”, 2022 etj.

K ka në dorëshkrim dhe shumë libra të tjerë si me poezi ashtu dhe historikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat